EVROPA E LIRE
Në vitin e kaluar, Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt negociues, pavarësisht problemeve në sektorin e sundimit të ligjit.
Sikur edhe me vendet tjera kandidate, Komisioni Evropian e ka përmendur në Raportin e Progresit, në tetor të vitit të kaluar se shqetësimet kryesore për Shqipërinë përfshijnë rritjen e presionit politik në gjyqësor, luftën e dobët kundër korrupsionit dhe lirinë e kufizuar të medias.
Sfida e fundit ka të bëjë me refuzimin e deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë për t’ia hequr imunitetin ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është e akuzuar për korrupsion.
Deputetët nga Partia Socialiste në pushtet kanë refuzuar t’ia heqin asaj imunitetin dhe vendimi është mirëpritur prej vetë kryeministrit Edi Rama, i cili ka thënë se Parlamenti ka bërë “atë që do të bënte çdo shtet demokratik në Evropë”.
Brukseli nuk është pajtuar me deklaratën e Ramës se kërkesa për heqje të imunitetit nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar që diçka e tillë ka ndikuar drejtpërdrejt në rezistencën e disa vendeve anëtare që t’ia garantojnë Shqipërisë një të ashtuquajtur IBAR pozitiv.
IBAR është shkurtesë për Raportin mbi Vlerësimin e Përkohshëm të Standardeve ku vlerësohet përparimi në sundimin e ligjit, gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit, për Kapitujt kyç 23 dhe 24 në negociatat e anëtarësimit.
Derisa vendet e BE-së të mos e miratojnë në mënyrë unanime IBAR-in, Shqipëria nuk do të mund të ecë përpara në mbylljen e kapitujve.
Mali i Zi, për shembull, është dashur të presë për IBAR pozitiv, i cili është miratuar në qershor të vitit 2024, në mënyrë që të nisë mbylljen e kapitujve. Para këtij vendimi, hera e fundit që ka mbyllur kapituj ka qenë vitit 2017./REL
Gazeta RD