PD i kërkon Presidentit të mos dekretojë ligjin për koncesionin e Butrintit

Deputetja e PD, Ina Zhupa i ka drejtuar Presidentit Ilir Meta, një kërkesë për mosdekretimin e ligjit ‘Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit’.

Kërkesa e plotë e deputetes Ina Zhupa

Tiranë, më 26.05.2022

Drejtuar:

SH.T.Z. Ilir META

President i Republikës së Shqipërisë

Nga: Znj. Ina Zhupa

Deputete e Kuvendit të Shqipërisë

Lënda:             Kërkesë për mosdekretimin e ligjit ‘Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit’

Shkëlqesia Juaj Z. President,

Në seancën plenare të ditës së hënë, 23 Maj 2022, Kuvendi miratoi projektligjin ‘Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit’.

Në cilësinë e deputetes së Partisë Demokratike të Qarkut Vlorë, përfaqësuese edhe për qytetin e Sarandës, Konispolit dhe Finiqit dhe si deputete relatore e komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik e kam kundërshtuar me argumente këtë ligj.

Nëpërmjet kësaj letre Ju kërkoj mosdekretimin e këtij ligji bazuar në arsyet e renditura shkurtimisht më poshtë, të cilat shpjegojnë përse ky ligj bie në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe interesin publik.

1- Ligji është antikushtetues sepse bie në kundërshtim me Konventën e Parisit 1972

Konventa e Parisit, për Trashëgiminë Kulturore Botërore, 1972, shprehet se parimi themelor i saj është roli i padiskutueshëm parësor i shteteve anëtare, [‘Shtete Palë’], në administrimin e pasurive kulturore dhe natyrore në territoret e tyre. Neni 4 i Konventës shprehet, mëse qartë, se ‘detyra’ [the duty], për të siguruar identifikimin, mbrojtjen, konservimin, prezantimin dhe përcjelljen për brezat e ardhshëm të trashëgimisë kulturore dhe natyrore […] që ndodhet në territorin e tij i takon në mënyrë parësore atij Shteti.’ Me tranferimin e të drejtave të administrimit shteti Palë ‘heq dorë nga këto detyra’ dhe shkel hapur parashikimet e kësaj konvente ndërkombëtare.

Po ashtu, Neni 6 .1, ripohon se ‘sovraniteti i Shteteve në territorin e të cilit ndodhet trashëgimia kulturore dhe natyrore respektohet plotësisht’, dhe ‘të drejtat pasurore të mbrojtura në legjislacionin kombëtar nuk paragjykohen’. Kurse Neni 6.3, është edhe më eksplicit në përcaktimin e rolit unik dhe të pazevëndësueshëm të Shteteve Palë në rregullimin e statutit juridik dhe menaxhimin apo administrimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore duke përcaktuar se çdo ‘Shtet Palë’ zotohet të mos ndërmarrë asnjë masë të qëllimshme, [deliberate measure], që mund të dëmtojë direkt ose indirekt trashëgiminë kulturore dhe natyrore, […] që gjendet në territorin e një Shteti Palë tjetër’.

Nga sa më sipër, Konventa e Trashëgimisë Botërore të Parisit, e cila është dokumenti bazë mbi të cilin janë konceptuar dhe shkruar të gjitha legjislacionet në fushën e trashëgimisë kulturore të vendeve të Bashkimit Evropian, por edhe më gjërë përcakton qartazi se administrimi i pasurive të trashëgimisë kulturore duhet të kryhet eksluzivisht nga shteti. Në këtë kuptim, dhënia e këtyre pasurive personave privatë apo fondacioneve me pronësi hibride publiko-private vjen në kundërshtim me këtë Konventë, të ratifikuar edhe nga Republika e Shqipërisë më 10 korrik 1989, dhe hyrë në fuqi më 10 tetor 1989.

Duke qënë një konventë e ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë çdo ligj që bie në kundërshtim me të, është antikushtetuese. Konkretisht: Kushtetuta e Shqipërisë, Neni 5, përcakton se ‘Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të.’ Më tej, Neni 116 i Kushtetutës përcakton se, ‘sipas hierarkisë juridike, marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara kanë epërsi ndaj ligjeve’.

Hapësira ligjore që kanë shfrytëzuar për kalimin e këtij ligji në parlament, është ligji i ‘Trashëgimisë Kulturore dhe Muzetë’ i ndryshuar me mbështjeten e AADF, që po ashtu është antikushtetues për nenet 171,172,173. Sot nuk mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese pasi kanë kaluar 2 vjet nga miratimi. Por, për të kthyer të gjithë situatën në kushtetueshmëri kam paraqitur një projektligj për ndryshimin e këtyre neneve dhe mbylljen e rrugës që projekte të tilla të vijnë për trashëgiminë tonë kulturore nga privati. Nisma është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, datë 11.05.2022, Nr.1759.

2- Ligji është formë koncensionare, e cili prodhon një model të administrimit privat me të drejta të plota mbi Butrintin.

Butrinti i kalon në administrim 4 personave privat dhe Ministres së Kulturës, duke formuar një bord prej 5 vetësh. Edhe një drejtor ekzekutiv po ashtu person privat. Ministrja e Kulturës është vetëm dy vjet kryetare e këtij bordit, edhe kjo formalisht pasi nuk ka ndonjë të drejtë speciale nga qënia kryetare. Por as formalisht nuk janë kujdesur që institucioni shtetëror të jetë në kryesimin e bordit.

Butrinti thuhet në marrëveshje jepet në administrim të plotë dhe të gjitha përfitimet menaxhohen nga Fondacioni. Ministria i garanton Fondacionit posedimin dhe gëzimin e plotë dhe të qetë të Pasurisë Kulturore të Paluajtshme pa asnjë kundërshpërblim.

Fondacioni e rregjistron Butrintin në kadastër sipas shtojcës së marrëveshjes. Sipas Kodit Civil kuptimi i posedimit, sqarohet në nenin 304: ‘Posedimi është sundimi efektiv i një personi mbi një send dhe mbi të drejtat e tjera reale mbi atë. Posedimi mund të ushtrohet drejtpërsëdrejti ose nga një person që mban sendin.’ Pra efektivisht 4 persona privat sundojnë efektivisht Butrintin sipas asaj që parashikon marrëveshja.

Paratë që janë në arkën e Butrintit, aktualisht 2.1 milion dollar sipas Ministres, i kalojnë fondacionit bashkë me Butrintin.

Ndërkohë që Butrinti me këtë fondacion të krijuar, model vetëm shqiptar, i hiqet mundësia që Kontrolli i Lartë i Shtetit të kontrollojë se ç’bëhet me paratë e pasurise publike, sepse fondacioni është privat dhe me të drejtë si çdo privat nuk auditohet nga KLSH. Në statutin e këtij fondacioni. pika 26.5 e statutit thuhet se: ‘KLSH-ja nuk ka objekt auditimi paratë që mblidhen në Butrint’, sepse është privat dhe janë në të drejtën e tyre përderisa Shteti Shqiptar po e dorëzon me ligj.

Fondacioni që do të zbatojë menaxhimin justifikon marrjen e Butrintit për 10 vjet, me grantin 5 milion dollarë  që do të ofrojë partneri themelues, e cila është sigurisht arsye e pamjftueshme për të dhënë një pasuri kombëtare me koncension.

Së pari, Butrinti për 10 vjet parashikohet të gjenerojë 60 milion dollarë. Së dyti fondacioni për Butrintin në 1993 i themeluar nga lordi Rothchild dhe lordi Sainsburry funksionoi në vitet më të vështira në Shqipëri, dha kontributin financiar, dhe nuk kërkoi ndonjëherë që ta merrte Butrintin as administrim, menaxhim apo edhe më pak të regjistruar në Kadastër. Gjithashtu Fondacioni Amerikan për pasuritë nënujore RPM Nautical Foundation ka dhënë 4 milionë euro për kërkime për pasuritë nënujore në Butrint, por nuk ka kërkuar kurrë që të marrë territorin nënujor në administrim. Pra nuk është arsye e mjaftueshme që shteti shqiptar për 5 milionë dollarë të japë me koncension Butrintin që gjeneron 60 milionë dollarë për 10 vitet e marrëveshjes.

3- Modelet e paraqitura nga ministria si referencë për menaxhimin e Butrinti nuk kanë asnjë të përbashkët me Ligjin. Ky është një model që nuk ekziston në asnjë vend të botës.

Katër modele janë paraqitur si modele të njëjta menaxhimi nga Ministria: Versaja, Pompei, Stone Age-British Museum dhe Muzeu Egjiptian i Torinos.

  1. Modeli Shqiptar ka 3 përfaqësues privat dhe 2 përfaqësues të supozuar të shtetit
  • Modeli i Muzeut Egjiptian të Torinos ka 4 përfaqësues shteti dhe 2 privat
  • Modeli Pompei është institut brenda Ministrisë së Kulturës me autonomi speciale.
  • Modeli i Versajës ka 18 përfaqësues në bord nga të cilët 14 shtetëror dhe 4 privat.
  • Modeli i Stone Age ka 25 përfaqësues të caktuar nga shteti, dhe ka gjithashtu një strukturë të quajtur Bord Besimi që ka personalitete dhe përfaqësues privat që kontribuojnë financiarisht për muzeun (charity).
  1. Modeli shqiptar pretendon se ka dy përfaqësues shtetërorë, në minorancë, Znj. Elva Margariti dhe arkeologun Anglez Richard Hodges, që së pari nuk janë në kapacitetin e tyre shtetëror, por si individë dhe së dyti, Z. Hodges nuk mban asnjë funksion shtetëror në Republikën e Shqipërisë. Në katër modelet e tjera, përfaqësuesit mazhoritar të shtetit, nuk janë të caktuar nominalisht por me funksione shtetërore.
  2. Modeli shqiptar ka hequr fare pushtetin lokal, pavarësisht se pretendon në relacion që ka ndjeshmëri për rolin e trashëgimisë kulturore në komunitete. Të katërta modelet e tjera kanë përfaqësim lokal primar në fondacion.

Gjithashtu, pretendimi se modeli është i bazuar në eksperiencën Amerikane, vetë ish kongresmeni Joe Diguardi i ka dërguar një letër publike Kryetares së Kuvendit Znj. Lindita Nikolla dhe i bën thirrje të mos miratojnë këtë ligj si në kundërshtim me çdo praktike ndërkombëtare.

Ne konstekstin e modeleve ai shkruan: ‘Me të vërtetë, ju mund të keni dijeni se parqet tona shumë të vlerësuara në Amerikë menaxhohen ekskluzivisht dhe vetëm nga Shërbimi Kombëtar i Parqeve {National Park Service], një agjenci brenda Departamentit të Punëve të Brendshme të Qeverisë Amerikane. Në menaxhimin e tyre nuk përfshihen as fondacone private, as partneritete publike private, dhe as ndonjë model i ri apo ‘hibrid’.

4- Ligji ndan në dy pjesë menaxhimin e parkut, në kundërshtim me përcaktimet e UNESCO-s për menaxhimin si një i tërë. Kjo ndarje hap rrugë për ndërtime brenda dhe jashtë zonës A3.

Qyteti antik i Butrintit u shpall për herë të parë monument kulture në vitin 1948; në 1999 u regjistrua në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s; në 2003 kompleksi ligatinor, përfshirë dhe pjesën e lagunës dhe zonën bregdetare të Butrintit – Kepin e Stillos – u shpallën Zonë Ramsar dhe Park Kombëtar (Kategoria II e IUNC-it për Kategorinë e Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura).

Për herë të parë ndahet menaxhimi i qytetit antik nga menaxhimi i parkut kombëtar, ndërkohë që koncepti i UNESCO-s është lidhja integrale e dy pjesëve. Nisur edhe nga fakti që qeveria shqiptare me vendim VKM Nr. 59, datë 26.1.2022, Fletore zyrtare nr. 16-2022, vendosi të reduktojë sipërfaqen e zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit nga 9.424,2 ha në 8.622,2 ha ngre dyshime për ndërtime në zonën buferike të parkut. Sipas hartës bashkëngjitur vendimit të qeverisë për Butrintin një sipërfaqe prej rreth 800 ha nga Manastiri, Gjiri i Hartës dhe deri në kufirin jugor tek Gjiri i Pemës së Thatë, nuk përfshihet më në statusin e zonës së mbrojtur, duke i hapur rrugën ndërtimeve dhe aktiviteteve ekonomike në atë zonë.

Nga ana tjetër sipas kësaj marrëveshje me fondacionin privat, rezulton që ndërtimet në këtë zonë më rëndësi kombëtare kulturore dhe historike, do zhvillohen biznese që nuk kanë asnjë lidhje as me arkeologjinë, as me trashëgiminë dhe as me gërmimet për zbulime të reja. Plani i Biznesit, që përmendet vazhdimisht në marrëveshje, parashikon përfitime private të bizneseve, që do shkojnë në xhepat e individëve qe do shfrytëzojnë për këtë një pasuri kombëtare dhe të trashëgimisë botërore.

Ndërtimet në Butrint ka qenë një plan i nisur nga qeveria shqiptare në vitin 2017 ku parashikohej ndertimi i nje bari (lokal) por ishte ndërhyrja e Dr. Mechtild RÖSSLER, Director of the UNESCO Ëorld Heritage Centre and the Heritage Division me nje letër urgjente i kërkonte qeverisë shqiptare në mënyrë eksplicite të ndalte menjëherë çdo punim dhe ndërhyrje në Butrint. Letra e mbërritur nga UNESCO është dërguar për autoritetet shqiptare më datën 9 tetor 2017. Ndërsa atëherë falë ndërhyrjes së UNESCO-s u ndalua plani i ndërtimit, tani plani i ndërtimit është faza e dytë pasi ti jepet fondacionit privat fillimisht dhe më pas shteti të mos mbajë as përgjegjësi përpara UNESCO-s.

Në plan shkruhet: ‘Kompleksi i ndërtesave brenda dhe rreth ‘Shtëpisë së Doganës’ në brigjet e Kanalit të Vivarit përballë kalasë së ‘Ali Pashës’, ndërtuar mbi themelet e një vile romake buzë detit, ofron pamje spektakolare nga Kanali i Vivarit, Gjiri i Butrintit dhe deti Jon. Jo më larg se 1.5 km nga qendra e propozuar e vizitorëve, siti mund të shndërrohet për akomodim hoteli. Ai duhet të merret në konsideratë si një opsion për Fondacionin e Menaxhimit të Butrintit, pasi kthimet në atë hotel, me restorante dhe shërbime të tjera, mund të jenë thelbësore dhe do të garantonin një të ardhme të qëndrueshme për sitin, nën menaxhimin e Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit’

Në planin e menaxhimit po ashtu parashikohet ndërtimi brenda Butrintit. ‘Mirëqenia e Zonës A3 dhe Parkut Kombëtar përreth tij nëpërmjet largimit të mbetjeve plastike dhe të tjera, punësimit të banorëve vendas si udhërrëfyes, varkëtarë dhe zejtarë dhe rritjes së të ardhurave të banorëve vendas nëpërmjet ngritjes së hoteleve, restoranteve, bareve dhe strukturave të ngjashme’, thuhet në marrëveshje.

Duket qartë që ndërtimet janë parashikuar të shumta brenda qytetit antik por edhe brenda parkut kombëtar, me heqjen e mbrojtjes të pjesëve të tij për ndërtimin e resorteve sic denoncon me prova media BIRN.

5- Mungesa e dokumentacionit nga UNESCO dhe ICOMOS

Një projekt i tillë duhet jetë i konsultuar edhe i paraqitur Kuvendit dhe Presidentit me dokumentacionin përkatës nga UNESCO. Duke qenë se Butrinti është në listën e trashëgimisë botërore që nga 1999. Asnjë dokument i tillë nuk është në Kuvendin e Shqipërisë dhe pse të kërkuara nga unë, në cilësinë e deputetes.

Në emisionin televiziv Opinion, shfaqën një letër që pretendohet që është rekomandimi pozitiv i UNESCO-s për Butrintin, letër në të cilën nuk ka asnjë element të lidhur me marrëveshjen e menaxhimit e ligjin në fjalë.

E para është data, kjo letër ka ardhur më 28 shkurt 2020 ndërkohë fondacioni për të cilin ne flasim dhe fondacioni për të cilin duhet të kishin marrë miratimin nga UNESCO është krijuar me 22.07.2021 pra UNESCO nuk shprehet dot për një fondacion që do të krijohet një vit më pas që është privat dhe aq më teper që kjo letër nuk është as rekomandim pozitiv, porn jë kërkesë për informacion që i bën UNESCO qeverisë shqiptare: ‘Mbasi ju takuam Ju dhe ekspertët e AADF ne kemi nevojë për sqarime të mëtejshme’.

Informacioni i parë që kërkojnë është: ‘Specifikoni emrin e strukturës shtetërore’, nënvizoj strukturës shtetërore, ‘në trupën qeveritarë e cili do të jetë për menaxhimin e pasurisë botërore të Butrintit.’ Pra UNESCO kërkon të specifikojë kush do të jetë struktura qeveritare, që të lë të kuptosh se gjatë takimit as Ministria as AADF nuk kanë shpjeguar krijimin e OJF-së.

6- Ligji rrezikon historinë shqiptare dhe identitetin kombëtar shqiptar.

Butrinti nuk është thjesht një vend arkeologjik për t’u vizituar, por është historia jonë, është identiteti jonë dhe historia e identiteti nuk mund të jepen me koncension.

Në planin e menaxhimit janë zhdukur studiuesit shqiptar dhe jo vetem kaq, autori i planit dhe njëkohësisht anëtar i bordit të këtij fondacioni Richard Hodges, ka shkruajtur jo vetem në veprat e veta por edhe në dokumentin zyrtar të mënaxhimit 10 vjecar te Butrintit, që Butrinti është qyteti i një kolonie greke.

Nuk dua të shtoj asgjë më shumë në këtë pikë sesa shkrimi i cituar i një nga arkeologëve tanë më të vyer, anëtar i Akademisë së Shkencave, si Z. Neritan Ceka:

 ‘Duke paraqitur një dokument publik, studio duhet të kishte qenë e kujdesshme në paraqitjen e pjesës historike, që dominohet nga një megallomani anglosaksone (ndjesë për metaforën!), sipas së cilës Parku Arkeologjik i Butrintit është vepër e Fondacionit Butrinti që punoi atje në vitet 1993-2012, duke reduktuar në disa rreshta kontributin e misionit arkeologjik italian të drejtuar nga L. M. Ugolini dhe asistuar nga H. Ceka, që zbuloi pjesën kryesore të monumenteve, punën e arkeologëve shqiptarë të Institutit të Arkeologjisë D. Budina, S. Islami, S. Anamali, N. Ceka, K. Lako, Dh. Condi, B. Muka që drejtuan ekspeditat kërkimore nga 1958-2019, apo punën e historianëve të arkitekturës dhe restauratorëve të Institutit të Monumenteve K. Zheku, N. Ceka, Gj. Karaiskaj, A. Meksi, A. Baçe, që kanë punuar në Butrint gjatë së njëjtës periudhë. Personalisht kam drejtuar krijimin e Parkut Arkeologjik të Butrintit në vitet 1969-1975, kur kam qenë punonjës i Institutit të Monumenteve dhe parku që kemi sot, me përjashtim të muzeut, është krijuar i gjithi në atë periudhë, që nga rrethimi, porta, rruginat e lëvizjes, restaurimi i skenës së teatrit, tempullit të Asklepit, termeve romake, nymfeut, etj. Po ashtu, kam drejtuar ekspeditën arkeologjike shqiptare-greke në vitet 1991-1992 dhe ekspeditën e Forumit në vitet 2004-2005. Ndërsa unë kam qenë autor i krijimit të parkut arkeologjik brenda rrethimit, i detyrohet A. Tares përfshirja në territorin e Parkut edhe të pjesës ambientale dhe vendosja e renxhersave, pa të cilën Parku arkeologjik sot do të ishte i rrethuar nga dhjetëra hotele, restorante dhe banesa. Është jo vetëm joetike, por krejtësisht megallomane mungesa e çdo referimi ndaj kontributeve shkencore e menaxheriale shqiptare për Butrintin në listën bibliografike, ku mund të gjesh citime si: Bescoby et ali, Shenjtë dhe mëkatarë (pa datë dhe vend botimi; al në vend të alii), apo Hernandez D. R; Mitchell, I.; Varrezat perëndimore: vrojtim arkeologjik i varreve romake përgjatë Kanalit të Vivarit, Butrint 4. Oxboë books (Pa datë! dhe përse shërben???), citime që nuk kanë të bëjnë aspak me përmbajtjen e dokumentit, por evidentojnë diletantizmin e hartuesve.

Diletantizmi dhe megallomania bëhen komprometuese për dokumentin veçanërisht për termat e përdorura kuturu, por me rrezikun e interpretimit politik. Butrinti dhe qytetërimi i tij cilësohen grek dhe romak, ndërkohë që Butrinti nuk është koloni helene si Apollonia, Dyrrahu dhe Oriku, që cilësohen nga autorët antikë dhe historia moderne si greke. Ato burime dhe mbishkrimet na dëshmojnë se është kryeqytet i prasaibëve, kaon dhe epirot (në se MK mendon se epirotët ishin grekë, le ta dëshmojë, se vetë grekët nuk kanë arritur). Po kaq diletante është përfshirja e të gjithë mureve antike të qytetit nën termin helenistik, që cilëson periudhën 335- 30 p. Kr., ndërkohë që në muret e Butrintit ka një periudhë arkaike të shek. VII p. Kr., klasike të shek. V p.Kr, klasike të vonë të fillimit të shek. IV p. Kr, ndërsa periudha helenistike ka vetëm dy rindërtime të kufizuara dhe nuk gjendet fare në akropol, ku e vendosin hartuesit e dokumentit. Kjo nuk është vetëm me rëndësi shkencore, por edhe për punën konkrete të vlerësimit turistik, konservimit e restaurimit, mbi bazën e teknikave të secilës periudhë (metaforikisht do të ishte sikur të vlerësoje një grua të bukur bionde si midis të tridhjetave dhe shtatëdhjetave!’

I nderuar Z. President,

Ne permbledhja te arsyeve jo shteruese per antikushtetueshmerine e ketij ligji, jo vertem ne germe por edhe frymen e Kushtetutes se Shqiperise, historia dhe identiteti nuk mund te jepet me koncesion tek një privat. Në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ka miq dhe armiq të përjetshëm, ka interesa shtetërore dhe Ju jeni autoriteti shtetëror garant që të mbroni interesat e popullit Shqiptar.

Për sa më sipër ngelem e hapur për informacione shtesë që mund të nevojitet dhe jam e bindur që pozicionimi juaj publik si mbrojtës i Kushtetutës, i sovranitetit- në këtë rast sovranitetit kulturor shqiptar, dhe interesit publik do të mbizotërojnë në këtë vendimarrje.

Me respekt,

Dr. Ina Zhupa

Deputete e Kuvendit të Shqipërisë

 

About Redaksia

Check Also

Berisha: Ftoj qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë sot në ora 5 marshim në Tiranë!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka ftuar qytetarët shqiptarë në mosbindjen civile të opozitës, …

Leave a Reply