Në degën e Partisë Demokratike në Vlorë po vijon procesi i votimit në kuadër të referendumit për kreun e partisë, ku sipas raportimeve nga terreni është shënuar një pjesëmarrje e lartë e anëtarësisë.
Procesi i votimit, i cili përfshin degët Vlorë, Selenicë dhe Himarë, pritet të mbyllet në orën 18:00, ndërsa deri në këto momente raportohen flukse të konsiderueshme votuesish, përtej pritshmërive fillestare të organizatorëve.
Në terren, drejtuesit lokalë kanë theksuar se interesi i anëtarëve të PD-së ka qenë i vazhdueshëm gjatë gjithë ditës, me radhë votuesish në qendrat e votimit.
Drejtuesi politik i zonës, Aurel Bylykbashi, deklaroi se pjesëmarrja reflekton, sipas tij, një mbështetje të gjerë për procesin e brendshëm të partisë dhe për kryetarin aktual.
Gazetari Gentian Këllçiu: Në orën 18:00 përfundon dhe procesi i votimit dhe nga informacionet që kemi, numri është goxha i lartë në degën e Vlorës, gjithashtu dhe në degën e Selenicës, janë kaluar pritshmëritë dhe të Himarës.
Ndërkohë, siç e shikoni në këto momente, ka një numër goxha të lartë, mund të themi, të anëtarëve të Partisë Demokratike që vijnë për të votuar për të zgjedhur kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, doktor Sali Berishën. Ndërkohë, për më shumë informacione, kemi drejtuesin politik, Aurel Bylykbashi.
Gazetari: Përshëndetje zoti Bylykbashi, Po, si po shkon procesi?
Aurel Bylykbashi: Unë kam ndjekur procesin e votimit në degët Himarë, Selenicë dhe Vlorë dhe ajo që vërej ka një entuziazëm të demokratëve për të rikonfirmuar në krye të Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berishën.
Sepse në fund të fundit ky është një referendum për votëbesim për kryetarin e Partisë Demokratike, por unë do ta shikoja në një shkallë më të gjerë këtë. Ky referendum tregon përfundimisht ribashkimin e plotë të Partisë Demokratike.
Tregon dhe njëherë që demokratët kanë dëshirë të tregojnë qoftë brenda dhe jashtë Shqipërisë, se sa të vendosur janë për përmbysjen e klikës së Rilindjes në Shqipëri. Dhe në fund të fundit, kjo përbën dhe atë kontratën e re të të gjithë demokratëve, vlonjatë, himarjotë, të Selenicës, po dhe të gjithë Shqipërisë, me kreun e PD-së, profesor doktor Sali Berishën, për të na çuar drejt fitores.
Pjesëmarrja ka qenë e lartë. Nga ajo që kam parë unë, bile i kalon shifrat e pjesëmarrjes së zgjedhjeve të kryetarët e degëve që u bënë përpara disa kohësh dhe njëkohësisht ne do të vazhdojmë votimin në qoftë se mbas orës gjashtë, siç e ka dhe rregullorja që na ka ardhur, do të ketë njerëz për të votuar.
Gazetari: Ka njerëz, ka njerëz që vijnë akoma për të votuar. Ndërkohë, siç e theksoi dhe drejtuesi politik, që në momentin që do të ketë anëtarë të cilët duan të votojnë apo vijnë me vonesë, dera do të qëndrojë e hapur.
Gazeta RD