Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë fjalës para qytetarëve të mbledhur në ‘Foltoren’ para kryeministrisë tha se, opozita do të vijojë kryengritjen paqësore për rikthimin e votës së lirë në vend.
Berisha theksoi se, flamuri i opozitës, sipas tij, është flamuri i votës së lirë, për të cilin, nuk ka asnjë sakrificë që nuk do të bëhet dhe asnjë betejë që nuk do të zhvillohet.
Berisha: Dhe ne prapë do rikthehemi në kryengritjen tonë paqësore.
Do i rikthehemi kryengritjes paqësore të marrim atë që meritojmë.
Miq, në rreshtat e parë të raportit që firmoset nesër, në fjalitë e para të raportit të Parlamentit Evropian, zgjedhjet damkosen si farsë.
Zgjedhjet damkosen si farsa e partisë-shtet.
Ky është një kushtrim për çdo shqiptar.
Ky sharlatan përmendte sot jo flamurin gjerman, jo flamuri ky, jo flamuri ai.
Ne kemi respekt për flamujt e kombeve partnere dhe mike, por respektin më absolut, flamurin që ne vëmë krahas flamurit kombëtar, është flamuri i votës së lirë.
Ja të vdesim, ja të rrojmë është motoja jonë.
Edi Rama, mësoje mirë, ti dhe kushdo tjetër, se flamuri ynë është flamuri i votës së lirë.
Dhe se për të rikthyer votën e lirë nuk ka sakrificë që nuk do bëjmë.
Nuk ka betejë që nuk do zhvillojmë.
Nuk ka gjë në botë që na ndalon ne në kilometrin e fundit, të cilin e kemi arritur me sakrifica, me guxim, me vendosmëri.
Ne ecim të sigurt pra drejt kësaj beteje.
Dhe 23 maji e provoi mirë, provoi qartë se cila është forca e luftëtarëve të lirisë, e njerëzve të lirë, e njerëzve që e duan Shqipërinë, e njerëzve që e duan këtë vend.
Ndaj dhe duke u falënderuar edhe njëherë me shumë mirënjohje, u ftoj të vazhdojmë krenarë, besimplotë, të guximshëm, të gatshëm për sakrifica gjer në shporrjen e këtij regjimi kriminal.
E këtij regjimi që kryen sot gjenocid në përzënien e shqiptarëve nga Shqipëria.
E këtij regjimi që varfëron shqiptarët në mënyrën më të pamëshirë.
E këtij regjimi që e ka kryer Shqipërinë në narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë.
Rrofshi ju, rroftë opozita, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!
Gazeta RD