Edi Rama pranoi sot nga Berati, gjatë takimit me prodhuesit, se ka pasur edhe problematika në financimin e fermerëve dhe bujqësisë me naftë, ku shpesh edhe është abuzuar.
Ai tha se formula nuk dha rezultat, teksa nënvizoi se fermerët nuk do të përfitojnë më naftë pa taksa, duke argumentuar se kjo skemë ishte keqpërdorur.
“Dalja nga kjo formulë nuk do të sjellë ulje të prodhimit,” u shpreh Rama, duke shtuar se “nafta pa taksa në shumë raste ishte përdorur për qëllime që nuk kishin lidhje me bujqësinë”.
Ai shpjegoi se në shumë raste kjo naftë u ishte dhënë personave që nuk e meritonin.
“Nafta ka qenë një sfidë për bujqësinë, sepse ne jemi përpjekur ta kthejmë atë nga disa anë. Kemi pasur mbi 60 mijë që kanë marrë naftë, ndërsa fuqia prodhuese nuk e ka këtë lloj proporcioni. Në këtë kuptim, ne nuk kemi hequr mbështetjen për askënd, por kemi hequr mundësinë që nafta të abuzohet dhe të përdoret për qëllime që nuk lidhen me bujqësinë. Shumë njerëz që punojnë tokat e të tjerëve janë detyruar ta marrin naftën dhe t’ua japin të tjerëve. Ne jemi detyruar të provojmë disa mënyra, dhe kjo tani vjen si rezultat i njohurive të formalizimit, i cili do t’ju japë mundësinë të keni më shumë mbështetje nga shteti dhe të përfitoni nga fondet evropiane. Një nga sfidat më të vështira të anëtarësimit në BE është siguria ushqimore. Standardet e sigurisë ushqimore duhet të garantohen. Unë besoj se shqiptarët kanë aftësinë të përshtaten, por duhet të fillojmë të punojmë që tani për atë që dëshiron Bashkimi Evropian. Ne duhet t’i përmbushim standardet si vend i BE-së”, u shpreh Rama.
Por sipas kryeministrit, ka edhe nga ata që abuzojnë me naftën, duke ia dhënë personave të tjera që janë me “Mercedes”.
“Ose kemi dalë në atë konkluzion edhe për një fakt tjetër që shumë njerëz që punojnë tokat e të tjerëve kanë qenë të detyruar ta marrin naftën e t’ia japin të tjerëve sepse është dhënë për sipërfaqe dhe ajo sipërfaqe është e dikujt tjetër e ndarë, ai tjetri ka Mercedes dhe kështu ai e merr nga të tjerët ndaj nuk na ka rezultuar kjo formulë dhe as nuk ka për të rezultuar se dalja nga kjo formulë do sjellë rënie të prodhimit. Nuk është kjo që e rrit podhimin, janë konkluzione që dalin nga proaktika, kemi provuar disa rrugë të detyruar dhe kjo rrugë është rritje e vetëdijes për formalizim, sepse kjo ju jep më shumë ndihmë nga shteti dhe financimet evropiane”, deklaroi Rama.
Gazeta RD