Nga Franci NURI
Pagat e gjyqtarëve, prokurorëve, OPGJ-ve dhe administratës gjyqësore vijojnë të mbahen të bllokuara, ndërsa Qeveria po zgjedh qartësisht të fitojë kohë.
Dalja e Ministrit të Drejtësisë Toni Gogu sot, ishte shumë domethënëse: në vend që të kërkohet zhbllokimi i menjëhershëm i pagave dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përgjegjësia zhvendoset te Kuvendi. Pra: prisni 8 shtatorin, prisni ligjin, prisni shumicën socialiste.
Edhe lëvizja e Niko Peleshit shkon në të njëjtin drejtim. Çështja po çohet drejt një ndërhyrjeje të re ligjore, me rrezikun real që mazhoranca të miratojë formulën që i intereson vetë dhe jo të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në frymën dhe përmbajtjen e tij.
Kjo nuk është më thjesht çështje pagash. Është çështje e shtetit të së drejtës edhe forcës së Drejtësisë.
Shqipëria kërkon anëtarësimin në Bashkimin Europian. Pikërisht Grupkapitulli i I-rë i negociatave, “Themeloret”, vendos në zemër të procesit funksionimin e shtetit të së drejtës, pavarësinë e drejtësisë dhe respektimin e vendimeve gjyqësore nga vetë institucionet shtetërore.
Sot kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe një shtet që, në vend që ta zbatojë, po kërkon kohë dhe një rrugë tjetër politike. Kjo duhet të ngrejë alarm këtu por edhe në Bruksel.
Duhet të informohen institucionet e Bashkimit Europian, përfaqësitë diplomatike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë partnerët e donatorët që kanë investuar politikisht dhe financiarisht në Reformën në Drejtësi.
Ndërkohë, magjistratët vazhdojnë të diskutojnë mes tyre, por ende pa një reagim të unifikuar dhe proporcional me seriozitetin e situatës. (Mos vallë janë në ëndërr e s’po kuptojnë që « ujku » i ka kafshuar…?)
Kur ekzekutivi mban të bllokuara pagat dhe shumica parlamentare përgatitet të “rregullojë” me ligj atë që ka vendosur Gjykata Kushtetuese, heshtja nuk është më maturi institucionale.
Është koha që magjistratët të mbrojnë pagat e tyre, por edhe shtetin e së drejtës.
Gazeta RD