Dr. Pranvera SHEHAJ
Politologe, Ekonomiste, Publiciste
Gjasat janë që në mendjen tonë mungesa e një shoqërie të shëndetshme është ngaherë dhe kokëfortësisht me domosdo pasojë e pritshme e politikës. Ne, dritshkurtësia që na kyç në refuzimin e të menduarit mbi veten, na shtyn në kërkimin e fajtorëve, ndërkaq, vetë rehatohemi në mëshirën e të zgjedhurit për të qenë viktimë. Sa herë e gjithmonë kur na lypet të dëftojmë deri ku lëndohet ndërgjegjja jonë si shoqëri, ne tërhiqemi pas në skutërinë e heshtjes dhe ndyjmë paqësisht shpirtin kolektiv më shumë se sa fajtorja, – sipas nesh, politika – ndyn institucionet. Na e zhbën ose jo vetëshpalljen viktimë, ka po aq gjasa që politika të ketë qenë filtri i ujit të turbullt që kutërbon katërcipërisht në brigje e lartmadhni malesh të vendit tonë, e që ta mbyt frymëmarrjen me aromën e rëndë të kalbësisë që ka korëzuar tash e disa kohë ne si shoqëri.
Pa një qeverisje të mbrapshtë, ne nuk do ta kishim njohur vetveten. Pa flladin e athët të këtyre kohëve që shuplakin qenien tonë, ne nuk do ta kishim kallur patriotizmin patetik që përvesh rëndom shoqëritë shterpë. Kohët e mbrapshta janë bekim për dritëzimin e të vërtetës mbi veten, mbi njerëzit që na rrethojnë. Vetëm hiçgjëja njihet në rehati. Pushtetet e mbrapshta janë sprova që pa e patur qëllim në vetvete, flakin tej pluhurin që mbulon cenet dhe meskinitetin e shoqërive ku vendosen, ose në paçin qenë me fat, forcën dhe virtytet e tyre. Dhimbshëm pranuar, ne jemi rasti i parë.
Për një sistem politik autoritar, korruptiv dhe defiçitar të marrë jetë dhe vazhdimësi nuk është mjaftueshëm vetëshpjegues vulnerabiliteti ekonomik i votuesve, ashtu sikurse shantazhimi nën frikë. Atij i nevojitet rrënjëzimi i një modeli të metë shoqëror, i cili në bashkëkohësi me sistemin politik, të shumëfishohet deri sa të kthehet në përfaqësues të pjesës mazhoritare të shoqërisë. Pranueshmëria e sistemit ngrihet mbi një model përfaqësues të zhveshjes në disa drejtime, reflektim i largimit nga: morali, drejtësia, identiteti kombëtar (tradita, patriotizmi), dhe humanizmi. Kur ky model përhapet si një masë malinje në krejt trupin shoqëror, ai kthehet në standard të pranuar, i cili konsolidohet falë imunitetit të munguar të një shoqërie frikshmërisht hipokrite, e atillë që i ka fshehur kohës të meta të thella.
Pa shtratin e ngrohtë dhe nënshtrimin e vetëdijshëm të këtij modeli, i atillë pushtet do të kishte qenë një ndjesi efemere. Falë tij, ai është larg të qenurit i tillë.
Detaje të skulpturës
Zhveshja nga ideali! Mungesa e idealit thërret për nostalgji edhe të sistemeve politike famëkeqe, konkretizuar në një afirmim të At Zef Pllumit, i cili bisedat më të çmuara në dimensionin intelektual i pati bërë – rrëfen ai, – me komunistët me të cilët ndau burgun. Ata, së paku njihnin ç‘besonin. Përkrahësi i pushtetit sot nuk ka ideal, ndaj vështirë që me të të marrësh kënaqësinë e kundërshtimit argumentativ të dyanshëm. Ai është i zhytur në një zbrazëti të frikshme intelektuale, në paditurinë e thellë të të njohurit të filozofisë politike, reformave të secilit krah, parimeve dhe vlerave politike. Ai nuk rreshtohet si ushtar i pushtetit për bindje ideologjike, e as si pasojë e tërheqjes përkundrejt një programi politik që i përgjigjet vizionit. Për të, përkrahja ndaj pushtetit është institucion i oportunizmit, përfitimeve dhe qëndrueshmërisë ekonomike. Për rrjedhojë, njeriu i zhveshur nga filozofia politike nuk ka pritshmëri për modelin e shtetit në të cilin jeton, aq më pak vizion për të ardhmen e tij. Avokati i djallit do të orvatej ta shpinte këtë pohim në grackë përmes pyetjes: A nuk është ky thjesht kapitalizëm? Orvatje e kotë! Kapitalizmi e lyp deri në dëshpërim lirinë. Ai lulëzon falë lirisë politike dhe ekonomike, falë programeve qeverisëse që manifestojnë sa më pak ndërhyrjet e shtetit në ciklet ekonomike e të tjera mekanizmave të asisojta. As e kundërta, majtizëm, s’mund të jetë asesi, së paku parë në dritën e politikave sociale. Oportunizmi vetjak nuk qëndron në asnjë anë të continuum-it të ideologjive politike, por ulet këmbënkryq në sofrën e konsumit babëzitës pa ndjerë nevojën e të menduarit të tilla çështje.
I heshturi, mjeshtri i artit të të mbijetuarit! Njeriu i zhveshur e ka heshtjen rafinim të mungesës së dëshirës për të shprehur një mendim, një kritikë, një kundërshti, një kërkesë apo – në mos qenë e thënë – një revoltë. Ai jeton në institucionin e heshtjes, brenda të cilit, ai mbijeton falë gjarpërimit në hapësirën e gojës mbyllur dhe çudia vetë është që kjo i shkakton vetëkënaqësi. Ai i njeh vetes zgjuarsinë deri të qenurin “lojtar” me sistemin, me jetën, me vendin. Kushdo që nuk di të heshtë përballë uturimës në humnerën ku kemi rënë, për të është i metë, i mangët, deri thelbësisht idiot.
Gjykatësi i viktimave fajtore! Vetëkënaqësia i ushqen njeriut të zhveshur delirin për t‘u vetëndjerë gjykatës i viktimave fajtore. Për të, – i papuni për motive politike, i pastrehi si kurban i reformave selektive, i arratisuri si pasojë e goditjes pa reshtur për ngjyrim politik, i ndjeri që dha shpirt rrugëve të fshatit ku ishte internuar, i burgosuri i keqtrajtuar si kundërshtar politik, studenti i diplomuar që endet rrugëve duke vuajtur idealin e tij, – të gjithë e të tjerë, janë fajtorë të fatit që kanë gatuar. “Mirë e gjeti! Ç’do që ndihet?! S’diti për vete! Pse merret me politikë, nuk di të shohë hallin e tij?!” – me këto shprehi e përplas çekanin e gjykimit njeriu i zhveshur, duke e thyer në të tilla raste memecërinë e tij. Ai është i larguar nga morali, dinjiteti, besimi. Shpesh, të tillë qasje e kam paralelizuar me një tufë prostitutash luksi, që në paturpësinë e zgjedhjes, i drejtojnë gishtin një studenteje të varfër, apo një nëne që rraskapitet në mjerim. Prostitutat e kanë bindje se përsa kohë zgjidhja për të jetuar mirë është aty, gjithfarë të tjera në mes si morali, dinjiteti, nderi, dija, ëndrrat, synimet, besimi deri ideali, janë dokrra pengesë.
Jetimi! Njeriu i zhveshur është i huaj për gjakun e tij. Ai nuk druhet ta nisë jetën nga hiçgjëja dhe kufizon marrje-dhëniet me ata të dorës së tij. Vëllain, shokun, mikun opozitar, jetimi nuk e njeh. Ai refuzon të njollosë institucionin e heshtjes dhe përuljes duke u përfshirë në marrëdhënie me disidentët, qoftë edhe me koston e të bërit gjakun ujë. Atë që e godet sistemi, njeriu i zhveshur e largon deri në mohim duke bërtitur lakuriqësinë e shpirtit të tij që kutërbon kalbësi oportuniste, jo frikë.
I pavleri, në vetëdije dhe vetëpranim! Rebelimet e heshtura janë fatkeqësi e shoqërive ku zënë vend. Në sofrën tonë, tryezat e mbledhura e të ngushta, rrugicat e mekura nga bisedat e shkujdesura apo anonimiteti i shprehisë në rrjete, pohojnë se ditët po rrokullisin më vrullshëm të ardhmen drejt ferrit të padeklaruar. Kjo është më vrastare sesa do të ishte mosekzistenca e një vetëdije të tillë sepse tregon lehtësinë me të cilën pranohet paaftësia dhe pavlefshmëria si qytetar, si autokton. Njeriu i zhveshur, që vetëm mbytyrazi dhe larg veshëve me rëndësi e pranon bashkëjetesën në ferrin e atdheut, ndjen se është i pavlerë për të sakrifikuar sado pak në vendin e tij.
I paafti dhe i përlyeri! Njeriu i zhveshur e di se nëse uji i turbulluar kullon dhe ai do ta gjejë veten në oqeanin e madh të lirisë, nuk mbijeton dot aty ku s’ka përfitim që vjen nga heshtja, servilizmi, spiunazhi, vetëshitja, vjedhja deri mashtrimi. Vetëdija se në asnjë sistem politik tjetër nuk do të mund të ishte më mirë, i jep forcë që t’i mprehë dhëmbët e mbrojtjes dhe të mbesë ushtar i përbetuar i pushtetit. Si i tillë, ai bëhet djepi që përkund pushtetin, shkrihet me të deri në ngadhënjim dhe mirëpret për përfitim vetjak mëkatet e pushtetit. Thjesht pranuar, njeriu i zhveshur beson tek vjedhja si mekanizëm zhvillimi, po aq sa tek korrupsioni si mjet zgjidhës. Ndërsa vjedh dhe “ngjit” diçka që nuk i përket kudo të mundet, e ndërsa proklamon altruizmin për të ndihmuar cilindo përkundrejt rryshfetit, në çdo punë, në çdo fushë, njeriun e zhveshur e lidh me pushtetin, devotshmëria. Në krejt paditurinë rrëngjethëse të tij, ai ia njeh fytyrën një të vërtete: si i paditur, si i paaftë, si hajdut, si mashtrues, si i pamoral, i paatdhe e i pafe, nuk ka asnjë sistem tjetër në të cilin ai do të mund të lulëzonte më shumë!
Prekja e fundit
Ç‘portret ka skulptura ime? – lus të rreket në kuriozitet ndokush. As rruazat e pafundme të shqipes që dashuroj deri në adhurim, nuk më janë të dobishme për t‘ia gdhendur më në fund edhe portretin njeriut të zhveshur. Dhe ndalem pikërisht këtu ku ndër mend më vjen Amedeo Modigliani, sytë e portreteve të të cilit ishin të shkrehta (bosh), në pamundësinë e vullnetshme të tij për të pikturuar një shpirt që nuk e njihte. Vetëm ky mendim më thotë se do të isha fare mediokre nëse do të portretizoja më tej njeriun e zhveshur. Aty ku shpirti është i zhveshur, s’mund të ketë portret, aq më pak identitet. “Njeriu i zhveshur”, kjo skulpturë (e)pa-fytyrë, monument i gjallë në vendin tim!
Gazeta RD