Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për këqyrjen e celularëve të sekuestruar në kuadër të hetimeve që po kryhen për Belinda Ballukun, ish zëvendës kryeministres së marrë të pandehur nga SPAK.
Apeli rrëzoi ankimimin e shoqërisë “Senka shpk” për celularët, një nga shoqëritë që u kontrollua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme në kuadër të hetimeve që po kryhen për ish numrin dy të qeverisë.
Kontrollet u kryen në dhjetor 2025 dhe në janar të këtij viti. Gjykata e Posaçme ka urdhëruar në total këqyrjen e 80 pajisjeve.
Një dite më parë u ushtruan kontrolle në 20 ambiente të lidhur me Ballukun. Kontrolle u ushtruan në banesën e Mired Reçit, djalit të tezes së Ballukut, por edhe personave të tjerë të lidhur me të, në kuadër të hetimeve që po kryhen edhe në drejtim të pasurisë.
Mired Reçi, rezulton se qenë ortak me 49% të aksioneve në dy kompani: “XL MARKET” shpk dhe “Hippo Tregu Elektrik” shpk. Ortaku tjetër është Meland Qirko, kunati i zv.kryeministres Balluku, i martuar me motrën e saj, Pamela Qirko. Prokuroria mësohet se ka sekuestruar sërish celularë, dokumenta që sipas Prokurorëve i shërbejnë hetimit të çështjes.
Ndërkohë, po ashtu, SPAK ka dërguar letërporosi në disa vende të BE dhe në SHBA duke kërkuar informacion në lidhje me pasuritë e Belinda Ballukut.
Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë, por SPAK po e heton edhe për procedura të tjera tenderuese, si Lotet e Unazës së Madhe në Tiranë. Po ashtu, ndaj saj, ka nisur edhe një hetim pasuror.
Gazeta RD