Berisha: Lubia ka disponuar 12 miliardë euro, vetëm 1 miliard janë investuar, të tjerat janë zhdukur!

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, gjatë periudhës në detyrë si ministre e zëvendëskryeministre, Belinda Balluku ka administruar rreth 12 miliardë euro, ndërsa sipas tij vetëm rreth 1 miliard euro janë reflektuar në investime publike.

Ai ngriti pikëpyetje mbi fatin e pjesës tjetër të fondeve, duke deklaruar se shumë projekte publike kanë dështuar ose janë zhdukur, ndërsa sipas tij qytetarët janë përballur me varfërim në rritje.

Berisha: Shqipëria mund të jetë vendi i vetëm në botë, nuk mund të them me siguri se është, në të cilin investimet publike zhduken nga 90 në 100 përqind të tyre dhe këto janë të dokumentuara.

Pra, plaçkiten nga zyrtarët më të lartë të vendit.

Asgjë nuk mund të mbulojë, nuk mund të mbyllë gropën më të zezë të ekziston në historinë e këtij vendi, në kryeqytetin e vendit, djegësin e Tiranës.

130 milionë euro të zhdukura pa nam dhe nishan.

Të zhdukura nga një kompani e përzgjedhur nga Edi Rama, e cila vetëkuptohet ka marrë vetëm shpërblimin e emrit, se 130 milionë euro i morën ata që i nxorën nga thesari i shtetit dhe i dërguan në bankat offshore.

Për 5 vite, në këtë vepër publike, pavarësisht se nga thesari i vendit disbursoheshin dhjetëra milionë në vit, nuk u hodh një tullë dhe në krye të 6 viteve nuk ka një themel.

Dhe prokuroria nuk ka arritur të gjejë, të rikuperojë as dhe një qindarkë.

Nuk është si shumë në vlerë më i madhi djegësi i Tiranës, por është më i dukshmi, më i qarti.

Shuma kolosale, qindra e qindra milionë janë vjedhur në vepra të tjera publike, miliarda.

Vetëm Lubi Balluku ka disponuar gjatë periudhës së saj si ministre dhe zëvendëskryeministre, 12 miliardë euro.

12 miliardë euro, në mënyrë absolute, në çdo lloj kontrolli, nuk shkojnë kurrë më shumë se 1 miliard investime në publike, të cilat janë shembur njëra pas tjetrës. Janë zhdukur.

Ndërkohë, shqiptarët varfëroheshin dhe varfërohen çdo vit e më shumë.

Shqiptarët sot 760 mijë pensionistë, përveçse një grup i vogël, nuk mund të përballojnë në mënyrë absolute mjekimin me ilaçet e përditshme. Nuk i marrin dot. Me ilaçet, me çmime stratosferike.

60 përqind, shqiptarët janë qytetarët që paguajnë më shumë në Evropë nga xhepi i tyre për shëndetin e tyre.

Kudo paguajnë njerëzit, qytetarët për shëndetin e tyre, por paguajnë një përqindje të caktuar.

Dhe kjo përqindje në Shqipëri iu është rritur dhe është sot më e larta, çka do të thotë se kanë si alternativë pamundësinë e mjekimit, pamundësinë e blerjes së ilaçeve.

Për pensionistët është gjetur një formulë mashtrimi elektoral. 50 euro vota e tyre në zgjedhjet lokale, 100 euro vota e tyre në zgjedhjet e përgjithshme.

Ndërkohë, kontot bankare të qeveritarëve shkojnë qindra milionë dhe miliarda.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Për të bërë realitet programin tonë duhet të largojmë këtë qeveri! Duhet të jemi gati për çdo sakrificë!

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, për të bërë realitet programin tonë duhet të …