Deputetja e PD, Ledina Aliolli ngriti alarmin për zbrazjen e Shqipërisë, duke e vënë theksin te të rinjtë që nuk duan të kthehen më në vendlindje.
Në një deklaratë për mediat nga kryesia e Kuvendit, ligjvënësja demokrate tha se shpopullimi po shkatërron ekonominë, ndërsa fenomeni po kthehet në një plagë sociale.
Teksa iu referua të dhënave të publikuara nga Eurostat për vitin 2025, ku Shqipëria regjistroi rënien më të lartë të popullsisë në rajon, me një tkurrje prej rreth -1.2%, të ndikuar kryesisht nga emigracioni dhe ulja e lindshmërisë, Aliolli tha se shifrat nuk janë më thjesht statistika të ftohta në raporte zyrtare, por kambana alarmi për të ardhmen e Shqipërisë.
Deklarata
Shqipëria po zbrazet çdo ditë, teksa të rinjtë ikin dhe nuk kthehen më.
Ky fakt nuke nuk është retorikr politik e opozites por një alarm kombëtar që po konfirmohet nga vete isntituciont shteterore si INSTAT, apo nga Eurostat, dhe nga raportet e tjera nderkombetare.
Sot, vendi ynë ndodhet përballë një krize të thellë demografike dhe sociale, një plage të heshtur që po godet qytetet dhe fshatrat, po dobëson ekonominë dhe po rrezikon vetë ekzistencën e së ardhmes sonë si komb.
Raportet e fundit ndërkombëtare dhe analizat për Ballkanin Perëndimor tregojnë qartë se Shqipëria vijon të mbetet ndër vendet më të prekura nga emigracioni dhe plakja e popullsisë. Sipas analizave të publikuara për rajonin dhe të cituara nga Ëorld Bank, Shqipëria rezulton me emigracionin neto më të lartë në Ballkanin Perëndimor. Janë rreth 24 mijë persona më shumë që largohen sesa ata që rikthehen në vendin tonë.
Ndërkohë, të dhënat e publikuara nga Eurostat për vitin 2025 tregojnë se Shqipëria regjistroi rënien më të lartë të popullsisë në rajon, me një tkurrje prej rreth -1.2%, të ndikuar kryesisht nga emigracioni dhe ulja e lindshmërisë.
Këto nuk janë më thjesht statistika të ftohta në raporte zyrtare. Këto janë kambana alarmi për të ardhmen e Shqipërisë.
Edhe më shqetësues është fakti se të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se Shqipëria po hyn sërish në shtesën natyrore negative të popullsisë, duke regjistruar më shumë vdekje sesa lindje.
Ky është treguesi më dramatik i një shoqërie që po humbet ekuilibrat e saj jetikë.
Çdo ditë largohen të rinj, studentë, profesionistë, mjekë, infermierë, inxhinierë, fermerë dhe familje të reja të sapokrijuara. Ata nuk po largohen nga dëshira për aventurë. Ata po largohen sepse nuk shohin më siguri, meritokraci dhe perspektivë në vendin e tyre.
Ata po largohen sepse ndihen të përjashtuar nga një sistem që nuk shpërblen dijen, punën dhe ndershmërinë.
Ndërkohë, paradoksi vazhdon.
Shqiptarët largohen, vendi zbrazet, ndërsa qeveria vazhdon të krihet për “sukseset” e saj.
Por realiteti nuk fshihet dot pas propagandës.
Realiteti sot janë shkollat pa nxënës.
Janë fshatrat që boshatisen.
Janë bizneset që nuk gjejnë fuqi punëtore.
Janë të moshuarit që mbeten vetëm.
Janë prindërit që përcjellin fëmijët në aeroport me lot në sy, duke na rikujtuar me dhimbje “lëndinën e lotëve” të Korçës.
Sot shpopullimi nuk është më statistikë.
Ai është hemorragjia e heshtur e Shqipërisë.
Veçanërisht alarmant mbetet largimi nga vendi i vajzave dhe grave të reja shqiptare, një fenomen që po godet drejtpërdrejt lindshmërinë, familjen e re dhe strukturën sociale shtetërore.
Kur largohen të rinjtë, vendi humbet energjinë e tij krijuese.
Kur largohen vajzat dhe gratë e reja, goditet vetë themeli i ripërtëritjes shoqërore.
Kur ikën brezi i ri, një komb humbet shpresën.
Sarkazma më e madhe e kësaj qeverie është se numëron turistët që hyjnë në Shqipëri, ndërsa shqiptarët numërojnë ditët për t’u larguar prej saj.
Për të gjitha këto arsye, së bashku me deputetë të tjerë të opozitës, kemi kërkuar zhvillimin e një interpelance urgjente me Kryeministrin Edi Rama për krizën demografike, emigracionin masiv dhe largimin alarmant të të rinjve nga Shqipëria.
Shqiptarët meritojnë përgjigje.
Çfarë po bën qeveria për të ndalur largimin masiv të të rinjve?
Cili është plani konkret për të rikthyer shpresën?
Si do të përballohen nesër kriza e pensioneve dhe mungesa e fuqisë punëtore?
Një qeveri që humbet të rinjtë, nuk mund të flasë për suksese.
Matësi i vërtetë i një vendi normal nuk janë sloganet dhe fasadat propagandistike, por njerëzit që zgjedhin të jetojnë, të ndërtojnë familje dhe të investojnë të ardhmen e tyre në vendin e tyre.
Shqipëria nuk mund të humbasë çdo vit mijëra të rinj dhe shteti të vazhdojë të sillet sikur kjo është gjëja më normale.
Një vend që humbet brezin e ri, ka humbur vetveten.
Ka varrosur shpresën.
Gazeta RD