Nga kryesia e Kuvendit të Shqipërisë, deputeti i PD, Besart Xhaferri ngriti alarmin për një nga krizat më të thella që po përjeton vendi: shpopullimin masiv dhe boshatisjen dramatike të universiteteve shqiptare.
Duke iu referuar shifrave zyrtare të INSTAT për vitin akademik 2025–2026, ai akuzoi qeverinë Rama për dështim të plotë në politikat ndaj arsimit, rinisë dhe perspektivës së të ardhmes për shqiptarët.
Sipas Xhaferrit, largimi i të rinjve dhe tkurrja e vazhdueshme e numrit të studentëve në universitetet publike janë pasojë direkte e mungesës së investimeve, korrupsionit, pagave të ulëta dhe mungesës së besimit tek e ardhmja në Shqipëri.
Deklarata
Shpopullimi sot është një nga plagët më të rënda kombëtare që po godet Shqipërinë, duke rrënuar familjen, ekonominë, arsimin dhe vetë të ardhmen e vendit.
Prandaj, sot para jush nuk jam me deklaratë për të bërë propagandë politike dhe as për retorikë boshe.
Kam ardhur me shifra konkrete, me të dhëna zyrtare dhe me fakte që tregojnë qartë degradimin dramatik të arsimit dhe largimin masiv të të rinjve shqiptarë nga vendi i tyre.
Shifrat më të fundit të INSTAT për vitin akademik 2025–2026 janë dëshmia më e qartë e dështimit të politikave të qeverisë Rama ndaj arsimit, rinisë dhe të ardhmes demografike të Shqipërisë.
Sot auditorët e universiteteve po zbrazen me një ritëm alarmant. Sallat ku dikur kishte jetë, debat, energji dhe konkurrencë akademike po boshatisen dita-ditës. Kjo nuk është rastësi.
Kjo është pasoja direkte e një politike që ka larguar rininë, ka shkatërruar besimin tek e ardhmja dhe ka gjunjëzuar një nga shtyllat më të rëndësishme të shtetit: arsimin publik.
Faktet janë tronditëse:
Në vetëm 10 vite, universitetet shtetërore kanë humbur afro 31% të studentëve të tyre. Nga 116.8 mijë studentë në vitin 2016, sot kanë mbetur vetëm 81 mijë.
Vetëm gjatë vitit të fundit akademik, universitetet publike humbën edhe 6.8% të studentëve të tyre.
Kjo nuk është thjesht rënie statistikore. Kjo është një kambanë alarmi kombëtar.
Është prova se Shqipëria po humbet rininë e saj, kapitalin njerëzor dhe potencialin intelektual që duhet të ndërtonte të ardhmen e vendit.
Por treguesit bëhen edhe më dramatikë kur shohim:
Brenda një dekade, numri total i studentëve në universitetet shqiptare është tkurrur nga 141.4 mijë në vetëm 115.7 mijë studentë. Pra, një rënie totale prej 18%.
Pas këtyre shifrave fshihet një realitet i dhimbshëm: mijëra të rinj që nuk shohin më asnjë perspektivë në Shqipëri.
Të rinj që largohen për shkollim dhe nuk kthehen më. Familje që investojnë për edukimin e fëmijëve të tyre, por që detyrohen t’i shohin ata duke ndërtuar jetën jashtë vendit.
Kjo është ikja masive e trurit të Shqipërisë. Është zbrazja e së ardhmes së këtij vendi.
Politikat e qeverisë Rama kanë ndryshuar në mënyrë dramatike balancën e sistemit arsimor në vend.
Në vitin 2016, universitetet publike përfaqësonin 83% të totalit të studentëve në Shqipëri.
Sot kjo peshë ka rënë në vetëm 70%.
Në të kundërt, arsimi privat është zgjeruar me mbi 30%.
Dhe kjo nuk ka ndodhur sepse shteti ka ndërtuar konkurrencë të ndershme apo standarde më të mira.
Ka ndodhur sepse universitetet publike janë lënë pa mbështetje, pa investime, pa infrastrukturë moderne dhe pa politika reale financiare për studentët.
Sot studentët përballen me tarifa të larta, kushte të dobëta dhe mungesë perspektive. Ndërsa pedagogët largohen, laboratorët mbeten të amortizuar dhe universitetet publike po humbin çdo vit cilësinë dhe besueshmërinë e tyre.
Me ritmin aktual të boshatisjes së auditorëve, shumë degë studimi rrezikojnë të mos mbijetojnë financiarisht dhe akademikisht.
Kjo do të thotë më pak mjekë, më pak mësues, më pak inxhinierë dhe më pak profesionistë për të ardhmen e Shqipërisë.
Dhe përballë kësaj situate dramatike, Ministria e Arsimit vazhdon të mos ketë asnjë reformë serioze, asnjë strategji afatgjatë dhe asnjë plan konkret për të ndalur këtë katastrofë kombëtare.
Kjo gjendje është pasojë direkte e korrupsionit, mungesës së perspektivës, pagave të ulëta dhe një modeli ekonomik që nuk e vlerëson dijen, meritën dhe profesionistin.
Sot të rinjtë shqiptarë nuk largohen vetëm për paga më të mira. Ata largohen sepse nuk besojnë më se mund të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri.
Dhe kjo është përgjegjësi politike.
Qeveria Rama do të mbahet mend si qeveria që, në vend që të investonte tek rinia dhe arsimi publik, lejoi boshatisjen e universiteteve, largimin e trurit dhe shkatërrimin gradual të së ardhmes së vendit.
Gazeta RD