Nga Bislim AHMETAJ

Një besimtar mysliman kish dalë në pazar të gjasë së gjallë me ble një dash për Kurban Bajram.
Ishte fukara i shkreti dhe me zor i kishte mbledhë ato pare.
Bani ç’bani dhe e bleu dashin, por dashi kish qëllue delenxhi e lazdran.
Tërhiq e bertit, prapë s’ecte.
— Ec, ec o thi! — i bërtet i nervozuem.
Për sherr, aty pranë gjindej një hoxhë.
— E ke ba haram dashin e kurbanit! I ke thanë thi, tash duhet me e lëshue.
— Mos bre hoxhë, se jam fukara e me zor i kam mbledhë ato pare…
— Nuk ban! Duhet me e lëshue në vend.
I ngrati e lëshon dashin dhe merr borxh te një i njohur sa me ble një qingj të vogël, sa për shenjë kurbani.
Po edhe qingji kish qëllue mrapshtan, tamam si i pari.
Dhe besimtari, tue hangër buzën me dhamë, bëlbëzonte me veti:
— Ec, ec… se pasha Allahun edhe ti krejt si ai që lëshova je… po s’ta them dot se s’kam ma pare!
M’u kujtue kjo histori kur pashë dje deklaratat e përsërituna të Berishës për ambasadorin e BE-së, Gonzato, dhe pastaj breshërinë e reagimeve në mbrojtje të tij nga diplomatët europianë në Tiranë.
Dhe unë që po mendojsha me i thanë Doktorit:
— Doktor, ma mirë kaloje nëpër dhambë mendimin që ke për z.zj Gonzato… se ai i njëjti ka qenë edhe para dy muajsh, i njëjti është edhe sot, e derisa t’i mbarojë mandati apo ta ndërrojnë, i tillë ka me mbetë…
Gazeta RD