Avokatja Adriana Kalaja, përfaqësuese ligjore e Berishës në këtë proces në një prononcim për median tha se Berisha nuk pranon pajtimin pasi çdo gjë që e ka publikuar në rrjetin e tij në Facebook, janë informacione të dhëna nga qytetarë të ndryshëm.
”Ashtu si në seancën e parë dhe sot, Taulant Balla refuzoi të vinte përpara gjykatës dhe aq më shumë që në prokurën e avokates përfaqësueses të tij, nuk i kishte dhënë tagrat që përfaqësuesja e tij mund të bënte dhe seancën e pajtimit. Ndërkohë që zoti Berisha në seancën e kaluar ka deklaruar që nuk pranon të bëjë pajtim me Taulant Ballën dhe çdo gjë që ka publikuar në rrjetin e tij në Facebook, janë informacione të dhëna nga qytetarë të ndryshëm.
I qëndron atij publikimi. Në seancat vijuese do t’ju bëjmë me dije edhe të dhëna të tjera që konfirmojnë vërtetësinë e atij publikimi dhe nga ana tjetër koha ka treguar që çdo deklaratë, çdo publikim i zotit Berisha ka qenë i vërtetë. Eshtë i bazuar në prova dhe mbi të gjitha në një informacion të saktë të qytetarit digjital”, tha Kalaja.
Berisha u padit nga Balla pas publikimeve të bëra nga ana e tij në rrjetet sociale, ku akuzonte Ballën se kishte ndikuar në lirimin nga qelia të Marjo Çelës, vëllait të Suel Çelës, dhe avokatja Kalaja shtoi sot se do i drejtohet institucioneve për të marrë informacione shtesë.
“Ne vetë do t’i drejtohemi institucioneve përkatëse për të marrë informacione shtesë lidhur me këtë publikim dhe ashtu siç e ka deklaruar zoti Berisha, nuk ka asnjë tjetërsim apo manipulim të mesazhit.
Mesazhi siç është dërguar nga qytetari digjital po ashtu është publikuar dhe nga zoti Berisha, pasi ne e dimë shumë mirë që mesazhet që i shkojnë zotit Berisha i shkojnë për shkak të besimit që kanë qytetarët ndaj zotit Berisha në publikimin dhe bërjen transparent të të gjithë informacionit” theksoi Kalaja, përfaqësuese ligjore e kreut PD në këtë proces gjyqësor.

Për çfarë bënte fjalë, është denoncimi?
“Para disa javëve zotin Berisha e ka informuar qytetari digjital se Taulant Balla me drejtorin e burgut të Peqinit, sipas informacioneve është i njëjti zoti Balla i cili ka emëruar dhe drejtorin e burgut të Peqinit, të cilët në bashkëpunim kanë manipuluar provat duke shtruar në spital një prej anëtarëve të prej bandave më të rrezikshme të Elbasanit, duke justifikuar që është i sëmurë për ta nxjerrë nga burgu. Dhe po kështu është dhënë urdhër që në dhomën e spitalit të ketë kushte edhe në një hotel me 5 yje që do t’i kishte zili. Kështu që mesazhi i plotë siç i ka ardhur nga qytetari, ashtu dhe zoti Berisha e ka publikuar në mënyrë transparente”, tha Kalaja.
Gazeta RD