Boçi-Ramës: Agjencia e Shërbimeve Arsimore përdoret për klientelizëm privat, jo për qytetarët!

Nënkryetari i PD, deputeti Luçiano Boçi, gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit u shpreh se Agjencia e Shërbimeve Arsimore nuk është “institucion amerikan”, siç pretendoi kryeministri, por një strukturë private klienteliste e kontrolluar nga ministria aktuale e Arsimit.

Ai publikoi para deputetëve një letër të Ambasadës Amerikane, ku sqarohet se Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) është i pavarur dhe nuk i nënshtrohet mbikëqyrjes së Departamentit Amerikan të Shtetit.

Boçi kritikoi qeverinë për keqinformimin e publikut dhe ironizoi krahasimin e saj të Agjencisë me NASA-n, duke e cilësuar si një absurditet të papranueshëm dhe pjesë të një narrativi politik për të deformuar realitetin.

Luçiano Boçi: Atëherë, zoti Shehaj po kërkon thjesht zbatimin e rregullores, të njëjtën gjë që unë kërkova në seancën e kaluar, ku mora “peshqesh” edhe përjashtimin nga seanca. Dhe iu referova kësaj sepse sigurisht kisha për të bërë një replikë shumë të rëndësishme.

Nuk kisha ndërmend të rikthehesha për atë replikë, por kam dëgjuar kryeministrin dje, i cili në një takim shumë krenar përcaktonte se Agjencia e Shërbimeve Arsimore tani më është bërë një institucion amerikan. Është pushtuar nga amerikanët, sipas tij, dhe ne “anti-amerikanët” e kemi kundërshtuar një gjë të tillë.

Dhe në fakt këtu ka një përgjigje të ambasadës amerikane në lidhje me AADF-në. Dhe përgjigja është shumë e saktë dhe shumë e qartë. Kërkesa është nga një qytetare e Durrësit, e interesuar në fakt për projektin TID, dhe kërkon të dijë nga ambasada statusin e AADF-së.

Dhe qartazi, në shkresë, në përgjigjen e ambasadës amerikane përcaktohet: “Ju bëj me dije se AADF-ja është një institucion i pavarur, mbi të cilin Departamenti i Shtetit nuk ka asnjë rol mbikëqyrës.” Ja ku është përgjigja.

Prandaj, lërini përrallat me amerikanët në qeverinë amerikane që janë futur në arsimin shqiptar dhe që kanë marrë në dorë Agjencinë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, sepse thjesht e ka marrë një privat klientelist i ministres aktuale të Arsimit.

Dhe të vijë një privat, i cili mund të jetë edhe gjerman edhe amerikan, dhe të thuash që agjencia sot drejtohet nga amerikanët, ky është absurditeti më i madh. Dhe bravo i qoftë atyre drejtuesve të agjencisë që kanë mbrojtur të paktën atë frymën kombëtare që dje kryeministri e stigmatizoi.

Sepse kjo është shumë e thjeshtë: po blen një teleskop në Arizona, Arizona është qendra e NASA-s, e çojmë në Elbasan dhe i themi gjithë Shqipërisë se kemi sjellë NASA-n te Ura e Zaranikës në Elbasan. Kjo që bëni ju është krejtësisht e turpshme dhe e papranueshme.

About Redaksia

Check Also

Tabaku: Nafta, më e shtrenjta në rajon! Çmimet e larta po rëndojnë xhepat e qytetarëve!

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë se po bashkëpunon me oligopolet për të …