Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha zhvilloi ditën e sotme një takim me drejtuesit dhe koordinatorët politikë, e cilësoi situatën në vend si kritike dhe akuzoi kryeministrin Rama për përqendrim të pushtetit dhe dobësim të demokracisë.
Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se vendimet e fundit të qeverisë përbëjnë një rast të paprecedentë në një vend pluralist, duke theksuar se pushteti ekzekutiv ka ndërhyrë për të mbrojtur korrupsionin dhe për të asgjësuar funksionimin e drejtësisë. Ai shtoi se opozita po përballet me një regjim autoritar, ku parlamenti është i paralizuar, komisionet hetimore nuk lejohen dhe deputetëve u mohohet informacioni nga institucionet shtetërore.
Lideri demokrat, Sali Berisha ngriti shqetësime edhe për raportet me Bashkimin Europian, duke theksuar se qeveria ka injoruar qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë. Ai akuzoi gjithashtu për ndikim politik në emërimet në administratë dhe institucione kyçe, si dhe për kontroll të mediave, të cilat nuk trajtojnë çështjet kryesore që prekin qytetarët.
Në fokus të fjalës së tij ishte edhe gjendja e brendshme e PD-së. Berisha e konsideroi jetike rritjen e anëtarësimeve dhe organizimin e strukturave, duke kërkuar angazhim konkret nga drejtuesit për hapjen e partisë ndaj qytetarëve të rinj. Ai theksoi se ka interes të lartë nga qytetarët për t’u anëtarësuar, por kjo pengohet nga mungesa e organizimit dhe reagimit në terren.
Në përfundim të fjalës së tij, kryetari i PD bëri thirrje për intensifikimin e aksionit opozitar përmes protestave dhe mobilizimit qytetar, duke e cilësuar këtë si mjetin kryesor për t’u përballur me qeverinë dhe për të arritur ndryshimin politik.

FJALA E PLOTË
Mirëdita dhe përshëndetje!
Thirra këtë takim me drejtuesit politikë, koordinatorët, në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin, por edhe PD, sigurisht.
Momenti për vendin është kritik dhe në kursin që ka ndërmarrë Edi Rama, nuk mund të ketë asgjë tjetër, përveç se një përkeqësimi gjithnjë e më të madh.
Kjo sepse, akti i tij për të përdorur pushtetin ekzekutiv, për të mbrojtur vjedhjet, korrupsionin e tij, përbën një rast unik, ekstrem në historinë e një vendi pluralist.
Është një akt i pandodhur. Është një akt me të cilin Edi Rama defakto, po të përdorim një term për ta kuptuar njerëzit, shumëzon me zero pushtetin e drejtësisë dhe merr në dorë haptas, para gjithë shqiptarëve, të gjitha pushtetet.
Pra, sot opozita shqiptare përballet me një regjim, kreu i të cilit publikisht guxoi dhe mori në dorë edhe pjesën më të vogël të pushtetit.
Thashë dhe njëherë, pas këtij vendimi duhet ta kemi shumë të qartë se, Edi Rama është i gatshëm të marrë çdo vendim tjetër. Nuk ka asnjë pengesë, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë pengesë në marrjen e vendimeve të tjera.
Ju e keni të qartë se ky vendim u mor pas një kundërshtie të plotë të Komisionit Europian dhe vendeve kryesore anëtare të BE-së, të cilave Edi Rama me vendimin e tij, u tha për të mos thënë fjalën shqipe ‘plaç’ u tha ‘unë nuk pyes për ju’. Kjo është e vërteta.
Pse po ndalem në këtë moment?
Ky moment është jashtëzakonisht i rëndësishëm të realizohet nga PD, sepse tani në fushë është vetëm ajo.
Shpresat e mbarë shqiptarëve janë vetëm tek PD. Autokracia këtu është e plotë, diktatura autoritare është e plotë. Nuk ka më asnjë lloj hapësire apo mëdyshje. Jo.
Këto veprime u kryen haptas, u kryen sepse ai vetë personalisht është më shumë se Belinda i implikuar. Ka 25 vite që vjedh së bashku me Belindën dhe tani në fund ajo ja doli ta paraqesë para shqiptarëve dhe botës si një skllav të saj.
Ju e shihni se, si ajo dikton tani çdo emërim të ministrave, zv/ministrave, drejtorit të policisë etj., me radhë. Sepse pengu nuk është Rama që kkontrollon Lubinë, por është Lubia që kontrollon Ramën.
Të jemi të sigurtë për këtë.
Qytetarët duhet ta dinë se ne shkojmë në një parlament të pushtuar.
Unë ju them shqiptarëve se, asnjë pushtues nuk do të sillej, ose nuk do të vendoste në parlamentin e një vendi, një regjim si ky, në të cilin opozita shumëzohet me zero. në të gjitha funksionet e saj kushtetuese.
Përpjekjet e jashtëzakonshme që bëjmë ne.
Sot Eno Bozdo, e patë në konferencë shtypi. Me përgjegjësinë e një deputeti dhe detyrën që ka në komisionin parlamentar, institucionet qeveritare sikur të ishin shpella mafioze, nuk i japim deputetit asnjë dokument.
Imagjinoni ju se, si mund të kryejmë ne detyrimet si deputet, kur përjashtohemi nga çdo lloj informacioni apo dokumenti. Por ky është realiteti.
Në parlament, prej 8 muajsh ndalohet ngritja e komisioneve hetimore parlamentare.
Me të drejtë qytetarët presin që ne të ushtrojmë funksionin themelor që kemi, transparencën dhe kërkesën e llogarisë.
Kjo është e pamundur, përdorimi i mekanizmit parlamentar.
Po pse është e pamundur? Sepse Edi Rama e di që çdo dosje që hapet është një incenerator i ri. Nuk lejon më. E pa që çdo dosje është një varr për hajdutët qeveritar, ndaj nuk i lejon më.
Në parlament, Gjykata Kushtetuese shumëzohet me zero.
E shikoni ju Olta Xhaçkën, monumenti i turpit. Ka vjedhur me të shoqin 10 mijë metër katror tokë dhe është dënuar kryetari i Bashkisë së Himarës se ka firmosur dokumentet.
Gjykata Kushtetuese dy herë ka vendosur, por e mban Edi Rama në parlament.
Pra, kjo është situata, kjo është gjendja. Dhe në këtë situatë është vetëm opozita.
Për të mos thënë pastaj mediat, të cilat nuk i dëgjoni të trajtojnë asnjë nga këto probleme. Asnjë nga këto probleme, që kanë të bëjnë me fatet e vendit, me fatet e njerëzve të thjeshtë, me xhepat e njerëzve të thjeshtë, me jetën e tyre.
Do të stisin dhe stërstisin lloj-lloj temash, vetëm e vetëm që të mbulojnë këto të vërteta.
Ne jemi në një proces zgjedhor, dhe kam kënaqësinë të informoj shqiptarët se, ky proces gjer sot është zhvilluar në përputhje me standardet demokratike dhe në përputhje me statutin e PD.
Është zhvilluar bazuar në garën me shumë kandidatë dhe votën e anëtarësisë për kryetarin. Dhe ky është zhvillim shumë i rëndësishëm.
Në një seri takimesh kemi rënë dakord që ne jemi të detyruar për veprimtari shumëplanëshe.
Ne jemi të detyruar dhe do të ju them një moment këtu.
Rëndësia më e jashtëzakonshme për forcën tonë politike ka që të përqendrohemi që të gjithë në organizim, organizim, organizim.
Të bëjmë atë që nuk e kemi bërë, por të bëjmë edhe të që rrethanat e zhbëjnë.
Ne ngrejmë seksionin, emigracioni e zhduk seksionin. Emigracioni dikton një seri ndryshimesh që ne duhet të përshtatemi me shpejtësi.
Ne duhet të bëjmë çdo gjë që të hapim PD-në.
Me projekt konkret, çdo kryetar, çdo kryesi, çdo udhëheqës politik duhet të ketë si etalon anëtarësimet e reja dhe hapjen e partisë.
E vërteta është se kjo kërkon një ndryshim të madh në qëndrimin tonë, dhe kërkon që të shndërrojmë këtë kriter, në një kriter kryesor të perfomancës tonë.
Ka ardhur koha të lëmë mënjanë thirrjet, por të bëjmë vlerësimin.
Ju them ju dhe ua them me përgjegjësi të plotë. Ua them se, pasi unë, pas një seri takimesh dhe hetimesh se janë me qindra e qindra qytetarë që duan të marrin dokumentin e PD.
Nuk ka kush ua ofron, e pafalshme për ne.
Thelbi i këtij takimi është ky: Çfarë do të bëni për anëtarësime të reja. Janë me qindra, por dhe mijëra demokrate e demokratë të paanëtarësuar që kërkojnë të marrin dokumentin e PD-së, kërkojnë të regjistrohen, janë njerëz idealistë. Por hasin në plogështinë, apatinë tonë.
Nuk është hera e parë që e shtrojmë këtë, e kemi shtruar dhe në mbledhje të tjera, por tani kjo bëhet imperative.
PD-ja ka domosdoshmëri urgjente për ripërtëritjen dhe anëtarësime të reja.
Ndaj dhe ju si koordinatorë, si drejtues, këtë mesazh do ua përcjellim dhe kryetarëve të degëve shumë shpejt, duhet të keni në axhendë dhe si tregues kryesor këtë veprimtari.
Asnjë njeri të mos mendojë se ka hezitim. Jo. Ka njerëz që kanë hezitim, por ka me qindra, mijëra që janë të gatshëm të anëtarësohen.
Janë të shumtë.
Ndaj dhe ti vëmë vetes detyra konkrete. Çdo anëtar i PD-së duhet ti vejë vetes detyrë konkrete të anëtarësoj një tjetër, çdo anëtar i kryesisë, çdo kryetar.
Mos harroni se aktualisht në kushtet që jemi, narkodiktatura i tha komunitetit ndërkombëtar, unë nuk pyes për ju.
Pse? E ka për jetë a vdekje ai atë betejë. E ka për veten e vet ai, sepse e di që kudo që ta prekësh del i korruptuar, ai del delinkuentë në çdo gjë. Dhe mos mendojmë se do të ndryshojë. Pra, mbetemi vetëm ne. Mbetet vetëm PD, nuk është detyrë e lehtë, është detyrë shumë e vështirë, është mision i vështirë.
Dhe ky mision kërkon që të bëjmë gjithçka për të fuqizuar PD.
Pra, në mbledhje paraprake po me ju diskutuam për shpërndarjen e dokumenteve. Duhet që të kontrolloni këtë proces në mënyrë që anëtarësia të pajiset sa më shpejtë me dokumente.
Sot ne kemi drejtim absolut më themelor, organizim, organizim, organizim. Pra, të merremi me partinë.
Në kushtet një diktature opozita duhet të bëjë gjithçka që të fuqizohet, duhet të bëjë gjithçka që të dëgjohet.
Dhe ne për t’u dëgjuar para shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve kemi vetëm një rrugë: protestën, revoltën, kryengritjen.
Protestat, revoltat, kryengritjet tona, kryengritja paqësore kanë pasur efekte shumë pozitive. Por natyrisht, Edi Rama mori vendimet e veta me të cilat ai sfidoi shqiptarët, poshtëroi shqiptarët.
Imagjinoni, arrihet në nivele të larta, fare të larta të vihet në dyshim vullneti ynë, apo ndjeshmëria jonë ndaj korrupsionit.
Shkohet gjer aty sa ta paraqesin si kulturë të shqiptarëve. Nuk ka më turp se kjo? Po pse, sepse Edi Rama nuk heq imunitetin e Lubi Ballukut, në një kohë kur para 13 vitesh hiqej çdo imunitet.
Atëherë nuk kishin kulturë, po këta shqiptarë?
Pra, duhet të dëgjohemi fort, duhet të vazhdojmë betejën tonë gjer në realizimin e misionit që kemi.
Edhe njëherë rikthehem, anëtarësimet, anëtarësimet duhet të jenë motoja këtij procesi, e gjithë veprimtarisë tonë.
Ne mirëpresim çdo vlerë, mirëpresim qytetarë të cilët nuk pajtohen me këtë situatë, kurrë.
Asnjë ndikim përveç se pozitiv, kanë momentet e largimit të atyre të cilët në fushatën elektorale kanë tradhtuar idealet e demokratëve dhe kanë punuar për mazhorancën e krimit.
Mos mendojë njeri se, në shërbim të socialistëve do të ndodhet në gjirin tonë. Jo.
Zonja që deri dje ishte e nderuar, bën fushatë për kandidatin e Tom Doshit dhe pastaj del e çirret para mediave të qeverisë se më hoqën nga lista. Jo zonjë, hoqe veten nga lista.
Jo zonjë, hoqe veten nga lista.
Dhe tjetri shkon e voton për buxhetin e Sakos dhe pastaj bërtet, thotë më ndëshkuan se, prita këtë apo atë. Nuk impresionohemi ne nga këto.
Vërtetë ka një grusht njerëzish që shkelen, shiten, bëjnë pazare, por absolutisht demokratët janë në këmbë, janë më të fuqishëm se kurrë dhe do të jenë më të fuqishëm.
Ne i qëndrojmë përpekjeve tona të fuqishme për anëtësime, për afrim të vlerave, për organizim sa më solid.
Nëqoftëse, gjer para pak kohësh ne kaluam në problematika nga më të ndryshmet, tani nuk kemi, jemi në kilometrin e fundit.
Tani jemi vetë, të forcohemi sa më shumë në këtë betejë gjer në fitoren tonë dhe asnjë, asgjë nuk mund të na ndalë ne, pa përmbushur misionin tonë.
Faleminderit!
Gazeta RD