Tabaku: Qeveria të japë llogari për negociatat me BE, qytetarët duhet të dinë çfarë po negociohet në Bruksel

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka akuzuar nga foltorja e Kuvendit qeverinë për mungesë totale transparence në lidhje me procesin e negociatave për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjatë një fjalimi për procedurë, Tabaku deklaroi se opozita dhe qytetarët shqiptarë janë lënë tërësisht në errësirë, pa asnjë informacion mbi ecurinë e bisedimeve me Brukselin. Sipas deputetes, as Parlamenti dhe as deputetët nuk janë vënë në dijeni për pozicionet negociuese të Shqipërisë, detyrimet ndërmjetëse apo afatet kohore për përmbushjen e detyrimeve ligjore. Ajo solli si shembull kontrastin me Serbinë, ku pozicionet negociuese bëhen publike vetëm një javë pas diskutimit me komisionin përkatës, duke theksuar se procesi duhet të jetë i hapur dhe transparent.

Tabaku: Gjatë seancës së shkuar në parlament ne patëm një debat të gjatë për çështjet e integrimit. Patëm një debat të gjatë për faktin që opozita është lënë jashtë këtij procesi. Sot, jo vetëm opozita, po dhe qytetarët shqiptarë, për transparencën që duhet të ketë në këtë proces. Unë besoj që kanë kaluar pak kohë, 10 ditë, dy javë dhe mendova që qeveria shqiptare do reflektonte dhe do të sillte në parlament informacionin që të paktën parlamenti të diskutonte.

Në Serbi, pozicionet negociuese publikohen një javë mbasi ato diskutohen me komisionin. I gjithë procesi i negociatave është një proces i hapur dhe transparent. Sot qytetarët shqiptarë nuk kanë asnjë informacion se çfarë ndodh me negociatat. Qytetarët shqiptarë nuk kanë asnjë informacion për pozicionet negociuese. Parlamenti nuk ka asnjë informacion se cilët janë detyrimet ndërmjetëse. Deputetët nuk kanë asnjë informacion për detyrimet ligjore që duhen plotësuar dhe periudhën kohore.

Absolutisht asnjë deputet i opozitës nuk është i përfshirë në këtë proces. Për këtë arsye, edhe njëherë në emër të opozitës, kërkoj zoti kryetar, ju si kryetar i kuvendit, ju kam kërkuar që në shtator në nisje të sesionit, të luani dhe të kryeni rolin tuaj institucional dhe të publikoni dhe të njoftoni dhe opozitën për këtë proces. Në mënyrë të vijuar, kemi kërkuar publikimin e ligjeve. Në mënyrë të vijuar kemi kërkuar publikimin e pozicioneve negociuese. Në mënyrë të vijuar kemi kërkuar që të ketë informacion dhe transparencë.

Ky proces nuk mund të jetë një proces teknik ku shkojnë dhe bëhen prezantime PowerPointi. Ky proces është politik dhe qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se çfarë po negociohet sot në Bruksel. Qytetarët shqiptarë duhet ta dinë a ka apo jo pengesa sot në Bruksel. Qytetarët shqiptarë duhet ta dinë cilat detyrime qeveria shqiptare ka marrë angazhim për të kryer dhe nuk i ka kryer. Duhet ta dinë në qoftë se miratimi i ligjit të porteve të jahteve është pengesë apo jo për kapitullin pesë, prokurimit publik. Në qoftë se është pengesë për kapitullin 27. Në qoftë se është pengesë për kapitullin 14. Qytetarët shqiptarë duhet ta dinë në qoftë se mosvotimi i imunitetit të ish-zëvendëskryeministres është bërë problematik dhe është diskutuar atje apo jo. Këto janë çështje shumë të rëndësishme e procesit të integrimit.

Është çështje e interesit kombëtar. Ka qenë objektivi strategjik i Shqipërisë. Nuk mund ta trajtoni këtë si pronë tuajën pa dhënë absolutisht asnjë informacion. Përsëris dhe njëherë kërkesën legjitime të opozitës për transparencë, për informacion dhe për gjithëpërfshirje. Duhet patjetër që sot këto tema t’i kemi në parlament.

About Redaksia

Check Also

Vangjeli: Rama shpërblen ata që heshtin, vëllai i ministrit nën hetim nga SPAK për pastrim parash në aferën e AKSHI-t

Zëdhënësja për Antikorrupsionin në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për ndërtimin …