Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për Reformën në Drejtësi, duke e bërë atë përgjegjës për dështimin e saj.
Në reagimin e tij, Bardhi thotë se Rama, për herë të parë, ka pranuar publikisht se Reforma në Drejtësi ka dështuar, por sipas tij, kryeministri ka shmangur përgjegjësinë për shkaqet që kanë çuar në këtë situatë.
Reagim i Bardhit
Edi Rama, për herë të parë, foli për DËSHTIMIN e Reformës në Drejtësi. Por, si gjithmonë, refuzoi të flasë për përgjegjësinë e këtij dështimi dhe për arsyet që e kanë sjellë atë.
Për këtë dështim ka një përgjegjës dhe ka një arsye të qartë: vullneti i Edi Ramës për të kontrolluar të gjitha pushtetet, përfshirë edhe pushtetin gjyqësor.
Është evidente se shqetësimi i qytetarëve nuk është se çfarë mendon Edi Rama për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Shqetësimi real i shqiptarëve është se drejtësia nuk po jepet në kohë. Qytetarët presin me vite për një vendim, për një të drejtë, për një përgjigje.
Por Edi Rama refuzon të flasë për këtë, sepse ai nuk është shqetësuar kurrë për hallet dhe problemet reale të shqiptarëve. Për të, drejtësia nuk është një e drejtë e qytetarëve, por një instrument pushteti.
Reforma në Drejtësi nuk mund të quhet sukses kur qytetarët vazhdojnë të presin drejtësi dhe kur pushteti politik kërkon të kontrollojë çdo hallkë të saj. Ky është dështimi për të cilin Edi Rama duhet të japë llogari.
Gazeta RD