Një qytetar nga zona e Dajçit në Lezhë ka denoncuar Bashkinë Lezhë, pasi strukturat e saj kanë shkulur dhe shkatërruar disa ullinj në një sipërfaqe toke që familja e tij e ka shfrytëzuar prej shumë vitesh.
Bardhok Jaku shprehet se ndërhyrja është kryer pa asnjë njoftim paraprak dhe në mënyrë që ai e cilëson të dhunshme.
“Ne denoncojmë Bashkinë e Lezhës. Unë jam Bardhok Jaku, prej Dajçit të Zadrimës. Jam banor i Lezhës. Këtu ka ardhur bashkia dhe pa më lajmëruar, pa asgjë më ka prishur ullinjtë.
Përse dhe për çfarë, nuk e di. Me urdhër të kryetarit të bashkisë, Pjerin Ndreu. Unë dua t’i kërkoj llogari atij se çfarë ka bërë. Çfarë është ky ligj këtu? Ku e ka këtë ligj ky?
Para shkuljes së pemëve nuk kemi marrë asnjë njoftim, asnjë gjë, veç kur ka ardhur kam qenë nëpër ara duke punuar. Më ka thënë gruaja hajde në ara se t’i kanë shkulur ullinjtë krejt, me gjithë gardhiq. Dokument zyrtar nuk ka paraqitur.
Nuk është hera e parë, po është hera e pestë që vjen këtu, shkulin ata, unë mbjell.
E gjitha kjo me me urdhër të kryetarit të bashkisë. Te bashkia kemi qenë, kryetari i bashkisë na ka thënë “do e zgjidhim këtë punë”.
Kanë kaluar vite, nuk e ka zgjidhur këtë problem” rrëfeu banori.
Sipas tij, aksioni është zhvilluar me urdhër të kryetarit të Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, duke i shkaktuar familjes një dëm të konsiderueshëm ekonomik.
Qytetari kërkon sqarime nga Bashkia pasi veprimet e ndërmarra përbëjnë shkelje dhe abuzim me pronën që ai e ka përdorur prej vitesh.
Gazeta RD