Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, mafia e fjalës së lirë censuroi dhe manipuloi raportin e IBAR të 21 majit!
Gjatë konferencës për shtyp, Berisha tha se, ky raport pasqyron me vërtetësi problematikat madhore të regjimit të Ramës
Berisha: Mirëdita!
Së pari dua të denoncoj me forcën më të madhe mashtrimin, censurën dhe manipulimin që mafia e fjalës së lirë, e kontrolluar nga qeveria totalisht, i bëri raportit më të rëndësishëm të BE për Shqipërinë.
Mafia e fjalës së lirë, në përputhje me direktivat që mori nga zyra e kryeministrit, nxiu me dhjetëra e dhjetëra faqe në portale, në gazeta, konsumoi orë të tëra në studio për të mashtruar qytetarët për raportin IBAR.
Ajo kreu këtë akt të shëmtuar pasi censuroi totalisht raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian.
Është pikërisht ky qëndrim që tejkalon çdo lloj kufiri, ai që më detyron sot në emër të transparencës t’u paraqes shqiptarëve të vërtetat e raportit IBAR 21 maj.
Ashtu siç janë miratuar.
Dhe të shpreh falënderim për të gjithë ata të cilët, siç do ta shihni, e amenduan me 32 amendamente më kryesore për të mos llogaritur dhjetëra e dhjetëra të tjerë.
Të falënderoj COELA-n për punën e madhe serioze për të pasqyruar në raportin e tyre realitetin shqiptar ashtu siç është dhe jo realitetin e sheqerosur me lobime korruptive.
Unë mund të them se raporti i parë, i paraqitur me 2 shkurt dhe i rishqyrtuar shumë e shumë herë, i karakterizuar gjithashtu nga anulimi i konferencës ndërqeveritare, në pozicionet e përbashkëta që paraqet me 21 maj, ka pasqyruar me vërtetësi problematikat madhore të regjimit të Edi Ramës.
Dhe se pas këtij raporti, Shqipëria në raport me kriteret, standardet e integrimit në BE, është një vend krejtësisht tjetër.
Është fatkeqësi e madhe kur mediat, në vend që të mbajnë anën e qytetarëve, anën e vendit të tyre dhe interesave jetike të vendit të tyre, të qytetarëve të tyre, mbajnë anën e kreut të Meduzës, organizatës së tij kriminale, duke mashtruar qytetarët për këtë raport.
Gazeta RD