Artisti i Teatrit të Operës dhe Baletit, Rudi Sata në fjalën e tij në ‘Foltoren’ tek kryeministria shprehu mbështetjen e tij për kreun e Partise Demokratike, Sali Berisha, pas rizgjedhjes së tij në krye të partisë.
Sipas Satës, rizgjedhja e Berishës nuk ishte rastësi, por një vendim i bazuar në atë që ai e cilësoi si ‘moral, dinjitet, konsekuencë dhe forcë’ të liderit demokrat.
Ai tha se, e votova doktor Berishën për moralin, dinjitetin, konsekuencën, forcën dhe kontributin e tij, jo vetëm si politikan, por si burrë shteti që e ka treguar veten.
Rudin Sata: Mirëmbrëma të gjithëve, mirëmbrëma doktor Berisha!
Fillimisht, dua të gjej rastin të uroj doktor Berishën për rizgjedhjen si kryetar i Partisë Demokratike.
Në këtë fjalim modest, normalisht ju e dini që unë nuk mund të rri pa falënderuar dhe pa u përkulur me nderimin më të madh ndaj të gjithë juve që jeni pjesëmarrës këtu, jo vetëm në këtë foltore, por edhe te Rruga e Shpresës dhe në çdo aktivitet politik që Partia Demokratike organizon për të rrëzuar regjimin korruptiv të Edi Ramës.
Dje, apo dy ditë më parë, u zhvillua një referendum, në të cilin çdo demokrat pati mundësinë të shprehë verdiktin e tij politik për të zgjedhur kryetarin e Partisë Demokratike. Natyrisht, u rizgjodh doktor Berisha.
Por lind pyetja: pse demokratët zgjodhën sërish doktor Berishën?
Unë nuk marr përsipër të flas për ju, për arsyet që ju votuat, por unë, si Rudi, them këtë: e votova doktor Berishën, sepse edhe unë isha njëri prej jush që votova, për moralin, dinjitetin, konsekuencën, forcën dhe kontributin e tij, jo thjesht si politikan, por si burrë shteti që e ka treguar veten.
Ndryshimi i demokratëve, miqtë e mi, nuk është siç bëjnë socialistët që i thonë Edi Ramës ‘Skënderbeu’. Absolutisht jo! Por të vërtetat janë të vërteta.
Po t’i referohemi Rrugës së Shpresës, doktor Berisha ka mbajtur disa fjalime që, dhe këtë e kam shprehur edhe atje, jo çdokush mund t’i mbajë apo t’i përcjellë ato mesazhe, sidomos për kancelaritë e botës. Sepse politika nuk është bardh e zi; ka edhe humnera, ku mund të shkosh e të mos kthehesh më. Por ata që janë patriotë nuk bëjnë kalkulime kur vjen puna te interesat kombëtare.
Dhe i tillë është doktor Berisha. Prandaj edhe unë, si Rudi, sa të jem gjallë, do të votoj personalitete politike që flasin dhe kontribuojnë vetëm për kombin shqiptar.
Miqtë e mi, nuk e di nëse ju e keni parë, por unë, si Rudi, nuk e kam parë ndonjëherë doktor Berishën të shkojë në kancelaritë e botës dhe të thotë se ‘po më dridhen gjunjët’. Këta janë sharlatanët që, në emrin e madh të Shqipërisë, shkojnë atje dhe fatkeqësisht e bëjnë Shqipërinë të vogël.
Sepse këta nuk janë për Shqipërinë. Këta janë servilë dhe karrieristë, ‘kolltukofagët’ e Fan Nolit.
Prandaj, miqtë e mi, forca jonë dhe konsekuenca jonë do të jenë këtu, vetëm e vetëm për të rrëzuar këtë regjim që mban emrin Edi Rama.
Unë jam këngëtar, jam pjesë e Teatrit të Operës dhe Baletit, dhe le të jemi të sinqertë: artistët gjithmonë flasin hapur. Nuk bëj kalkulime për të ardhur këtu, edhe pse jam në një punë shteti. Kam familje, si të gjithë ju.
Dhe pasojat e patronazhistëve janë të tmerrshme. Ju e dini shumë mirë. Kostot financiare, profesionale dhe personale nga Partia Socialiste janë të rënda.
Por motivimi që na jepni ju, miqtë e mi, na bën të vijmë këtu dhe të mos trembemi, jo vetëm nga Edi Rama, por edhe nga Sorosi dhe banda e Sorosit, që sipas meje duan ta shpopullojnë kombin shqiptar.
Ndaj, ju kam quajtur gjithmonë sovraniteti i këtij vendi, patriotët e kombit shqiptar.
Dhe në mbyllje kam një mesazh për Edi Ramën:
Nëse mendon se je kaq i fortë, sepse ke ngritur një kala të madhe, një mal të madh ku fshihesh dhe mbrohesh, ji i bindur se patriotët, ata që shtëpinë e tyre e kanë fushëbetejën, që vijnë të parët dhe largohen të fundit derisa të realizojnë qëllimin e tyre madhor, do ta shembin malin e korruptuar që ti ke ngritur.
Faleminderit!
Gazeta RD