Këlliçi: 4 miliardë euro për rrugë dhe sërish trafik kilometrik

Deputeti i PD, Belind Këlliçi ka reaguar lidhur me trafikun dhe gjendjen e infrastrukturës rrugore në vend, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe keqmenaxhim të investimeve publike.

Sipas Këlliçit, qytetarët shqiptarë po përballen çdo ditë me radhë kilometrike në akse të ndryshme rrugore, duke përmendur daljen nga Tirana, hyrjen në Elbasan dhe kalimin në Lezhë.

Sipas tij, kjo situatë është kthyer në një problem të vazhdueshëm prej 13 vitesh dhe shkak për këtë është bërë sipas tij grabitja që u bëhet taksave të shqiptarëve nga pushteti.

“Radhë kilometrike duke dalë nga Tirana. Radhë kilometrike për të hyrë në Elbasan. Radhë kilometrike për të kaluar Lezhën. Radhë kilometrike në fundjavë. Radhë kilometrike në ditë të zakonshme jave. 

Ky është ferri që kalojnë qytetarët prej 13 vitesh me radhë edhe pse rreth 4 miliardë euro kanë shkuar vetëm për rrugët që kur Edi Rama nisi qeverisjen e deri më sot.

Çdo vit është rritur buxheti për rrugët, çdo vit Edi Rama dhe Belinda Balluku kanë shtuar qokat dhe pasurimin e tyre.

Nuk ka nevojë të jesh specialist për të llogaritur se me kaq shumë para të buxhetit të shtetit do të ishin ndërtuar rreth 400 kilometra autostradë e kategorisë A, që për Shqipërinë tonë të vogël do të mjaftonin për të zgjidhur një herë e mirë problemin e infrastrukturës.

Por taksat e qytetarëve janë vjedhur. Ndaj kilometri ka shkuar deri në 20 milionë euro, ndaj dhe janë ndërtuar rrugë të kushtueshme, të panevojshme dhe që kanë rënë 1 muaj pas inaugurimit.

Fotot që vijnë sot nga tortura e qytetarëve të mbërthyer si në çark, në dalje të tunelit të Elbasanit për më shumë se 2 orë, janë dëshmia e korrupsionit të lartë dhe e qeverisjes së keqe.

Edi Rama mund të jetë duke dhënë leksione në Azi për demokracinë, por rrethrrotullimi i Bradasheshit është çjerrja e propagandës, e fasadës e hipokrizisë së një Kryeministri të zhytur në afera, i cili nuk ofron zgjidhje por tallje për qytetarët”, shprehet Këlliçi.

About Redaksia

Check Also

Ndreca drejt burgut, Gjykata rrëzon kërkesën për pavlefshmëri të përgjimeve

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë rrëzoi të martën më 19 maj përmes një …