Sulka: Shqipëria pa minimum jetik, varfëria më e lartë se sa pranohet zyrtarisht!

Drejtuesi i Departamentit të Çështjeve Sociale në PD, Kastriot Sulka, ka ngritur shqetësimin për mungesën e një standardi zyrtar të minimumit jetik në Shqipëri, duke theksuar se kjo situatë fsheh nivelin real të varfërisë në vend.

Në një takim me strukturat e partisë, ai u shpreh se mungesa e këtij treguesi ndikon drejtpërdrejt në jetesën e qytetarëve dhe në trajtimin e shtresave më në nevojë.

Kastriot Sulka: Sot në Shqipëri përballemi me një realitet që nuk mund të anashkalohet: varfëria është më e përhapur sesa pranohet zyrtarisht dhe, më e rëndësishmja, nuk matet me një standard të qartë. Shqipëria mbetet i vetmi vend në rajon që nuk ka të përcaktuar minimumin jetik – një tregues bazë që përcakton kufirin minimal të jetesës dinjitoze.

Kjo mungesë nuk është thjesht teknike; ajo reflektohet drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve. Mjafton të mendojmë për një familje me katër anëtarë që duhet të përballojë jetesën me rreth 61 mijë lekë në muaj, apo një familje me tre persona me vetëm 49 mijë lekë të vjetra. Në praktikë, familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike mbulojnë vetëm 15–20% të minimumit jetik real. Në të njëjtën situatë ndodhen edhe pensionistët, të papunët me pagesë papunësie dhe personat me aftësi të kufizuar, përfshirë edhe kujdestarët e tyre.

Në këto kushte, nuk ka nevojë për raporte të institucioneve ndërkombëtare që të na tregojnë nivelin e varfërisë. Çdo familje shqiptare e di vetë se sa fiton dhe sa shpenzon, sidomos kur një pjesë e madhe e të ardhurave shkon për ushqim dhe nevoja bazë.

Mungesa e një minimumi jetik e mban shoqërinë pa një pikë referimi për standardin e jetesës dhe pa një pasqyrë reale të dinjitetit ekonomik.

Pyetja që lind natyrshëm është: pse nuk aprovohet ky tregues?

Arsyeja kryesore është se përcaktimi i minimumit jetik do të ekspozonte realisht nivelin e varfërisë dhe do të detyronte rritje të menjëhershme të shpenzimeve sociale. Një standard i tillë do të kërkonte rritje të ndihmës ekonomike, pensioneve dhe pagesave të tjera sociale, duke sjellë presion mbi buxhetin e shtetit. Në mungesë të këtij treguesi, sistemi aktual mbetet më i lehtë për t’u administruar, por në kurriz të transparencës dhe mirëqenies së qytetarëve.

Nga ana tjetër, vendosja e minimumit jetik nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe çështje dinjiteti. Ajo i jep shoqërisë një standard të qartë jetese dhe i jep çdo qytetari një pikë reference për të kuptuar nëse jeton me dinjitet apo jo.

Pikërisht për këtë arsye, Partia Demokratike ka propozuar një qasje konkrete dhe të zbatueshme.

Së pari, përmes projektligjit të paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë, është propozuar përcaktimi i minimumit jetik në nivelin 200 euro në muaj, i cili i korrigjuar me rritjen e cmimeve gjate kesaj periudhe dyvjecare duhet te jete 230Euro/muaj. Ky vlerësim bazohet në studime të institucioneve të pavarura dhe në një analizë të detajuar të ekspertëve, duke marrë parasysh edhe rritjen e çmimeve në vitet e fundit.

Së dyti, ky minimum jetik parashikohet të indeksohet në mënyrë të vazhdueshme, për të reflektuar ndryshimet në koston e jetesës dhe për të garantuar që ai të mbetet real dhe efektiv në kohë.

Së treti, kjo nismë shoqërohet me rritje të buxhetit për mbrojtjen sociale, në mënyrë që të mbulojë realisht kategoritë në nevojë: familjet me ndihmë ekonomike, pensionistët, të papunët dhe personat me aftësi të kufizuar.

Objektivi është i qartë: ulja e varfërisë dhe rritja e mirëqenies, por edhe vendosja e një sistemi më të drejtë ekonomik që ndikon pozitivisht në tregun e punës dhe krijon më shumë siguri për të rinjtë që duan të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri.

Në përfundim, aprovimi i minimumit jetik nuk është thjesht një reformë ekonomike – është një hap i domosdoshëm drejt një shoqërie më të drejtë, më transparente dhe më dinjitoze për çdo qytetar.

About Redaksia

Check Also

Alarmi në Parlament/ Mbi 210 oficerë dhe punonjës policie, pjesë e karteleve të krimit të organizuar në vetëm dy vite

Një grup deputetësh të Partisë Demokratike kanë depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një kërkesë për …