Shembja e rrugës së Librazhdit/ Qytetarët do të paguajnë 21.3 mln euro për dëmin që bënë kompanitë

Qytetarët shqiptarë do të paguajnë më shumë se 21 milionë euro për të stabilizuar rrëshqitjen e rrugës në Librazhd. Autoriteti Rrugor Shqiptar lajmëroi në regjistrin e parashikimeve të prokurimeve publike një tender me vlerë 2.04 miliardë lekë ose 21.3 milionë euro për të riparuar rrëshqitjen e cila izoloi juglindjen e vendit për ditë të tëra.

Ndonëse dyshimet më të mëdha për shkaqet e shembjes së rrugës lidhen me punimet për aksin e ri nga kompania A.N.K, qeveria ka nxituar që koston e shembjes ta ngarkojë mbi qytetarët. Dhe kjo nuk është një faturë e vogël, por plot 21.3 milionë euro.

Edhe këtë herë faji ngeli jetim. Madje autoritetet ishin të zellshme që në fillim, që t’ia vishnin fajin natyrës teksa të gjithë zyrtarët e shtetit nga drejtori i rrugëve deri tek kryeministri deklaruan se shembja lidhej me reshjet e shumta të shiut.

Por saktësisht në segmentin ku u shemb rruga vetëm pak metër më sipër kompania A.N.K, e cila është duke punuar për ndërtimin e segmentit të ri të Korridorit 8, kishte përdorur mur gabiam duke gufosur një valvul natyrale të shkarkimit të ujërave në atë vend. Kjo dyshohet se ngarkoi kodren duke sjellë në rrëshqitjen e saj dhe shembjen e rrugës.

Megjithatë ata që dyshohet se ishin shkaku i gjithë kësaj, jo vetëm që nuk paguajnë faturën, por bëjnë fitime. Pak muaj më parë, kompania A.N.K mori 1 milionë euro të tjera nga buxheti për stabilizimin emergjent të segmentit të shembur në Dragostunjë.

Tashmë qytetarët do të paguajnë edhe 21.3 milionë euro të tjera, të cilat do të përlahen sërish nga A.N.K apo të ngjashmit e saj, të cilët marrin fonde publike për të riparuar dëmet që bëjnë vet bashkë me projektuesit e tyre. /Kapitali.al

About Redaksia

Check Also

Asnjë çudi nga Drejtësia me Regji!

Nga Ilir META Edhe kur Shqipëria nuk ishte anëtare e Këshillit të Europës, funksionarët publikë …