Berisha: Shqipëria në epiqendër të samitit të IDU, rezolutë për gjendjen alarmante nën regjimin e Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një intervistë dhënë për gazetarin Klajdi Bodlli, nga Zagrebi ku mori pjesë në samitin e IDU-së, Bashkimit Demokratik Ndërkombëtar, u shpreh se Këshilli Ekzekutiv i këtij institucioni mbajti mbledhjen e tij, ku Shqipëria zuri vendin qendror të diskutimeve.

Berisha, bëri me dije se mbledhja u hap me një rezolutë të posaçme për gjendjen në Shqipëri, rezoluta, e cila ka marrë mbështetjen unanime të të gjitha partive anëtare të IDU-së dhe që trajton një sërë çështjes që shqetësojnë vendin tonë.

Kryetari i PD-së Sali Berisha theksoi se tronditje të veçantë shkaktoi denoncimi i prezantimit në gjyq në kafaz qelqi të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Ilir Meta, duke e krahasuar gjendjen në Shqipëri me atë të vendeve më diktatoriale të Afrikës.

Gjatë intervistës, kryetari i PD-së Sali Berisha shprehu mirënjohje të veçantë ndaj presidentit Harper dhe kryeministrit Penkoviç për mbështetjen dhe pritjen e treguar, duke njoftuar gjithashtu zgjerim të bashkëpunimit bilateral me partitë mike ndërkombëtare.

Prononcimi i kryetarit të PD-së, Sali Berisha:

Klajdi Bodlli: Zoti Berisha ditën e sotme (djeshme), u mblodh Këshilli ekzekutiv i IDU-së. Çfarë u diskutua dhe çfarë vendimesh u morën në ditën e sotme (djeshme)?

Sali Berisha: Përsëri sot (dje), Shqipëria ishte në epiqendër të vëmendjes, mund ta themi, të ekzekutivit të IDU-së, që përbëhet nga kryesia dhe përfaqësuesit, kryetarët e të gjitha partive anëtare.

Mund të them se mbledhja u çel, nisi me një rezolutë për gjendjen alarmante në Shqipëri nga regjimi autokratik i Edi Ramës. Kjo rezolutë, e cila mori mbështetjen e plotë të të gjitha forcave politike anëtare të EDU-së, trajton probleme madhore të Shqipërisë, trajton gjerësisht farsën elektorale, kapjen totale të shtetit nga krimi, banda dhe kartelet e drogës, përqendrimin e të gjitha pushteteve në duart e një njeriu, bllokimin e luftës kundër korrupsionit, ngadalësimin e proceseve të integrimit, për këto shkaqe, mburojën e ngritur ndaj prokurorisë speciale dhe sistemit të drejtësisë për vjedhjet dhe shpërdorimet e ministër, Edi Ramës dhe ministrave të tij, lidhjet e niveleve më të larta të karteleve të drogës dhe krimit me qeveritarët, shndërrimin e Shqipërisë në një parajsë për kartelet e drogës, organizatat kriminale dhe bandat, ndërkohë në një vend të pajetueshëm, që braktiset masivisht nga shqiptarët.

Edhe njëherë, shpreh mirënjohjen më të madhe, të pakufishme, ndaj presidentit Harper, ndaj të gjithë miqve dhe kryetarëve të partive të EDU-së për këtë mbështetje të plotë që i dhanë dhe mund të themi edhe njëherë që mbledhja kryesore, që është samiti i këtij samiti, u çel me rezolutën për Shqipërinë.

Pati, sigurisht, rezoluta të tjera për Tanzaninë, për Iranin, por ajo që ishte specifike, sepse Shqipëria, njëlloj si Tanzania, njëlloj si vendet më të diktatoriale të Afrikës, është vend i të burgosurve politikë, i të përndjekurve politikë, tronditje krijoi, krijoi denoncimi që ne bëmë i paraqitjes në sallën e gjyqit në kafaz të qelqtë i ish-kryeministrit, ish-presidentit dhe ish-kryetarit të parlamentit të vendit, Ilir Meta.

Pra, ishte një samit jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shqipërinë, për opozitën shqiptare dhe për shqiptarët. Ndërkohë, mund të them se punimet dy, tre ditore, tre ditore të këtij samiti të, ëh, IDU-së, ishin përsëri shumë të dobishme.

Unë isha në një panel kushtuar zgjerimit dhe në këtë panel kushtuar zgjerimit, unë pata mundësi të ekspozoj plotësisht problemet madhore me të cilat haset procesi i zgjerimit në Shqipëri dhe në rajon.

Theksova se farsa elektorale, përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë, përcaktimi i rezultateve të zgjedhjeve nga kartelet e drogës dhe organizatat kriminale, bllokimi i sistemit të drejtësisë, mbrojtja e Ballukut, AKSHI-t dhe afera të tjera, por edhe nismat aberative, Tiranë-Beograd, duke filluar që nga ndryshimi i kufijve dhe ndarja e Kosovës, duke vazhduar me Ballkanin e Hapur dhe tani së fundi me letrën e publikuar nga binomi, Vuçiç-Rama për të kërkuar jo anëtarësim të plotë dhe dinjitoz, por të dorës së dytë, pra vetëm tregti të lirë dhe lëvizje të lirë, janë faktorë jashtëzakonisht negativë në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian në rajonin tonë.

Sikundër garantova se Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet një promotor i fuqishëm i proceseve të integrimit evropian. Jam njoftuar dhe kam patur, kemi patur takime të vazhdueshme, edhe njëherë mirënjohjen më të thellë kryeministrit Plenkoviç për pritjen e përzemërt.

Në takimin e përzemërt që organizoi, pritjen e përzemërt që shtroi mbrëmë për të gjithë delegacionet, presidentit Harper, për kujdesin e veçantë që tregoi dhe interesin e veçantë që tregoi për Shqipërinë, takime të tjera me kryetarët e partive, me ministra të jashtëm, takime në të cilat ne ramë dakord që të të zgjerojmë bashkëpunimin bilateral dhe në kuadrin e kësaj organizate multi, multilaterale në interesin më të mirë të opozitës shqiptare.

Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Berisha lexon rezolutën e fortë të IDU: U miratua me unanimitet, Shqipëria ishte në krye të axhendës!

Berisha: Mirëdita dhe përshëndetje të përzemërt të gjithë ju qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë …