Kandidati për kryetar të PD Fier: Fieri është i yni dhe jo i hajdutëve të Belindës dhe të Ramës!

Alket Osmani, mësues fizike dhe kandidat për kryetar të degës lokale të PD Fier në fjalën e tij nga foltorja para kryeministrisë tha se, Shqipëria po lëngon, pa shpresë dhe pa rrugëzgjidhje një grup që na sundon, na poshtëron dhe na nëpërkëmb çdo ditë.

Osmani, i cili prezantoi kandidaturën e tij për drejtimin e degës së PD-së në Fier, bëri akuza direkte ndaj ministres Belinda Balluku, të cilën e cilësoi si “të pandehurën dhe të korruptuarën” që kryeson “grupin e hajdutëve të Rilindjes”. Sipas tij, Balluku “erdhi në Fier me një tabor hajdutësh dhe vodhi zgjedhjet me joshje, me presione, me privilegje të pamerituara”.

Fjala e Alket Osmanit

Quhem Alket Osmani dhe jam mësues i fizikës në arsimin e mesëm të lartë. I përkas me bindje Partisë Demokratike. Por sot dua të flas si një nga shumë shqiptarët që vuajnë varfërinë ekonomike. Po aq sa sulmin e ndyrë të përditshëm që i bëhet dinjitetit tonë, nga një grup që e quan veten qeveri, por që na sundon, na poshtëron dhe na nëpërkëmb çdo ditë.

Shqipëria po lëngon, pa shpresë dhe pa rrugëzgjidhje, e gjunjëzuar nga një eksperiment çnjerëzor, antishqiptar, ku janë pleksur urrejtja, e pangopësia e llumit të trashëgimtarëve të bllokut komunist, me lloj-lloj speciesh globaliste, deledash, që shqiptarët i shohin si kavje laboratori.

Dhe ndërsa eksperimentojnë, këto qenie pa atdhe, pa moral e pa shpirt, rrëmbejnë ç’të munden, zhyten në fëlliqësinë e luksit të ngritur mbi kurrizin e të pamundurve.

E shihni arsimin? Pa menduar që me mësuesit, projekti i skllavërimit moral e ekonomik tashmë është kryer. Edukimi parauniversitar, në tërësi, është dëshmi e kaosit, paqëndrueshmërisë së platformave, diletantizmit, partiitshmërisë dhe patronazhimit, ku ligjin e bën përligjimi.

E bën frika për të nesërmen dhe ku e vetmja e ardhme janë klasat bosh. Mësuesit janë shtresa e persekutuar e këtij regjimi të korruptuar, duke i hequr dinjitetin dhe respektin që kjo figurë misionare ka në shoqëri.

Si drejtues strukturash, prej 13 vjetësh, si kryetar grup seksioni, shpeshherë i ndodhur edhe nën presionin e patronazhistëve dhe të pushtetarëve, për vendin e punës që e kam bërë të mundur në bazë të aftësive profesionale, nuk kanë mundur të më ndalojnë që të jem pjesë aktive e Partisë Demokratike Fier pa ndaluar asnjë çast.

Më lejoni t’u them se kam pranuar me përulësi dhe shumë kënaqësi propozimin e shumë kolegëve të mi, drejtues të strukturave të Partisë Demokratike, për të kandiduar për kryetar të Partisë Demokratike. Dhe jam i gatshëm për të marrë përgjegjësi në kohë të vështira pa patur kurrfarë interesi personal.

Gjej rastin t’u bëj thirrje kolegëve të mi arsimtarë, të bëhemi bashkë, intelektualë të ndershëm të Fierit, për t’i thënë ndal vjedhjeve, abuzimeve, të grupit të hajdutëve të Rilindjes të kryesuar nga e pandehura dhe e korruptuara Belinda Balluku.

Njeriu që erdhi në Fier me një tabor hajdutësh dhe vodhi zgjedhjet me joshje, me presione, me privilegje të pamerituara për individë të ndryshëm. Fieri është i yni dhe jo i hajdutëve të Belindës dhe të Ramës.

Intelektualët munden dhe duhet të marrin përgjegjësi në kohë të vështira dhe jo të jenë konformistë. Të bëhemi bashkë të gjithë, te forca më e madhe, më e besueshme politike, te e vetmja alternativë për të bërë rotacionin e pushtetit, te Partia Demokratike me kryetarin tonë të palodhur, vizionar, profesor doktor Sali Berishën.

About Redaksia

Check Also

Analisti: Rasti i Irena Gjokës është një nga kulmet më të errëta që provon se çfarë është SPAK

Nga Ndriçim KULLA Çfarë mund të ndodhë në një çast në historinë e një shoqërie kur …