Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me përjashtimin e kompanive të Bashkimit Evropian nga procedurat e tenderave në Shqipëri, duke e cilësuar këtë si një akt të rëndë dhe të papranueshëm që po kalon në heshtje.
Lideri i opozitës tha se, në kohën kur ai ishte në drejtim të qeverisë, të gjitha rrugët kryesore të vendit janë ndërtuar nga kompani të njohura evropiane dhe amerikane, përmes garave të hapura ndërkombëtare dhe duke u përzgjedhur oferta më e leverdishme për taksapaguesit shqiptarë.
Berisha: Më duhet të them, dhe shpreh keqardhje të madhe, se për këtë akt të rëndë, ka një heshtje.
Dhe kjo heshtje është e papranueshme.
Pse kjo heshtje është e papranueshme?
Sepse kjo Shqipëri ka një eksperiencë.
Cila është kjo eksperiencë?
Nga Hani i Hotit në Kakavijë, të gjitha akset kombëtare rrugore janë ndërtuar nga kompani evropiane ose amerikane më të njohura.
Kanë fituar tenderat, edhe ndërkombëtarë ka prej tyre, absolutisht jo duke diskriminuar kurrë kompanitë shqiptare, por duke qenë i drejtë.
Në emër të interesit të taksapaguesve shqiptarë është zgjedhur gjithnjë oferta më e leverdishme.
Rruga Hani i Hotit- Shkodër është ndërtuar nga kompani italiane e mirënjohur.
Bechtel Enka ndërtoi Rrugën e Kombit.
Rruga Lushnje- Fier është ndërtuar nga kompani italiane e njohur.
Rruga Levan- Vlorë nga dy kompani të njohura.
Autostrada Tiranë- Elbasan nga një prej kompanive më të mëdha të Greqisë, Aktor.
Rruga Levan-Tepelenë-Memaliaj nga Todini, një nga kompanitë më serioze italiane.
Rrugët e ndërtuara nga këto kompani sot pas 15 vitesh qëndrojnë pa asnjë problem.
Ndërsa të gjitha rrugët e ndërtuara nga klientela Rama-Balluku janë shembur, po shemben sikur të ishin ndërtime kashte.
Por nga ana tjetër, pra, ky është një shkelmim i interesave të taksapaguesve shqiptarë.
Unë e kam denoncuar me dhjetëra herë, ju jeni dëshmitarë këtu.
Si i përjashtonin?
Ua them unë. Aplikoni në e-Albania. U kërkohej kompanive evropiane dhe të tjerave të aplikonin në e-Albania.
Aplikimi në e-Albania kishte një kohëzgjatje 38 ditë, në një kohë kur tenderat grabiteshin në një kohë 34 ditë.
E kuptoni ju se si Republika e Shqipërisë që ishte frontrunner në procesin e integrimit, përjashtonte të gjitha kompanitë e vendeve anëtare të BE me një diskriminim kriminal dhe me pasoja shumë të rënda për qytetarët shqiptarë.
Sepse ja ku janë punimet e kompanisë së klientelës.
Flet vetë.
E kishte tmerr, nuk e paraqiti dje.
Është statistikë evropiane kjo.
Gazeta RD