Një tjetër akt arbitrar në Parlament, ku kryeparlamentari Niko Peleshi ka përjashtuar në mënyrë të paligjshme deputetin demokrat, Luciano Boçi, duke shkelur hapur rregulloren dhe duke cenuar të drejtën për debat të opozitës.
Tensionet në sallën e parlamentit shpërthyen gjatë diskutimit për projektligjin mbi Agjencinë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore (AKSHA), kur pas fjalës së Boçit, ministrja Mirela Kumbaro kërkoi të drejtën e përgjigjes ndaj akuzave të ngritura.
Në kundërshtim flagrant me rregulloren, pasi ministrja përfundoi ndërhyrjen duke iu referuar drejtpërdrejt deputetit, Boçit iu mohua e drejta legjitime për replikë. Sipas opozitës, kjo është një shkelje e pastër procedurale dhe një përpjekje e qëllimshme për të censuruar zërin kritik.
Situata u përshkallëzua kur Peleshi, në vend që të zbatojë rregullat e Kuvendit, vendosi të përjashtojë Boçin nga seanca, në një akt që PD e cilëson si ‘dhunë parlamentare’ dhe përdorim politik të karriges së drejtimit.
Deputetët e opozitës reaguan duke e konsideruar vendimin si të padrejtë, selektiv dhe tërësisht në funksion të mbylljes së debatit. Sipas tyre, ky është një tjetër episod që tregon degradimin e standardeve demokratike në Kuvend dhe përdorimin e rregullores si mjet për të goditur opozitën.
Gazeta RD