PD ka prezantuar ditën e sotme Departamentin e Inteligjencës Artificiale, si një nga format inovative për përmirësimin e strukturave, organizimit dhe komunikimit brenda partisë.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD, Sali Berisha, u shpreh se Edi Rama dhe Haram Begaj janë “sharlatanët më të mëdhenj të epokës së urtësisë artificiale”.
Ai theksoi se vendi ndodhet në një epokë teknologjike të fuqizimit të mendjes dhe se përdorimi i inteligjencës artificiale duhet të jetë i lidhur ngushtë me demokracinë dhe shtetin ligjor.
Berisha përmendi gjithashtu Mira Muratin, arkitekte e ChatGPT, si shembull të avantazheve të kësaj epoke, ndërsa kritikoi udhëheqësit aktualë për mungesë vizioni dhe kompetence.
Berisha: Mirëmbrëma dhe një përshëndetje shumë të përzemërt.
Një falënderim të përzemërt për Denisën, për ekspozenë e saj të shkëlqyer, Florianën për moderimin e këtij takimi për një zhvillim shumë të rëndësishëm.
Ne sot, të gjithë sa jemi këtu, jemi banorë të një epoke të re.
Jemi të gjithë qytetarë të epokës së urtësisë artificiale. Unë do ta quaj urtësi se është fjalë shqip.
E vërteta është se në qoftë se revolucionet teknologjike kanë çelur epoka në historinë e njerëzimit, urtësia artificiale ka çelur epokën e saj, por ajo nuk është e ardhmja, ajo është e sotmja, ajo jemi ne, janë smartfonët tanë, i kemi këtu aplikacionet, është përdorimi i saj.
Pra ne jemi banorë të një epoke, e cila në rrafshin teknologjik është padyshim epoka më e ndritur e njerëzimit.
Në qoftë se, po të marrim revolucionet teknologjike, me revolucionin e makinës së avullit, me elektricitetin, njeriu shumëfishoi forcën e tij fizike, me revolucionet e mëvonshme, me revolucionin dixhital krijoi epokën e re të komunikimit.
Kurse me epokën e urtësisë dixhitale krijoi epokën e fuqizimit të mendjes dhe trurit të tij.
Nuk ka pasur kurrë një epokë interesante si kjo.
Pak për hyrje, se ne shqiptarët kemi një koincidencë fatlume në këtë epokë.
Njëri nga personalitetet më të rëndësishme të saj është një vajzë nga Vlora, e famshme sot në më të famshmit e teknologjisë në botë, Mira Murati, arkitekte e ChatGTP.
Por në antitezë, ne kemi edhe dy sharlatanët më të mëdhenj në botë të epokës së urtisë artificiale, që e kanë emrin Edi Rama dhe Haram Begaj.
Janë këta sharlatanë të kësaj epoke, që emëruan ministren e parë bot, në trupin e të cilës pas kontrollit nuk u gjet qoftë dhe një qelizë e vetme urtësi artificiale.
Për t’u bërë të famshëm si kryesharlatanët e kësaj epoke.
Dhe kjo është jashtëzakonisht keq.
Kjo tregon, e tha Denisa, në fund të fundit, liderët e ardhshëm të kësaj epoke do jenë liderët të cilët janë armatosur me të gjithë avantazhet e saj.
Avantazhe të jashtëzakonshme në qoftë se ato përdoren në përputhje me rregulla të caktuara, në kuadër gjithnjë të një shteti ligjor.
Rregullat më kryesore për ata që drejtojnë, për ata që merren me politikë, që duhet të përcaktohen në përdorimin e saj, duhet të jenë ato të funksionimit të demokracisë dhe shtetit ligjor.
Gazeta RD