Nga Ina ZHUPA
Rënia me tre vende e Shqipërisë në renditjen e Reporterëve pa Kufij për lirinë e medias është një kambanë alarmi. Presioni politik ndaj gazetarëve është bërë normë, jo përjashtim. Tashmë vendi ynë renditet në vendin e 83 nga vendi i 80 që ishte në 2025, me 56.5 pikë nga 58.1 pikë në 2025.
Shqipëria po rrëshqet në mënyrë të rrezikshme në lirinë e medias si pasojë direkte e një modeli qeverisjeje që e sheh median si armik për t’u nënshtruar, jo si pushtet për t’u respektuar.
Pavarësia editoriale është goditur përmes kapjes së institucioneve rregullatore dhe kontrollit mbi mediat publike. Gazetarët kritikë sulmohen, etiketohen dhe izolohen, ndërsa qytetarëve u mohohet e drejta për informacion të pavarur.
Vendimi për të bllokuar TikTok në 2025, i shpallur si cenim i lirisë së shprehjes nga Gjykata Kushtetuese, tregoi qartë se kjo qeveri nuk heziton të përdorë mjete ekstreme për të kontrolluar komunikimin publik. Ky nuk ishte thjesht një akt administrativ, por një precedent i rrezikshëm për kufizimin e fjalës së lirë për interesa elektorale.
Gjuha intimiduese dhe fyese e kryeministrit Rama ndaj gazetarëve ka krijuar një klimë frike dhe vetëcensure. Skenat e përjashtimit nga konferencat, si rasti i gazetares Ambrozia Meta, nuk janë incidente të izoluara, por reflektim i një mentaliteti që nuk pranon llogaridhënie dhe refuzon pyetjet që nuk i pëlqejnë pushtetit.
Ndërkohë, raporti ndalet te dhuna policore ndaj gazetarëve gjatë protestave të opozitës, e cila tashmë është prova më e qartë e degradimit të standardeve demokratike. Kur shteti, në vend që të mbrojë gazetarët, ushtron forcë ndaj tyre, atëherë kemi kaluar nga presioni te represioni.
Dëmi që kjo qeveri po i shkakton lirisë së medias është i thellë dhe afatgjatë: dobëson demokracinë, minon transparencën dhe i heq qytetarëve të drejtën për të qënë të informuar.
Gazeta RD