Një aksident i rëndë ka ndodhur dje në fshatin Mengël, ku një 7-vjeçar humbi jetën, ndërsa drejtuesi i automjetit, regjisori i njohur Petri Bozo, është arrestuar nga autoritetet.
Ngjarja ndodhi në aksin “Elbasan–Librazhd”, pranë shkollës 9-vjeçare “Sulejman Rranci”, e cila ndodhet në afërsi të rrugës nacionale, ku i mituri u përplas dhe ndërroi jetë në vend.
Bozo ka deklaruar se nuk po lëvizte me shpejtësi të lartë, por policia po verifikon nëse automjeti ka qenë mbi kufijtë e lejuar të shpejtësisë.
Në një intervistë të mëparshme televizive, regjisori Petri Bozo kishte folur për eksperiencën e tij në drejtimin e automjeteve, duke pranuar se gjatë jetës kishte qenë i përfshirë në më shumë se 20 aksidente rrugore (edhe jo për faj të tij) ndonëse kishte theksuar se vetëm në një rast ka ndier rrezik serioz për jetën pasi shpejtësia i pëlqente.
Ndërkohë në aksidentin e ndodhur dje, fëmija kishte shoqëruar motrën në shkollë së bashku me nënën dhe më pas ishte duke u kthyer drejt një dyqani pranë, kur dyshohet se është shkëputur nga dora e së ëmës dhe është goditur nga automjeti.
Dëshmitarë në vendngjarje kanë thënë se gjithçka ka ndodhur brenda pak sekondash, menjëherë pasi familja ishte larguar nga hyrja e shkollës.
Gazeta RD