Deputeti i PD, Belind Këlliçi tha se, një udhëtim i kryeministrit Rama në Paris më 8 tetor 2020 nuk ishte një axhendë zyrtare, por për të marrë pjesë në ditëlindjen e bashkëshortes së mikut të tij, Ron Yeffet. Ky i fundit është një personazh i akuzuar për mashtrim, konkretisht për zhvatjen e 7.6 milionë dollarëve ndaj një shtetasi amerikan.
Sipas tij, ky udhëtim pretendohet se fakton lidhjen e ngushtë dhe korruptive mes kryeministrit shqiptar dhe biznesmenit në fjalë.
Belind Këlliçi: Të enjten e 8 tetorit të vitit 2020 Rama nuk kishte udhëtuar për një axhendë zyrtare drejt Francës. Edi Rama në atë të enjte parlamenti, si kundër ndodh përherë, ndodh edhe sot, nuk është prezent në sallë. Kishte udhëtuar drejt Parisit për të festuar ditëlindjen e bashkëshortes së mikut të tij Ron Jefet. Ky, të dashur shqiptarë, nuk është thjesht një udhëtim miqësor, por rezulton se do të jetë dhe prova e pushtetit e të akuzuarit për mashtrim, Ron Jefet, për t’i zhvatur një shtetasi amerikan Mark Fajst plot 7.6 milionë dollar. Pra, të nderuar qytetarë, ky udhëtim është prova që lidh drejtpërdrejtë dhe fakton lidhjen korruptive të Ron Jefetit dhe të kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Sot, miku mashtrues ka në dorë fatin e industrisë së armëve në Shqipëri. Me dy VKM nominale, Edi Rama ka lënë në dorë të Jefetit jo vetëm këtë industri, por dhe fatin tonë në NATO. Kjo është arsyeja pse në fakt sot është anulluar edhe interpelanca urgjente me ministrin e mbrojtjes Ermal Nufi.
I kujtoj qytetarëve shqiptarë se ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, akuzohet sot nga SPAK-u dhe është në burg vetëm se u faktuan udhëtimet e tij me ish-zëvendës ministrin e Shëndetësisë Ilir Rapajn dhe me biznesmenin tjetër që qëndronte dhe punonte në Itali. Arben Ahmetaj akuzohet nga SPAK për korrupsion vetëm se ka njohje me Mirel Mërtirin, edhe pse është e faturuar që në dosjen e inceneratorëve firmë të tij nuk ka, se po të kishte patur, të jeni të bindur që unë i pari dhe Partia Demokratike do ta kishte bërë publike dhe do ta kishte referuar në organin e akuzës. Saimir Tahiri bëri burg pasi u faktua se familjarët e tij kishin udhëtuar me Habilajt në të njëjtin avion.
Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, qëndron në burg sot vetëm sepse pretendohet se Kastriot Ismailaj, sipas prokurorisë, ka fjetur në një shtet tjetër në të njëjtin hotel gjatë kohës që aty ka qëndruar edhe ish-presidenti i Republikës Ilir Meta. Ndërkohë, Edi Rama vazhdon të qëndrojë në krye të qeverisë, edhe pse tashmë është faturuar jo vetëm miqësia e tij e ngushtë me Ron Jefetin, një fakt publik formal dhe informal që e di çdo qytetar në Tiranë, e di çdo rreth biznesi në Tiranë, por është faturuar dhe dhurata qindra milionë euro që i është bërë atij me dy VKM personale nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Sot në fakt Edi Rama duhet të ishte në këtë sallë dhe të përgjigjej për pyetjet publike që i kam drejtuar prej tre ditësh kur kam denoncuar lidhjen e një kontrate midis kompanisë SMX dhe kompanisë RNI Trading në New York, në pronësi të shtetasit Ron Jefet në janar të vitit 2024. I ribëj edhe njëherë pyetjet nga kjo sallë kuvendi drejtuar kryeministrit të Shqipërisë. A është Shqipëria vendi anëtar i NATO-s në kontratën e paspecifikuar me SMX dhe kompanisë së mashtruesit Ron Jefet?
Në rast se është Shqipëria ky shtet, në cilën procedurë ligjore konkuruese është përzgjedhur kompania e Ron Jefetit për të bërë ndërmjetësimin për vendin tonë në një kontratë me anëtarin e NATO-s? A po rrezikon kreu i qeverisë shqiptare sigurinë kombëtare dhe atë të partnerëve në aleancë duke lënë në dorë të një të akuzuari për mashtrim industrinë e armëve të Shqipërisë? A rrezikon anëtarësimin në NATO Shqipëria me këto manovra korruptive pas bllokimit të procesit të integrimit prej çështjes së Belinda Ballukut?
Në një vend normal, të dashur miq, do të mjaftonte hija e dyshimit për të kërkuar një transparencë të plotë për këtë mega skandal. Në një vend serioz mjafton rreziku ndaj NATO-s për të kërkuar përgjegjësi politike dhe shpjegime të menjëhershme nga kreu i qeverisë dhe ministri i mbrojtjes.
Gazeta RD