Kalkulimet e Ramës për pushtetin e tij – Krahasime me sjelljet e diktatorit Hoxha!

Nga Enver BYTYÇI

Ka kaluar pa u vënë re një deklaratë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Rusinë e Vladimir Putin. Rama i thoshte portalit “Politico” të Brukselit para disa ditësh nga Athina se “Bashkimi Evropian ka bërë një gabim strategjik, duke ndërprerë kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit me Moskën për shkak të luftës kundër Ukrainës”! Më tej ai ka theksuar se mungesa e kontaktit me Rusinë mund ta dobësojë pozicionin e BE-së në përpjekjet e ardhshme diplomatike për zgjidhjen e konfliktit. Këtë qëndrim të tij shefi ynë i ekzekutivit e përligji me faktin se “Shqipëria nuk ka varësi nga gazi rus”! Ndërkohë që gjithkush e di se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë pa infrastrukturë të shpërndarjes së gazit natyror e për pasojë nuk mund të ketë asnjë lloj varësie për diçka që nuk mund ta shërbesh për qytetarët e tu.

Por cila është intriga e kryeministrit Rama me këtë kthesë 180 gradësh nga qëndrimet e mëparshme ndaj luftës në Ukrainë?! Të gjithëve na kujtohet “spektakli” i mbledhjes së Këshillit të Sigurimit nën drejtimin e Edi Ramës, mbledhje në të cilën ky i fundit imitoi diktatorin Hoxha në qëndrimin e tij ndaj ambasadorit rus në OKB dhe ftesës që i bëri presidentit ukrainas, Volodymyr Selensky për të folur në atë mbledhje. Më pas pamë se si kryeministri ynë u bë nikoqir i Mbledhjes së shefave të Evropës për Ukrainën. Pamë pritjet së paku dy herë të presidentit ukrainas në Tiranë. Ndërkaq mediet pro-qeveritare u investuan në “rolin e jashtëzakonshëm të liderit suprem në mbështetje të Ukrainës e kundër agresionit rus”! Ishte një investim i jashtëzakonshëm atëherë i Edi Ramës në servilizmat e tij ndaj politikave sorosiste të administratës Biden për Ukrainën.

Është interesant se si na përsëritet historia ne shqiptarëve. Kur Enver Hoxha i prishi marrëdhëniet e tij me Titon, shënoi rekorde në diskursin e tij për kultin e Stalinit. Më vonë, kur ai u prish me Hrushovin, shënoi rekorde të reja me lëvdatat për Mao Ce Dunin, Çu En Lain dhe Republikën Popullore të Kinës. Nëse dikush do ta studionte me vëmendje sjelljen e Edi Ramës, ve re lehtësisht se sindroma e Enver Hoxhës e shoqëron atë në kohët e sotme. Në rastin konkret, sa kohë që administrata Biden ishte e vendosur kundër Rusisë dhe agresionit të saj ndaj Ukrainës, Edi Rama ishte radikali më i madh i qëndrimeve anti-ruse në Europë. Ndërsa sot, kur administrata Trump është gati neutrale dhe jo kritike ndaj agresionit rus në Ukrainë, Edi Rama ka ndërruar kursin e tij politik në mbështetje të linjës trampiste ndaj Moskës.

Kjo lloj historie përsëritet në të gjitha dimensionet e saj. Sepse për të njëjtat arsye që Enver Hoxha ktheu fletën e bashkëpunimit me aleatët e panatyrshëm për Shqipërinë, këtë e bën edhe kryeministri i sotëm Edi Rama. Enver Hoxha lëshoi aleatin jugosllav për shkak se Tito po përkrahte më shumë ambiciet e Koçi Xoxes për pushtet. Për të njëjtën arsye diktatori shqiptar i prishi marrëdhëniet me Moskën dhe u lidh me Pekinin.

Për të ruajtur pushtetin e tij absolut në Shqipëri. Kjo është arsyeja pse Edi Rama ndryshon gjithnjë qëndrimet e tij politike. Sot kritikon Evropën, sepse e sheh se me këto kritika tërheq vëmendjen e Donald Trump. Dhe nuk është çudi se paguan dikë në rrethin e presidentit amerikan për ta informuar atë për deklaratat që bën. Sepse marrëdhënia me Trump ia forcon pozitat në pushtet. Aq më tepër kur këto pozita i janë dobësuar në Evropë.

Duket se prestigji i Edi Ramës në Evropë ka rënë përtokë edhe nga një akuzë që sot ai i bëri opozitës shqiptare, sikur ajo po “sulmon Shqipërinë në qendrat e Bashkimit Evropian”! Në fakt opozita denoncon në Shqipëri, në Evropë e kudo korrupsionin e shfrenuar dhe manipulimin e demokracisë që Edi Rama ia bën Shqipërisë. Ndërsa ai denoncimet kundër kryeministrit i shndërron si “denoncime” kundër Shqipërisë. Gjithsesi, Brukseli duhet t’i lexojë mirë deklaratat e Edi Ramës.

Duhet ta dijë se kryeministri i Shqipërisë asnjë fjalë nuk e lëshon nga goja pa e menduar dhe llogaritur shtatë herë, pa patur një arsye, një motiv dhe një qëllim të caktuar. Në rastin konkret ai dëshiron gjithashtu të kërcënojë BE-në. Kuptimi i kësaj deklarate është se “Nëse ju na refuzoni në rrugën e integrimit, atëherë ne kemi një mundësi tjetër, të lidhemi me rusët dhe me Vladimir Putin”! Rama e ka kuptuar se Shqipëria nuk ka shans të bëhet anëtare e BE-së në mandatin e tij dhe përjeton momente dëshpërimi të thellë.

Deklaratat e tij janë kontradiktore, sepse gjithnjë ai vihet në funksion të pushtetit të tij politik dhe ekonomik dhe asnjëherë nuk ka në radar interesat e Shqipërisë. Ky është Edi Rama, një kameleon i tipit të diktatorit Hoxha, thjesht për ruajtjen e sundimit të tij në vendin më të varfër të Evropës!

About Redaksia

Check Also

“Porta e Alpeve” apo porta e propagandës?

Nga Eliona Kodra Shkreli Sa herë që afrohet sezon zgjedhjesh, Edi Rama shpik dhe shpalos …