Deputeti i PD, Klevis Balliu, gjatë fjalës së mbajtur në foltoren e opozitës para Kryeministrisë, u bëri thirrje qytetarëve për vazhdimin e protestave dhe qëndresës, duke theksuar se vetëm përmes aksionit opozitar mund të arrihet ndryshimi politik në vend.
Balliu: Shumë njerëz diskutojnë nëpër rrjete sociale për këtë foltore. Shumë nga ata që e dinë fare mirë që kjo është një pikë referimi për të dëgjuar diskutimet e vërteta për problemet dhe shqetësimet që ka vendi jonë dhe që kanë qytetarët. Sepse në parlamentin e Shqipërisë dëgjohen vetëm hallet që ka Edi Rama dhe Lubi Balluku, që e kanë kthyer atë parlament në një institucion për t’u mbrojtur nga krimet që kryejnë ndaj qytetarëve shqiptarë, për vjedhjet që kryejnë ndaj qytetarëve shqiptarë, e kur vjen puna tek problemet dhe shqetësimet e qytetarëve, aty nuk pipëtin zëri, po ngrihet kartoni për të mbrojtur vjedhjet e një qeverie tanimë të degraduar qoftë në planin kombëtar, por dhe në planin ndërkombëtar. Të nderuar miq, fjalët nuk mjaftojnë për të zgjidhur problemin që ka vendi jonë. Fjalët janë të mjaftueshme që mbarë bota të kuptojë që në Shqipëri populli shqiptar fatkeqësisht nuk ka përballë një qeveri, por një organizatë të mirëfilltë kriminale e cila ka për mision të mbrojë sistemin që ka ngritur për vjedhjen e parave të qytetarëve shqiptarë. Ndaj fjalët duhen zëvendësuar me vepra, me akte. Kjo protestë këtu është një akt, kjo foltore këtu është një akt.
Denoncimet e opozitës janë një akt. Protestat kombëtare janë një akt. Dhe ata të cilët pyesin se ku të çojnë këto protesta, a do të mbyllet me këtë protestë apo me protestën tjetër, ne duhet të kemi vetëm një përgjigje: Me çfarëdo lloj forme dhe mënyre të duhet, opozita është gati të qëndrojë, është gati të vazhdojë deri në kryerjen e atij misioni. Në seancën e fundit parlamentare, qeveria kishte sjellë disa projektligje, se ka arsye pse kjo qeveri provokon opozitën dhe provokon shembjen e seancave parlamentare, për të kaluar ligjet e tyre korruptive që vjedhin qytetarët shqiptarë në heshtje, që ato mos të diskutohen. Provokojnë nëpërmjet zarit të Taulant Ballës dhe të Edi Ramës, nëpërmjet Niko Peleshit, që të mbyllet seanca sa herë që ka diskutime për ligje në interes të qytetarëve. Dhe kur nuk diskutohen ato, kalojnë edhe ligjet me të cilat ata vjedhin qytetarët shqiptarë. Projekte korruptive me të cilat ata vjedhin qytetarët shqiptarë. Ne kishim edhe për këta efektivë që janë sot këtu, ne kishim një projektligj të propozuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, që paratë e krimit të organizuar, paratë e konfiskuara të krimit të organizuar të përdoreshin për familjet e efektivëve të rënë në detyrë, për familjet e atyre qytetarëve të mbetur viktimë nga përplasjet e krimit të organizuar nëpër Shqipëri, dhe sidomos për çiftet e reja të cilat sot nuk blejnë dot apartamente, sepse metri katror është rritur fiktivisht në maja-maja që as në Evropë nuk i gjen ato shifra që gjen në Tiranë, sepse pastrohen paratë e drogës.
Dhe ky pushtet, që ka votuar për të bërë investitor strategjik një vrasës si Pllumb Gjoka, tha, jo, nuk do t’i japim paratë e krimit, t’i përdorim ato për të ndihmuar të rinjtë, po do t’i mbajmë aty që t’jua kthejmë prapë të njëjtëve kartele që jua kemi konfiskuar, siç bën me rastin e Olti Bistrit. Por këto në shumicë të gjithë ju i dini. Mjafton të shikosh që kjo është e vetmja qeveri në Evropë që s’merr asnjë masë për çmimin e naftës. Kjo është e vetmja qeveri në gjithë botën që nuk dëgjon asnjë ankesë të qytetarëve shqiptarë, edhe kur i vjen poshtë tek dritarja, edhe kur i shkon në shtëpi, edhe kur i vjen në parlament. Kjo është një qeveri që nuk ka kohë të merret me hallet e shqiptarëve, sepse është e zënë të merret me hallet e veta. Dhe ka vetëm një formë, ka vetëm një mënyrë, për të kthyer vëmendjen tek qytetarët, e vetmja formë është largimi i kësaj qeverie. Ndaj le të vazhdojmë këtë protestë, le të vazhdojmë këtë qëndresë, në çdo moment të ditës, kurdo dhe sa herë të jetë e nevojshme, opozita do të jetë në krye të kësaj qëndrese, në krye të kësaj përballje dhe të qëndrojmë derisa së bashku të fitojmë.
Gazeta RD