Nga Bujar Leskaj
Vendimi i sotëm i Presidentit amerikan Donald Trump, për të dërguar 5 mijë trupa shtesë amerikane në Poloni, në kuadër të forcimit të pranisë së NATO-s në krahun lindor të Aleancës, konsiderohet një nga zhvillimet më të rëndësishme strategjike të sigurisë euro-atlantike në vitin 2026.
Ky hap vjen në një moment tensionesh të larta gjeopolitike në Evropën Lindore, me luftën në Ukrainë që vazhdon të mbetet një faktor destabilizues për gjithë rajonin. Polonia është kthyer vitet e fundit në shtetin kyç të NATO-s në Evropën Lindore. Pozicioni i saj gjeografik, kufijtë me Bjellorusinë dhe afërsia me enklavën ruse të Kaliningradit e bëjnë atë një nyje strategjike të mbrojtjes perëndimore.
I. Mesazh i fortë strategjik ndaj Rusisë
Dërgimi i 5 mijë trupave shtesë amerikane (i) rrit kapacitetin mbrojtës të NATO-s, (ii) forcon gatishmërinë ushtarake në rast krizash, (iii) krijon një pengesë më të fortë ndaj çdo aventure ushtarake ruse dhe (iv) garanton reagim më të shpejtë operacional në rajon.
Në praktikë, ky është një sinjal i qartë se SHBA-të vazhdojnë të mbeten garantuesi kryesor ushtarak i sigurisë së Evropës.
Vendimi ka edhe një dimension të fortë politik e psikologjik. Ai interpretohet si një mesazh i drejtpërdrejtë ndaj Moskës se NATO nuk do të tolerojë kërcënime ndaj vendeve anëtare të saj.
Në veçanti, Presidenti Trump dhe SHBA-të demonstrojnë se neni 5 i NATO-s mbetet i paprekshëm. Rusia paralajmërohet shumë fort se çdo tension në kufijtë lindorë të Aleancës, do të përballet me prani të shtuar amerikane. Nga ana tjetër, rritet presioni strategjik ndaj Kremlinit.
Vendimi i Presidentit Trump është pjesë e politikës së “parandalimit të avancuar” (forward deterrence), ku prania fizike e trupave amerikane synon të shmangë konfliktin, përmes forcës parandaluese.
II. Rritja e ndjeshme e rolit të SHBA-ve në Evropë
Ky vendim e konfirmon Poloninë si një nga partnerët më të rëndësishëm të SHBA-së në Evropë. Në vitet e fundit, Varshava ka rritur shpenzimet ushtarake mbi 4% të PBB-së. Shteti polak ka investuar miliarda dollarë në armatime amerikane dhe ka ndërtuar infrastrukturë moderne për NATO-n. Polonia është bërë qendra logjistike kryesore për mbështetjen e Ukrainës.
Prania shtesë amerikane (5 mijë trupa më shumë do të thotë 50 përqind trupa amerikane më shumë në Poloni) rrit prestigjin politik të Polonisë, forcon ekonominë lokale përmes investimeve ushtarake dhe e shndërron vendin në qendër të sigurisë së Evropës Lindore.
Vendimi i Trump vjen në një kohë kur Evropa po debaton për autonominë strategjike europiane. Disa vende të BE-së kanë kërkuar një mbrojtje më të pavarur nga SHBA, por ky zhvillim tregon se pa praninë amerikane, arkitektura e sigurisë europiane mbetet e brishtë.
Kjo lëvizje e Presidentit Trump rikonfirmon lidershipin ushtarak të SHBA-së në NATO, rrit varësinë ushtarake europiane nga Uashingtoni dhe nxit shtetet europiane të shtojnë buxhetet e mbrojtjes. Në fakt, pas vitit 2022, pothuajse të gjitha vendet e NATO-s kanë rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake.
Gazeta RD