Këtë të mërkurë, në intervistën për News 24, ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, komentoi përplasjen e kryeministrit Edi Rama dhe deputetes Elisa Spiropali, pas qëndrimeve publike të kësaj të fundit.
Milo theksoi se që nga viti 2005 e deri më sot, PS ka kaluar në një fazë ku vendimmarrja është përqendruar kryesisht në duart e kryetarit, duke zbehur rolin e strukturave dhe institucioneve të brendshme.
Sipas tij, organizimi aktual i PS-së ka krijuar një model ku institucionet partiake kanë rol periferik dhe shpesh funksionojnë si fasadë, ndërsa ndikimi kryesor mbetet te lideri. Milo e cilësoi këtë si një formë të centralizimit të pushtetit, që ka ndikuar në dobësimin e demokracisë së brendshme.
“Kjo është histori më vete që ka një të kaluar. PS është transformuar gjatë lidershipit të zotit Rama. Që nga 2005 e deri tani, është një epokë e tërë. Lidershipi i PS, ose institucionet e saj janë rrudhur, nuk kanë ndonjë rol qendror në vendimmarrje, është dukshëm e shfaqur, por kanë rol periferik. Kanë rol thjesht fasadë. Pushteti absolut që ka zoti Rama brenda PS ka diktuar një politikë të atillë që këto institucione ku anëtarë të veçantë nuk kanë rol ose e kanë minimal. Kjo është mënyrë e dukshme. PS sot portretizohet si ekip politik administrativ, si një parti-shtet, që i ka të gjitha hallkat në dorën e saj dhe aty vendos kryetari i partisë. Mund të mos jetë përjashtim, kjo varet.
Nuk dua të hy në detaje. Aty është krijuar një mënyrë qeverisjeje dhe administrimi që lë vend për debat, për ankesa sepse ka humbur koncepti bazë i funksionimit të një partie politike që është demokracia e brendshme. Ka shumë që i dëgjoj që përgjegjësinë kryesore ia japin zotit Rama për atë çka po ndodh në PS, por jam pjesërisht dakord me ta”, u shpreh Milo.
Ai shtoi se përgjegjësia për këtë situatë nuk i takon vetëm Ramës, por edhe figurave të tjera brenda partisë, të cilat, sipas tij, nuk kanë treguar kurajo për të shprehur mendimet e tyre ndryshe, duke mbështetur vazhdimisht lidershipin.
“Për mendimin tim sa përgjegjës është zoti Rama për këtë trajektore të PS nga një parti e hapur në një të mbyllur, përgjegjësi kanë dhe ata të tjerët që vinë rrotull tij. Asnjë prej tyre nuk ka pasur as kurajo dhe as mendësi demokratike europiane për të thënë mendimin e tyre. Duke vlerësuar atë çka po ndodh tani në kuptimin e shprehjes së mendimeve dhe vënien e gishtit te plaga e PS, ata i kanë thurur lavde kryetarit të partisë, e kanë mbështetur atë, kanë qenë pjesë e ekipit për të cilat ata ankohen sot.
Në momentin kur kanë humbur pozicionin në qeveri apo hierarkinë politike të PS, kanë marrë kurajon të vënë gishtin në plagë. Jo se nuk kanë të drejtë, por këto janë probleme të vjetra në PS dhe nuk janë manifestuar tani. Qoftë për zonjën Spiropali apo dhe Braçen apo dhe zëra të tjerë që nuk flasin publikisht. Duhet vepruar me qetësi dhe të kishte më shumë urtësi dhe më shumë kolegjialitet dhe të korrigjohet sa nuk është vonë. Po nisi një lëmsh të shthuret, s`e ndalon dot.
Ajo ç`ka po ndodh, duhet administruar me kujdes. Nuk duhet vlerësuar me zemëratë. Përkundrazi mendoj që do të ishte e udhës të kishte më shumë urtësi dhe më shumë kolegjialitet për të korrigjuar atë cka mund të korrigjohet sa nuk është vonë. Po filloi një lëmsh të shthuret nuk e ndalon dot”, shtoi Milo.
Gazeta RD