Një ligj i miratuar në kohë rekord në Parlamentin e Shqipërisë është cilësuar si një “ligj me porosi” dhe pjesë e një modeli qeverisës që po e varfëron vendin.
Në një deklaratë për media deputetja e opozitës Jorida Tabaku tha se ky akt ligjor nuk është një ndryshim i thjeshtë, por një mekanizëm për të shpërndarë paranë, asetet dhe pronat publike pa asnjë lloj gare.
Gjatë fjalës së saj, deputetja argumentoi se ky ligj është shprehje e një “modeli qeverisjeje që i ndan pronat publike sikur t’i kenë të nënës e të babës”.
Ky model, sipas saj, po e varfëron Shqipërinë dhe njëkohësisht tregon mënyrën se si qeveria e koncepton procesin e integrimit evropian.
Në mënyrë specifike, ligji për investimet strategjike bie ndesh me detyrimet e Shqipërisë në kuadër të negociatave me BE-në.
Theksohet se Kapitulli 31 i negociatave kërkonte pikërisht shfuqizimin e këtij ligji. “Ndërkohë që këtë ligj e kam akoma në fuqi dhe duhet të përfundojë brenda këtij viti, qeveria shqiptare thotë, kush merr një investim strategjik, ne do i japim dhe një portë.
Deklarata
“Këtu nuk bëhet fjalë vetëm thjesht për një ndryshim të thjeshtë ligjor. Këtu bëhet fjalë për një model qeverisje, një model qeverisje që e ndan paranë publike, që i ndan asetet publike, që i ndan pronat publike sikur t’i kenë të nënës e të babës.
Është një model qeverisje që fatkeqësisht sot po e varfëron Shqipërinë. Por nga ana tjetër është edhe mënyra se si qeveria shqiptare e koncepton procesin e integrimit. Procesi i integrimit në fund të ditës nuk është vetëm një listë detyrimesh që kryhen në letër dhe nuk zbatohen, por janë edhe standarte në praktikë.
Qeveria shqiptare ka marrë parasysh që ligjin e investimeve strategjike ta anullojë dhe ta pezullojë atë menjëherë edhe si detyrim i kapitullit 31.
Është një nga detyrimet përmbyllëse të kapitullit 31, ligji i investimeve strategjike. Ndërkohë që këtë ligj e kam akoma në fuqi dhe duhet të përfundojë brenda këtij viti.
Qeveria shqiptare thotë, kush merr një investim strategjik, ne do i japim dhe një portë. Pa garë, këto të gjitha do marrin dhe përfitime taksash, ndërkohë që në çdo prokurim tjetër publik, edhe për një stilolaps, edhe për një mjet pune të çdo bashkie e të çdo drejtorie ka garë, asetet publike këtu ipen pa garë.
Ky është ligji më i shpejtë, të paktën në kaq vite sa jam unë në parlament, ligji që ka kaluar me shpejtësi më të madhe.
Ditën e martë nisën diskutimet në orën 11:30 dhe përfunduan po ditën e martë në orën 10:00 të darkës. Një ligj që është miratuar me shpejtësinë e dritës. Kemi pasur ligje të tjera të rëndësishme që duheshin edhe për procesin e integrimit e nuk kanë kaluar.
Unë nuk besoj që është vendi që as Komisioni, as vendet anëtare, as Parlamenti Europian të mbylli sytë, por është momenti që tani që negociatat janë hapur, të ketë më shumë vëmendje ndaj Shqipërisë, për çdo ligj që kalon këtu, po edhe për çdo vjedhje dhe zaftim që ndodh, sepse kjo në fakt është vjedhja dhe zaftimi i pronës publike. Faleminderit!
Gazeta RD