Noka: 22 Marsi simboli i përballjes politike dhe ndryshimit! Betejë në rrugën drejt integrimit në BE

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, duke folur në ‘Foltoren’ përpara kryeministrisë, akuzoi Edi Ramen për korrupsion dhe përpjekje për të bllokuar drejtësinë, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen me opozitën në protestën e 22 marsit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Noka deklaroi se korrupsioni në qeveri, sipas tij, ka përgjegjës direkt kryeministrin Rama dhe se opozita do të vazhdojë betejën politike kundër asaj që ai e cilësoi si “narko-regjim”. Ai theksoi gjithashtu se protesta e 22 marsit duhet të jetë një mobilizim i madh qytetar dhe një moment simbolik për ndryshimin politik në vend.

Fjala e Nokës

Të nderuar zonja e zotërinj, qëndrestarë, protestues, njerëz të kauzave të mëdha.

Kur ne vendosëm të instalojmë këtë foltore këtu, shumë të tjerë në kampin e Rilindjes dhe jo vetëm, na përqeshën. Më vonë, kur ne vendosëm të jemi të përjavshëm, filluan të na shajnë. E kujtoni besoj të gjithë. Filluan të na shajnë, sekti satanist i Rilindjes. Edhe banakët televizivë, edhe banalitetet, analistët e tyre. Filluan të shajnë. Ja shikoni, nuk kanë njerëz. Ja e shikoni, Sali Berishës dhe opozitës nuk i shkon njeri.

Asnjëherë, për asnjë moment, nuk u përqendruan tek hallet e qytetarëve që shiko, kjo qeveri çfarë po bën? Po vjedh, po rrënon, kriminalizon dhe nuk po punon kurrë për shqiptarët. Jo, nuk i zinte goja dot këto terma askujt prej atyre që janë mercenarë mediatikë.

Kur ne vendosëm pastaj të zbresim në shesh të gjithë, të zbresim në bulevard dhe të organizojmë protestat nga më madhështoret për të çrrënjosur narko-regjimin, filluan pastaj të na sulmojnë pa fund. Këta janë të egër. Këta bëjnë dhunë. Çdo gjë, nuk lanë gjë pa thënë. Pse?

Asnjëri prej tyre nuk shqetësohet për demokracinë apo për mbarëvajtjen, zhvillimin e këtij vendi. Jo! Kishin vetëm një çështje: të mbrojnë narkosin. Të mbrojnë narkosin dhe t’i turren çdokujt që ka një synim të delegjitimojë dhe ta rrëzojë atë.

Ky është një mesazh i qartë. Dhe ne, ne vazhduam. Ne vazhduam sepse në palcën tonë ka qenë dhe është qëndresa. Në shpirtin tonë ka qenë dhe është përballja, ndaj gjithmonë ia kemi dalë.

Ndaj ia dolëm edhe kur u shpall non-grata politikisht nga George Soros, Sali Berisha. Ndaj ia dolëm kur bashkuam Partinë Demokratike dhe e bëmë më të fuqishme dhe sot, ia kemi dalë se jemi e vetmja forcë, së bashku me aleatët tanë, alternativë për pushtetin, e vetmja forcë ku shqiptarët shohin zgjidhje dhe shohin shpresë. Këto jemi ne.

Por, pas kaq protestash, ata panë që e pambrojtshmja nuk mbrohet. Dhe beteja jonë pati rezultat. Kur ne nisëm këtë betejë, askush s’besonte nga të majtët, as nga socialistët, as nga ata që quhen shtresë gri, që Rilindja është një gjiriz. Jo, tek-tuk artikulonin: vjedhin, kanë lidhje me krimin, por jo siç janë në të vërtetë. Nuk i pranonte askush.

U desh beteja jonë në parlament dhe këtu në bulevard prej katër muajsh për të zbardhur dhe për t’i nxjerrë të palarat këtij narko-regjimi.

Sot, çdo qytetar i këtij vendi, edhe socialistët e thjeshtë e pranojnë një gjë: që kjo paska qenë ngrehinë kriminale dhe jo qeveri.

Sot, çdo qytetar i këtij vendi, edhe socialistët e thjeshtë, pranojnë se anijes së tyre i ka hyrë uji dhe ajo tashmë nuk lundron dot më, por ka vetëm një destinacion: të mbytet dhe të përfundojë në fund të oqeanit.

E gjitha kjo është falë betejës tonë. E gjitha kjo është falë qëndresës sonë.

Sot, kudo që të shkosh, në çdo pallat, në çdo rrugë, në çdo rrugicë, në çdo fshat, do takosh qytetarë të cilët do të thonë: nuk e dinim. Korrupsioni paska qenë tmerr te këta. Sot janë të bindur. Po, është beteja jonë.

Sot edhe ndërkombëtarët, falë betejave, falë qëndresës, falë këmbënguljes tonë, janë të qartë se ky nuk përfaqëson shqiptarët. Ky përfaqëson interesat më të errëta të klaneve mafioze dhe të karteleve të drogës dhe kurrsesi të qytetarëve të këtij vendi.

Pra, beteja jonë katërmujore ka dhënë efekte. Ata ndihen të tronditur. Por më i trondituri nga të gjithë është vetë kreu i narkos, Edi Rama.

Kreu i narkos e di më mirë se ju këtu, madje edhe më mirë se ne që jemi në parlament, e di më mirë se kushdo se çfarë po i afrohet. E di se çfarë fundi e pret.

Ai bëri gjithçka për të mbrojtur Belindën. Në fakt, asgjë nuk bëri për Belindën. Ai çdo gjë që e ka bërë, e ka bërë për të mbrojtur lëkurën e tij. Dhe vetëm lëkurën e tij.

Belinda është maska. Korrupsioni ka një emër, është Edi Rama. Belinda është thjesht një ushtar ose një gushau në lojën e korrupsionit të tij.

Ashtu sikundër edhe Gysi, Gys Agasi. Po, koordinator i Edi Ramës me krimin e organizuar ishte, por ishte thjesht koordinator, sepse interesat e krimit i përfaqëson, i ka mbajtur dhe i ka vlerësuar ky, Edi Rama.

Prandaj sot ai është i trembur. Dosja e Belindës ka brenda Edi Ramën. Dosja e Gysit ka brenda krimet e Edi Ramës.

Prandaj miq, Edi Rama është në panik.

Prandaj sot shan, shan, nxjerr vrer kundër mediave që e kritikojnë, kundër politikanëve të opozitës, kundër kryetarit të opozitës dhe kundër gjithkujt. Sepse ai e ndjen. Ai ka panik dhe për shkak të këtij paniku, javën e kaluar vendosi një precedent të rrezikshëm që s’ka ndodhur kurrë e s’ka guxuar kush kurrë në historinë e shtetit shqiptar ta bëjë.

Ai vendosi anti-shtetin me 83 kartonat e tij përballë shtetit.

Prandaj e zvarriti katër muaj çështjen e mandatit të Belinda Ballukut. E përsëris: jo se i dhimbte Belinda, jo se e ndjente Belindën. Jo! Por se e dinte që do t’i vijë radha dhe vrapoi të krijojë precedentin për t’i bërë bllok drejtësisë dhe shtetit duke krijuar anti-shtetin.

Tani, kjo që bëri është precedent shumë i rrezikshëm. Sepse praktikisht u tha edhe atyre ndërkombëtarëve që kanë investuar për reformën në drejtësi: drejtësia jam vetë. Drejtësi ka për ata që dua unë, për ata që s’dua unë nuk ka drejtësi.

Ai vendosi një standard të dyfishtë për ligjin.

Ligjit i nënshtroheni ju. I nënshtrohet çdo qytetar i thjeshtë i këtij vendi. Ligjit i nënshtrohet ai qytetari që s’kishte 5000 lekë të vjetra të paguante dritat në fund të muajit, me mbiemër Zela në Lushnjë, dhe që vdiq në burg.

Ligjit i nënshtrohet çdo qytetar që rregullon çatinë apo riparon dritaret. Po. Madje ligjit me burg i nënshtrohet edhe çdo qytetar që parkon dysh.

Por standardi i dytë i tij është: vjedhja e miliona, dhjetëra miliona, qindra miliona eurove nga ky dhe oborrtarët e tij nuk duhet dënuar me ligj. Ajo duhet të mbrohet me ligj.

Dhe prisni se do ta dëgjoni. Do të mblidhet shumë shpejt ky i drejtësisë, Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Do të mbledhë shumë shpejt kolegjin për të hapur rrugë bllokimit të drejtësisë kur ajo ka synim këtë organizatë kriminale që fshihet në këtë ngrehinë.

Po lind pyetja: a ua kanë borxh shqiptarët që t’i bllokojë rrugën e integrimit?

Se në fund të fundit, këta po vjedhin, këta po mbrojnë vjedhjen me ligj.

Ndërkohë, ai procesi i famshëm i integrimit europian, me të cilin vetë kreu i narkosit këtu shkoi derë më derë duke bërë fushatë, ai u zhbë.

Brukseli foli me zë dhe me figurë që, sa të jetë ky kreu i narkos këtu, së bashku me organizatën e tij kriminale, shqiptarët duhet ta harrojnë Europën. Duhet ta harrojnë integrimin europian.

Tani, një pyetje shumë e thjeshtë për çdo socialist të ndershëm: a duhet ne të ndërrojmë rrugën europiane të Shqipërisë për të mbrojtur lëkurën e këtij dhe të Belindës? Apo lëkurën e Gysit?

Ku është? Ku vajti i gjithë ai premtim i fushatës?

Gjithë premtimi që pasaporta europiane, pra Edi Rama do t’i premtonte shqiptarëve pasaportën europiane. Ku vajti ai premtimi i Shqipërisë në Europë në vitin 2030?

Bëjani një pyetje kujtdo nga sekti satanist i Rilindjes: ku e keni më atë premtim dhe pse nuk e belbëzon asnjëri prej tyre?

Janë rëndë. Janë rëndë, vëllezër dhe motra, dhe janë drejt fundit.

Ndaj po them, e përsëris: është merita jonë, është merita e demokratëve, e partive të tjera të koalicionit, është merita e opozitarëve që ne i çuam në këtë pikë që ata të hyjnë në luftë me gjithë botën, sepse ne bëmë transparencën.

Por ka edhe një gjë më të rëndë në këtë proces. Nuk ishte dëgjuar ndonjëherë nga një shtetar që të thuhet që lufta kundër korrupsionit na qenka më e rëndë, më e dëmshme sesa vetë korrupsioni.

Këtë s’ka guxuar ta thotë askush përveç Edi Ramës.

Po pse e thotë këtë?

Edi Rama e di shumë mirë: në rast se ka organe të drejtësisë që do t’i shkojnë deri në fund luftës kundër korrupsionit në këtë pushtet dhe në këtë shtet, të vetmit që do mbeten jashtë burgut do të jenë punonjësit e thjeshtë të administratës dhe pastruesit.

Megjithëse edhe mes tyre mund të gjendet ndonjë hajdut. Edhe mes tyre.

Pra vetëm këta do të ngelen. Të tjerët shkojnë atje brenda.

Dhe përfundimisht do të ngelet kjo ngrehinë këtu, do të ngelet bosh.

Prandaj ai detyrohet të bëjë një artikulim të tillë të paprecedent në histori.

Pra: lufta kundër korrupsionit më e rrezikshme se korrupsioni. Pse? Sepse pranon që janë të gjithë hajdutë.

Por tani, në këtë situatë që jemi ne, kemi arritur, siç e thashë, mjaft.

I kemi delegjitimuar përballë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Janë të gjunjëzuar. Ngrehina e tyre po shkërmoqet.

Por është detyra jonë të vazhdojmë luftën pa reshtur ndaj këtij narko-regjimi.

Nuk mundet. Dhe sot do të vazhdojmë t’ju bëjmë thirrje çdo qytetari të këtij vendi, që i thotë Shqipërisë Shqipëri, që i thotë familjes familje: duhet të ngrihet.

Rrugëtimin tonë nuk mund ta lëmë peng të lëkurës së narkosit.

Ne sot duhet t’u themi çdo shqiptari: ka vetëm një rrugë — të vazhdojmë betejën tonë dhe përballjen tonë.

Këtë fundjavë është 22 Marsi. Një ditë e madhe dhe e shënuar për demokracinë e këtij vendi.

Është dita kur demokratët, kur shpirtrat e lirë, kur qytetarët e Tiranës, kur rinia studentore i dha goditje një regjimi po më të keq se ky, më të egër se ky dhe më gjakatar se ky regjim.

Prandaj ju bëjmë thirrje sot të gjithëve të ndërgjegjësoheni.

Rruga e vetme është të bashkoheni me opozitën.

Opozita ka një mision. Partia Demokratike ka një mision. Jo thjesht pushtetin. Ka mision të shpëtojë Shqipërinë nga rrokullisja ku ky po do ta çojë.

Rruga e vetme është të vazhdojmë, të marrim pjesë në protestën e datës 22.

Protesta e datës 22 duhet të jetë protesta nga më të mëdhatë që kemi zhvilluar ndonjëherë në historinë tonë, e cila duhet të japë një sinjal: fundosjen e narko-regjimit, siç e dha sinjal 22 Marsi i vitit ’92 për fundosjen përfundimisht të regjimit komunist.

Tani pra, beteja është e jona dhe ne nuk ndalemi në këtë betejë.

Të jeni të sigurt që fitorja u takon vetëm atyre që qëndrojnë, atyre që luftojnë, dhe të tillë janë demokratët, të tillë janë opozitarët dhe fitorja do t’u takojë atyre.

Edhe njëherë: më 22 Mars, në orën 18:00, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Berisha uron nga Kavaja Natën e Kadrit, merr pjesë në iftarin e organizuar nga Bashkia

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, mori pjesë mbrëmjen e se henes në …