Tirana rritet e ne pakësohemi!

Nga Kim MEHMETI

Pas rënies së socializmit, Tirana ishte shumë më e vogël se sot.

Por në ato vite Shqipëria ishte shumë më e “madhe”, sepse kishte më shumë shqiptarë.

Asokohe në Tiranë i takoja edhe miqtë e mi, tregimtarët e shkëlqyeshëm Lazër Stani dhe Faruk Myrtaj, të cilët sot nuk janë aty.

Ata e braktisën mëmëdheun pa i pyetur njeri pse e ndienin ngushtë veten në Tiranë, sikur prozatorë të tillë t’i lindte shqiptaria me qindra çdo vit.

Kryeqendra e sotme e mëmëdheut tonë është shumë më e zhurmshme se ajo e pas rënies së përmendores së Xhaxhit Enver, se ajo që fliste e mendonte vetëm shqip.

Dhe kushdo që do të shkruajë për Tiranën e Piktorit, do të duhet ta bëjë këtë me hundë të mbyllur, sepse ajo qelbet nga llumi i mbetur pas pastrimit të parave të pista.

Tirana e dikurshme rrëfente për rrugëtimin e shqiptarisë, për faktin se koha nuk është përcaktim i çastit kur kanë ndodhur ngjarjet, por është korniza që përcakton hapësirën e asaj që kemi qenë dikur.

Kur ecje dikur nëpër udhët e Tiranës, shihje njerëz, dëgjoje çfarë thoshin ata dhe shpresoje se një ditë do të mund ta thoje të vërtetën e tyre nëpërmjet vetes.

E sot, kur shëtit nëpër bulevardet e zhurmshme të kryeqendrës së shqiptarisë, ke ndjenjën se po dëgjon heshtjen që dhemb.

Ku ta dish, mbase zhurma e Tiranës që bëhet gjithnjë e më e madhe më së miri e shpërfaq fytyrën e Shqipërisë që ‘zvogëlohet’ si dhe mallin e saj për ata që e braktisën vendlindjen, mall i shtresuar në të gjithë ne, si të ishte llum pas vërshimeve, e nëpër shtresat e të cilit nuk mund të ecësh pa u zhytur, pa u baltosur nga dhembja.

About Redaksia

Check Also

Kur bëhesh qesharak i një uzurpatori pushtetesh dhe zhvatësi serial…

Nga Iva V.GRILLO Dëgjova sot Ministrin e Jashtëm tek thurte ditiramb për “mençurinë e largpamësinë”, …