Deputeti i PD, Tritan Shehu, gjatë fjalës së tij në Kuvend u shpreh se, mazhoranca po mban peng rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë.
Ai akuzoi qeverinë se po mbron korrupsionin galopant dhe po pengon punën e SPAK-ut. Shehu paralajmëroi se çdo devijim nga implementimi i reformave thelbësore do të ketë pasoja të drejtpërdrejta për vendin.
Opozita, tha ai, nuk do të lejojë që interesat klienteliste të mbiçmohen mbi interesin kombëtar. Rruga drejt BE-së, theksoi Shehu, është e shenjtë dhe nuk mund të komprometohet nga qeverisja aktuale.
Tritan Shehu: Forca më integruese në Evropë, në Shqipëri, është padyshim Partia Demokratike. Jemi ne që jemi këtu që përfaqësojmë Partinë Demokratike. Jemi ne që, në dhjetorin e ’90-ës, kërkonim e duam Shqipërinë si e gjithë Evropa. Jemi ne ata që hapëm rrugët e integrimit, që afruam Shqipërinë me Evropën, e bëmë atë anëtare të NATO-s kur Berisha ishte kryeministër, me presidentin Bush në Tiranë. Është Partia Demokratike ajo forcë e cila, në të gjithë qenien e saj, historinë e saj, qelizat e saj, është thellësisht properëndimore, proevropiane, pa asnjë alternativë tjetër. Ne nuk shikojmë në lindje. Ne nuk shikojmë që, nëpërmjet Tregut të Ballkanit të Hapur, të hyjmë në tregun euroaziatik të Rusisë. Ne nuk shkruajmë artikuj me Vuçiçin së bashku. Ne shkruajmë historinë evropiane të Shqipërisë dhe zhvillimin evropian të Shqipërisë.
Prandaj, për ne, shumë e rëndësishme është rruga e integrimit evropian; është jetike për Shqipërinë. Pse Shqipëria, në historinë e saj të kaluar dhe të sotme, flet që nuk ka rrugë tjetër tek esenca e kombit shqiptar në mënyrë reale dhe të vërtetë, pa integrimin evropian. Ju jeni ata që keni penguar; ju jeni ata që keni bllokuar. Ju jeni ata që, në ’92-shin, kërkonit të bllokonit procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, që kërkonit të bllokonit anëtarësimin dhe afrimin e Shqipërisë në NATO në vitet e partneritetit për paqe. Ju jeni ata. Ju jeni ata që bllokuat edhe statusin e kandidatit me ato tre ligjet e famshme për Fierin; ju kujtohen vetë, që ishin ato tre ligjet, pra keni kërkuar gjithmonë të bllokoni. Dhe sot po e bllokoni.
Kalimi i raportit sot sjell një pyetje të madhe: Pse u vonua disa muaj? Pse është vonuar? Pse ju bëtë të gjitha përpjekjet për të obstruksionuar këtë proces apo për të deformuar atë proces në bazë të parimeve të artikullit Rama-Vuçiç, për t’ju pranuar si regjim brenda hapësirës demokratike evropiane? Ju dështuat. Por ama keni krijuar një dëm të madh Shqipërisë, sepse raporti i sotëm, i dalë sot, është jashtëzakonisht më problematik për Shqipërinë sesa ai i janarit. Është jashtëzakonisht më problematik. Është shumë herë më i ashpër se raporti i janarit. Sepse raporti i sotëm bën akoma më të vështirë rrugën tonë evropiane dhe integrimin e plotë evropian të Shqipërisë për vetë problemet e mëdha që ai ngrit, të cilat lidhen qoftë me jofunksionimin e shtetit, që thuhet qartësisht në atë raport, qoftë me faktin se në janar flitej për progres, ndërsa sot ashpërsohen termat dhe nuk flitet për progres.
Pra, situata jonë sot është më e vështirë si Shqipëri sesa në janar, dhe kjo na dhëmb neve, na dhëmb shumë, pavarësisht se faji dhe përgjegjësia është obstruksionizmi i qeverisë. Por ama është një gjë: është një element që e pësojnë të gjithë shqiptarët. Është një element i cili rëndon në qafën e të gjithëve shqiptarëve.
Për herë të parë, në atë raport sot flitet për obstruksionizëm të drejtësisë nga politika, nga personalitetet e larta politike. Dhe po përmendet për herë të parë direkt SPAK-u, që po pengohet nga ju dhe nga qëndrimet tuaja politike në zbatimin e drejtësisë. Dhe ju tregohet se ç’është imuniteti evropian dhe perëndimor. E keni të shkruar atje. Lexojeni, jua shpjegojnë çfarë është. Dhe kërkohet të respektohen rekomandimet e Komisionit të Venecias, sepse rruga evropiane është e tillë.
Rruga evropiane nuk kalon nëpërmjet korrupsionit galopant. Rruga evropiane nuk kalon nëpërmjet proteksionit të korrupsionit galopant nga linjat politike të mazhorancës me votë në parlament. Prandaj, kjo krijon padyshim një reaksion të thellë negativ tek partnerët tanë. Krijon një reaksion shumë të vështirë, shumë të thellë. Nëse në raportin e majit… e janarit, më falni, thuhej që korrupsioni është shqetësues, sot thuhet që është një shqetësim vendimtar. Pra, jemi në një gradë shumë më të lartë reaksioni të Bashkimit Evropian ndaj progresit negativ të Shqipërisë dhe ndaj thellimit të korrupsionit në Shqipëri.
Flitet për zgjedhjet. Ju përmenden rekomandimet e OSBE/ODIHR-it që duhet të realizohen. Ju përmenden rrjetet e patronazhimit që nuk duhet të influencojnë. Ju përmendet mospërdorimi i shtetit dhe i burimeve shtetërore për qëllime politike, pikërisht atë që ju bëtë në fushatat elektorale, në zgjedhjet elektorale të kaluara, dhe që jua përmend raporti i ODIHR-it. Ju përmenden të gjitha këto elementë.
Gazeta RD