Kristi Meshini: Përshëndetje Doktor! Herën e fundit në protestën e 8 majit, rrugës për tek Ministria e Brendshme kam ngrënë një plumb gome në këmbë që më mbeti shenjë për dy ditë, tre presione uji përballë në trup dhe në fund u larguam të gjithë të qetë. Sa kohë do kemi këto skenare sepse kryetarët e degëve janë zgjedhur dhe janë rizgjedhur, ama në situata të tilla qëndrojnë nga fundi i protestës së bashku me disa deputetë? Sa kohë do të vazhdojmë luftën me topat e ujit dhe gazin lotsjellës pa pasur asnjë zhvillim? A ka ndonjë skenar ku një pjesë e juaja të bëjë grevë urie në parlament dhe pjesa tjetër të bëjë protesta njëkohësisht? Mua personalisht Rama më ka replikuar në një podcast live ku më fton të jem pjesë e partisë së tij. Por më thoni ju pse nuk duhet të ndjek atë parti dhe të kap edhe unë një post apo rrogë, por të përballem me ujin dhe gazin lotsjellës asnjë rezultat? Çfarë garancie apo sigurie u jepni demokratëve dhe qytetarëve që dalin në vijën e parë në çdo protestë dhe përballen me këto veprime?
Sali Berisha: Të falënderoj për mesazhin, por do shtroja një kërkesë ndaj teje. Imagjino pak se, në rast se nuk do ishin këto kryengritje paqësore, si do ngjante Shqipëria. Si do u dukej shqiptarëve dhe botës ky vend i poshtëruar dhe nënshtruar nga një bandë hajdutësh?
Unë të falënderoj shumë ty për pjesëmarrjen në protestë, por të ftoj të qëndrojmë të pamposhtur.
Është e vërtetë që ke ngrënë plumb gome në këmbë, të tjerë e kanë marrë në kokë.
Është e vërtetë që ke marrë topa uji, gazi apo të gjitha të tjerat, por të gjitha i ke marrë duke mbrojtur një çështje të drejtë të vendit tonë.
A do mund të quheshim opozitë në qoftë se do heshtnim para këtyre zhvillimeve katastrofale për vendin?
A nuk është opozita një mision për t’u përballur dhëmb për dhëmb?
A nuk patën tetë kryengritjet tona paqësore jehonën më të madhe planetare?
Ndaj dhe unë mendoj se duhet t’i shohim në këtë kahje. Nuk arritëm qëllimin, e kam theksuar dhe e theksoj, kryengritja paqësore nuk e ka efektin e menjëhershëm, por kemi arritur shumë.
Kemi mbrojtur nderin dhe dinjitetin e shoqërisë shqiptare para mbarë botës, që nuk pajtohet me vjedhjet nga qeveritarët.
Nuk pajtohet me narkoshtetin.
Kjo është një betejë në vazhdim.
Kemi arritur që të damkoset ky regjim si autokraci elektorale.
Kemi arritur me qëndresën tonë, që në raportin e fundit të Parlamentit Evropian, të shkruhet e zezë mbi të bardhë se në zgjedhjet në Shqipëri u shua linja midis institucioneve shtetërore dhe atyre partiake.
Unë mendoj se nuk duhet t’i shohim gjërat bardh e zi.
Duhet të refuzojmë propagandën zjarrfikëse të qeverisë.
Mund të organizohet më mirë protesta, por protestat kanë pasur efekt të jashtëzakonshëm.
Protestat bënë që Edi Rama të jetë në rrethin e kuq, të udhëtojë i plagosur.
Të jesh i sigurt se nëse nuk do protestoje ti me shokët e tu, teza se shqiptarët janë të mbrujtur me korrupsionin, ndaj Rama e mbron Ballukun se qytetarëve nuk u bën përshtypje, tezë ndër më poshtërueset për një komb, do bëhej mbizotëruese.
Nëse nuk ishin kryengritjet tona paqësore, AKSHI do lihej në harresë.
Por ne vazhdojmë, pavarësisht se ai largoi Lubinë, pavarësisht se ai vendosi AKSHI-n përsëri në kontroll të plotë të familjes së tij, unë besoj se për çdo opozitar, në kushtet e diktaturës, duhet të falenderojë Zotin që mund t’i qëndrojë asaj.
Natyrisht, ka edhe një rrugë, heshtja. Por heshtja është mbështetja më e madhe që mund t’i jepet diktaturës.
Ata që heshtin, ata pavarësisht se e duan apo nuk e duan regjimin, por ata ndihmojnë regjimin dhe ky regjim nuk e meriton të qëndrojë 24 orë.
Gazeta RD