Paloka: Rama ka bllokuar integrimin për shkak të Ballukut, i ka rënë maska

Deputeti i PD, Edi Paloka, tha sot në studion e “News 24” se kryeministrit Edi Rama jo vetëm “i ka dalë boja”, por edhe i kanë “rënë maskat” dhe propaganda që përdorte për integrimin në BE.

Me bllokimin e heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut në Parlament dhe rrëzimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e saj pas akuzave për abuzime dhe skandalin e tenderimeve, Shqipëria është bllokuar në rrugën e integrimit dhe po bën hapa pas, tha ai mes të tjerash.

Sipas Palokës, Rama e mban nën kontroll PS-në, karrigen e të cilës e mori me blerje dhe tani nuk e lëshon, por ndodhet në pozicion të keq politik.

“Rama e kontrollon PS-në dhe e mban nën këtë kontroll dhe këtë e tregojnë tensionet atje. Që Rama kontrollon atë parti është e qartë që ditën kur e bleu kryetarllikun. Tani po e thonë edhe vetë në PS, s’ka më PS, ka një sekt që e quajnë Rilindje, një grup që Rama i ka mbledhur vetë sipas shijes dhe dëshirës së tij, pa personalitet e dinjitet. Rama i fyen pa asnjë problem”, tha Paloka.

Deputeti opozitar theksoi se kryeministri dhe qeveria ndodhen në momentet më të këqija politike, teksa edhe deputetët i trajton si “fëmijët e Diellës”.

“Rama është në situatë të keqe politike, është më i dobët. Ai e thotë edhe në aktivitete ndërkombëtare se do i zëvendësojë ata me fëmijët e Diellës, pra do bëjë 83 fëmijë dhe do i zëvendësojë në Kuvend. Për Kryesinë tashmë ka dalë dhe kjo është situata atje sot”, vijoi ai.

Por shkaku kryesor i bllokimit të integrimit në BE nga vetë Unioni, është rënia e maskave të Ramës dhe mbrojtja e hapur që i bëri të akuzuarës Belinda Balluku.

“Rama me modelin dhe rastin Balluku u detyrua të heqë të gjitha maskat. Ato që thoshte për drejtësinë e re se e kishte bërë vetë, e krijoi vetë, tani i kanë rënë edhe para ndërkombëtarëve. Ata ia kanë thënë se nëse nuk dorëzon Ballukun, nuk ka integrim në BE dhe do të kthehemi mbrapa. Pra ia kanë thënë Ramës jo Shqipërisë e shqiptarëve. Integrimi është bllokuar për shkak të Ramës, atij i kanë rënë të gjitha maskat, edhe atë që përdorte si flamur për mbështetjen e ndërkombëtarëve. I ka funksionuar si propagandë deri tani, por tashmë i ka rënë. BE ia ka thënë copë se Shqipëria është bllokuar në integrim. Por Rama nuk shqetësohet, se goditjet i merr Shqipëria, ai nuk ndihet në presion të madh, por nuk zgjedh interesat e shqiptarëve, kush mendon ndryshe është jashtë realitetit”, tha ligjvënësi opozitar.

Por për ta argumentuar këtë koment politik për situatën në Shqipëri, ai vuri në dukje në narrativë se tani edhe të majtët në BE po e shohin qartë se kush është Rama, ndaj i kërkojnë dorëzimin e Ballukut në këmbim të ecurisë në Evropë. Por shtoi se kryeministri nuk ka ndër mend të sakrifikojë Ballukun për interesat e shqiptarëve.

“Ramës tani i ka dalë boja, ndaj sot kemi këtë pozicion të qartë, jo vetëm te PPE-të, por edhe te të majtët e spektrin politik. Edhe në BE e kanë parë tani se si Ramës i kanë rënë maskat. BE i kërkon të dorëzojë Ballukun, ndryshe integrimi mbetet i bllokuar. Por Rama nuk ka ndër mend të sakrifikojë për interesin e shqiptarëve”, deklaroi deputeti demokrat.

Sipas tij, Rama është i njohur për taktikat e tij të përçarjes, siç bëri dikur me PD-në dhe vijon tentativat, pasi krizën e tij politike “kërkon ta shpërndajë te të tjerët” për interes të pushtetit.

About Redaksia

Check Also

Berisha thirrje shqiptarëve në Londër: Votoni për Anila Skejan, kandidate e Partisë Konservatore dhe përfaqësuese e komunitetit shqiptar

Kryetari i PD, Sali Berisha u ka bërë thirrje shqiptarëve në Barnetin Lindor, Londër, të …