Nga Bujar Leskaj
Sot, datë 29 prill 2026 ,zonja fisnike, shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj, në moshën 82 vjeçare, kaloi në përjetësi.
Znj.Vilhelme Vranari Haxhiraj ka qenë themeluese dhe kryetare e parë e LDG- dega Vlorë, 1991- 1998, anëtare e kryesisë së PD Vlorë ,si dhe anëtare e Kryesisë së LDG të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj ka qenë një luftëtare e veçantë dhe stoike e demokracisë dhe e emancipimit, të drejtave të grave, ndërtimit të një shoqërie të mundësive të barabarta, por veçanërisht për 35 vite ka qenë personalitet potent i letërsisë e artit.
Zj.Vilhelme Vranari Haxhiraj ka pasur një jetë jashtëzakonisht të vështirë. E persekutuar nga regjimi komunist ajo u arsimua me shumë vështirësi. Pas shumë peripecish, u diplomua për Histori- Gjeografi, në vitin 1975, por pa të drejtën e ushtrimit të mësuesisë.
Me ardhjen e Demokracisë në vitin 1991, zj.Vilhelme Vranari Haxhiraj filloi të ushtrojë mësuesinë, ndërkohë që të gjitha poezitë, prozat, krijimet e saj të ndrydhura për vite me radhë u shfaqën publikisht dhe në moshën 52 vjeçare, kur botoi dhe librin e saj të parë.
Në nëntor 2005 , në Panairin e Librit kam vlerësuar: “Nëse Gjirokastra ka Musine Kokalarin, qyteti ynë ka bijën e vet, Vilhelmen, të cilën pa druajtje e kam quajtur “Musine Kokalari e Vlorës”.
Me veprën e vet letrare Vilhelme Vranari Haxhiraj solli një origjinalitet të stilit, frazës dhe gjuhës, duke shndërruar në letërsi vuajtjen e një kombi nën regjimin komunist.
Krijimtaria e saj ka përmasat e një drame globale. Përmes saj ajo ka ribërë gjithë këto vite shpirtin e humbur të njeriut dhe të kombit.
Prej vitit 1996 dhe deri në ditën e fundit është marrë me letërsi artistike, publicistikë, ese dhe studime në fushën e historisë dhe të filozofisë.
Tërë krijimtaria e saj përbëhet nga një korpus prej gati 65 veprash të të gjitha gjinive letrare: poezi, prozë, letërsi për fëmijë, studime e libra eseistikë përfshirë edhe publicistikën, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme letrare e artistike.
E vlerësuar me mbi 33 çmime prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare, krijimtaria e saj është përfshirë në 18 antologji në disa shtete. Vilhelma ka qenë një shkrimtare me produktivitet të lartë dhe cilësi artistike, që nuk e lëshoi penën deri në momentet e fundit.
Popullariteti i saj dhe vlerësimi për të nuk është i shtrirë vetëm në qytetin e saj të lindjes Vlorë,por në shumicën e qyteteve të mëdha të Shqipërisë, sikurse ka miq dhe i është promovuar vepra letrare në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e disa shtete të tjera, ku ka marrë dhe çmime ndërkombëtare.
Është vlerësuar nga Presidenti i Republikës në 100 vjetorin e Pavarësisë Kombëtare, viti 2012 me: Urdhërin “Mjeshtre e Madhe” dhe me “Medalje Ari”.
Senati i Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve me seli në New York, i ka akorduar titullin “Akademike”, më 30 tetor 2018, me të drejta të plota.
“Ikonë e Letërsisë Botërore” e ka shpallur Akademia e Shkencave, Letersisë dhe Arteve Indiane, më 25 maj 2020.
“Nderi i Kombit” i është dhënë nga Unioni i Shqiptarëve të Bukureshtit, më 2023.
Ka fituar “Kurorën e Artë të Çmimit Ndërkombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, në Torino, Itali, 18 prill 2009.
Ka fituar “Pena e Kristaltë”, në Suedi, mars 2014.
E vetmja shqiptare, mes 205 fituesve të çmimit të parë, nga e gjithë bota, është fituar në antologjinë poetike, “Premio Internazionale di Poesia ( 2010-2012), Firence-Itali.
Ngushëllimet e mia të sinqerta për këtë humbje të madhe, në veçanti bashkëshortit të saj, fisnikut Fitim Haxhiraj, i cili deri në ditën e fundit i qëndroi pranë zonjës fisnike Vilhelme Vranari Haxhiraj.
Ngushëllime fëmijëve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe dashamirësve. E paharruar, fisnikja, shkrimtarja simbol, Vilhelme Vranari Haxhiraj !
Gazeta RD