Shkreli: Kriza ekonomike po rëndon jetën e qytetarëve, korrupsioni është kthyer në mënyrë qeverisjeje!

Anëtarja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Eliona Shkreli, Eliona Shkreli, në një deklaratë për mediat, tha se referendumi i 23 majit për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike është një proces i rëndësishëm i brendshëm politik që synon forcimin, bashkimin dhe ringritjen e forcës opozitare.

Sipas saj, ky zhvillim vjen në një moment kritik për vendin, nga ku opozita duhet të riorganizohet dhe të konsolidohet përballë sfidave që ajo i cilëson si të lidhura me keqqeverisjen, korrupsionin dhe gjendjen e vështirë ekonomike.

Shkreli u shpreh se, Shqipëria po përballet me një situatë të rënduar sociale dhe institucionale, ku qytetarët përballen çdo ditë me rritje të kostos së jetesës, papunësi dhe mungesë perspektive, ndërsa institucionet, sipas saj, janë nën ndikimin e korrupsionit dhe lidhjeve me interesat politike dhe ekonomike.

Deklarate e PD Shkodër

Përshëndetje!

Të nderuar demokrate dhe demokratë të Shkodrës!

Më 23 maj, Partia Demokratike zhvillon referendumin për zgjedhjen e Kryetarit të saj, në një nga momentet më të rëndësishme politike për opozitën dhe për të ardhmen e Shqipërisë.

Ky referendum është një proces i brendshëm politik. Eshtë një thirrje për bashkim, rezistencë dhe ringritje përballë një regjimi që për vite me radhë ka varfëruar shqiptarët, ka shkatërruar ekonominë, ka detyruar mijëra të rinj të largohen nga vendi dhe ka kthyer korrupsionin në mënyrë qeverisjeje.

Sot Shqipëria ndodhet përballë një qeverie të konsumuar nga aferat korruptive, nga skandalet me fondet publike, nga kapja e institucioneve dhe nga lidhjet e pushtetit me krimin dhe oligarkinë. Ndërsa qytetarët përballen çdo ditë me papunësi, çmime të larta, taksa të papërballueshme dhe mungesë shprese, qeveria vazhdon propagandën dhe luksin mbi kurrizin e shqiptarëve.

Shkodra dhe veriu i Shqipërisë janë lënë prej vitesh në harresë, me mungesë investimesh reale, me braktisje të rinisë dhe me një përpjekje të vazhdueshme për të goditur opozitën dhe zërin e lirë.

Pikërisht për këtë arsye, Partia Demokratike ka sot më shumë se kurrë nevojë për bashkim, për forcim dhe për mobilizim të çdo demokrati. Vetëm një Parti Demokratike e bashkuar mund të përballet me këtë regjim dhe t’u rikthejë qytetarëve dinjitetin, shpresën dhe besimin tek e ardhmja.

Ftojmë të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike të bëhen pjesë e këtij procesi me përgjegjësi, qytetari dhe frymë demokratike, duke dëshmuar se PD mbetet forca politike që beson tek vota e lirë dhe tek demokracia e brendshme.

Votimi do të zhvillohet sipas parimit “1 anëtar, 1 votë”. Për anëtarët e PD Shkodër, qendrat e votimit do të jenë pranë selisë së PD-së dhe do të jetë e hapur nga ora 08:00 deri në orën 18:00.

Të nderuar demokratë!

23 maji është një mesazh i qartë kundër keqqeverisjes, korrupsionit dhe arrogancës së pushtetit.

Është dita për të forcuar Partinë Demokratike si të vetmen alternativë reale qeverisëse dhe për t’ia rikthyer Shqipërinë qytetarëve të saj.

Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Pse Balla nuk guxon të përballet me Berishën në gjyq! Avokatia: Kemi të dhëna të tjera…

Seanca e sotme e padisë së Taulant Ballës ndaj liderit të opozitës Sali Berisha është …