Drejtori i fondacionit ‘Konrad Adenauer’: PD ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për integrimin e vendit, ne e mbështesim këtë rrugëtim

Thomas Kunze
Drejtori për Shqipërinë i Fondacionit KAS të CDU

Të nderuar zoti kryetar Berisha, të nderuar delegatë, zonja dhe zotërinj,
Në emër të Fondacionit Konrad Adenauer, ju uroj suksese në këtë kongres të partisë. Partia juaj, Partia Demokratike, ruan një vend të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë moderne. Rrënjët e saj në periudhën antikomuniste shërbejnë si bazë e demokracisë dhe Shqipëria ka ecur mjaft përpara.
Për shumë njerëz në Evropën Perëndimore është e vështirë të përfytyrojnë se sa e vështirë ka qenë jeta juaj nën sundimin komunist në këtë vend. Për 40 vjet nën regjimin e Enver Hoxhës, Shqipëria ishte një prej vendeve më të mbyllura dhe më të shtypura në botë, jo vetëm në Evropë, por kudo në botë. Njerëzit nuk mund të udhëtonin, feja ishte e ndaluar. Më shumë se 30,000 persona gjendeshin në burgje. Dhjetëra mijëra të tjerë përndiqeshin ose dërgoheshin në kampet e punës. Familjet ndëshkoheshin për atë që kishte bërë babai apo gjyshi. Nuk kishte hapësirë për mendim ndryshe, nuk kishte hapësirë për shtetin e së drejtës. Shteti ishte gjithçka.
Që prej themelimit të saj, Partia Demokratike nën Sali Berishën ka mbështetur lirimin e të burgosurve politikë, të të përndjekurve dhe të gjithë atyre që vuajtën gjatë regjimit komunist.
Nuk duhet harruar se Partia Demokratike ka luajtur një rol të rëndësishëm në integrimin evropian të Shqipërisë. Zoti Klan dhe zoti Bajer e përmendën këtë. Qeveria e Partisë Demokratike bëri të mundur që Shqipëria të paraqiste kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2009. Kjo ishte historike dhe një gur themeli i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt Evropës.
Fondacioni Konrad Adenauer ka mbështetur këtë rrugëtim për shumë vite. Ne kemi punuar së bashku në frymën e demokracisë, lirisë politike, shtetit të së drejtës dhe integrimit evropian. Dhe vazhdojmë të jemi të angazhuar ndaj këtyre vlerave dhe partneritetit me ju edhe në të ardhmen.
Në çdo demokraci është e rëndësishme një opozitë e fortë. Dhe opozita nuk duhet vetëm të kritikojë, por gjithashtu të ofrojë zgjidhje, të ripërtërihet dhe të marrë përgjegjësi kur njerëzit vendosin besimin e tyre tek ajo.
Dhe pikërisht për këtë janë diskutimet e sotme. Ju uroj diskutime të frytshme, vendime të mençura dhe çdo sukses në këtë kuvend të partisë dhe në të ardhmen e Shqipërisë.
Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Berisha: U jap fjalën e nderit se kurrë nuk do merrja përsipër t’u drejtoja ju po të mos besoja tek fitorja!

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar iu drejtua demokratëve …