Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se ka penguar procesin e negociatave me Bashkimin Europian për shkak të mbrojtjes së korrupsionit.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi thekson se vendet anëtare nuk kanë miratuar ende ecurinë e reformave, gjë që sipas tij bllokon mbylljen e kapitujve dhe e bën të pamundur realizimin e premtimit të Ramës për anëtarësim brenda katër viteve.
Postimi
E VËRTETA QË EDI RAMA FSHEH PËR NEGOCIATAT
Edi Rama dhe kryenegociatorja folën sot gjatë për negociatat, por nuk përmendën askund të vërtetën e madhe: negociatat kanë ngecur, sepse Edi Rama ka zgjedhur të mbrojë korrupsionin.
Nga vendet anëtare akoma nuk ka asnjë vendim që të miratojë ecurinë e deritanishme të reformave dhe, pa këtë miratim, ne nuk mbyllim dot asnjë kapitull dhe jo më të realizojmë ambicien për t’u anëtarësuar brenda 4 viteve të ardhshme, siç ka premtuar Kryeministri.
Sot Edi Ramës nuk i takonte të sillej si drejtor drejtorie i Ministrisë së Bujqësisë. As të fshihej pas punës teknike të kryenegociatores. Apo akoma më keq, të linte përgjegjësinë e “sqarimit” të vendeve anëtare tek tre ministra të tij.
Edi Rama duhej të sillej si kryeministër dhe t’u thoshte shqiptarëve pse Mali i Zi po përparon shpejt me negociatat e anëtarësimit, ndërsa Shqipëria ka mbetur në vendnumëro.
Edi Rama duhet t’u japë përgjigje dy pyetjeve të thjeshta:
A ka lidhje ngecja e negociatave me mbrojtjen personale që Edi Rama i bëri Belinda Ballukut, duke zvarritur dhe duke penguar drejtësinë të hetojë korrupsionin në paradhomën e tij?
A ka lidhje ngecja e negociatave me presionin e kryeministrit ndaj drejtësisë dhe nismat e tij antidemokratike për të ndaluar drejtësinë të shkojë deri tek kryeministri?
Anëtarësimi në BE nuk është çështje procedurash teknike. Nuk është çështje reformash në letër. Është çështje e zbatimit të reformave dhe e besimit mes palëve. E sigurt është se besimi nuk ndërtohet duke penguar hetimin e korrupsionit me votën e mazhorancës në Parlament.
Rasti i Belinda Ballukut e ka nxjerrë krejt zbuluar Edi Ramën. Kur ai duhet të zgjidhte Europën, kryeministri nën shantazh zgjodhi të mbrojë veten!
Nëse nesër do të dëgjoni nga Edi Rama ose vartësit e tij se problemi është Europa, mos u besoni!
Problemi i vërtetë i Shqipërisë është Edi Rama!
Gazeta RD