Nga Iva V.GRILLO
Mbi 20 vite më parë (rreth vitit 2004), pas një periudhe rreth 2 vjeçare larg, u ktheva në atdhe për të vizituar familjen.
Në një ceremoni universitare në Pallatin e Kongreseve, më qëlloi të takoj një të njohurën time, e cila kishte disa vite që ishte pjesë e skuadrës së kryetarit të Bashkisë Tiranë…
Meqë kisha rreth 2 vite e shkëputur nga Tirana, isha bërë nënë e re e një foshnjeje dhe mbi të gjitha pa ndërveprimin online të kohëve të sotme, me sinqeritet e pyeta të njohurën nëse vazhdonte të ishte akoma në të njëjtin vend pune e si po i shkonte jeta.
Përgjigjia që mora ishte shokuese përsa i përket tonit arrogant, por dhe botëkuptimit: diçka e natyrës që ajo ishte një kockë e fortë dhe nuk kishte njeri që vinte në dyshim karrierën e saj, etj, etj…
U çudita me tonin e saj dhe m’u desh disa herë t’i bëja pyetje vetes se ku e kisha shkelur me pyetjen time…
Por nuk mbaroi me kaq: kjo zonjë funksionare lokale, pasi u ul me pompozitet në karrigen që i ishte caktuar, shkëmbeu një varg fjalësh vulgare me shoqëruesin, i cili dukej si bodyguard apo shoferi i saj ndoshta… fjalë që nuk i bëjnë nder askujt, por sidomos një gruaje ne pozitë shtetërore.
Ky “incident” më mbeti në mend dhe e kam kujtuar shpesh sa herë më dilte përpara në vitet e ardhshme fytyra e saj në parlament, qeveri apo në media. Miq të mi të afërt kanë pasur rastin t’a dëgjojnë nga unë këtë histori sa herë që ka rënë fjala për arrogancën, bullizmin dhe fjalorin vulgar të skuadrës të ish kryebashkiakut dhe më pas të kryeminisstrit Rama…
Por problemi është që këto “incidente” nuk janë më incidente…pra ngjarje që ndodhin rrallë e për mall.
Nga regjistrimet e rrjedhura në rrjet si nga media ashtu dhe nga dosjet e drejtësisë (Veliaj, Balluku, etj), tashmë është e qartë se vulgariteti, arroganca dhe bullizimi janë konstante e komunikimit dhe mënyrës si funksionojnë përfaqësiesit e qeverisë shqiptare, në nivel lokal dhe qëndror…
Prandaj nuk përbën më çudi dhe fakti që Ministri i Jashtëm që duhet të bëjë diplomaci, kapet në komunikime të shkruara me një fjalor jo vetëm aspak diplomatik, por përkundrazi: një fjalor banal e fyes pikërisht për kolegët me të cilët duhet të bashkëpunojë…
Kjo është fytyra e vërtetë e skuadrës së Ramës: arrogantë, të pasinqertë dhe banalë deri në dhimbje…
Dhe fatkeqësisht ky është një nga mëkatet e tyre më të vegjël.

Gazeta RD