Fiona Nishani: Është koha për të rikthyer shpresën në Shqipëri!

Fjala e Fiona Nishanit në Kuvendin Kombëtar të PD

I nderuar Prof. Dr. Sali Berisha,

Të nderuar delegatë të Kuvendit Kombëtar,

Të dashur demokratë,

Për shumë njerëz, politika është zgjedhje. Për mua, politika është përgjegjësi.

Përgjegjësia e një trashëgimie. Një trashëgimi që nuk ka nisur në salla mbledhjesh apo në fushata elektorale. Ajo ka nisur në familjen time, në bisedat e gjata me babain tim, Bujar Nishani. Biseda për Shqipërinë, për demokracinë, për sakrificat e një brezi që besoi se ky vend mund të bëhej më i drejtë, më europian dhe më dinjitoz.

Jam rritur me bindjen se e djathta nuk është thjesht një orientim politik. Është një sistem vlerash. Është përgjegjësi ndaj vendit, ndaj lirisë dhe ndaj qytetarëve.

Sot jam këtu si përfaqësuese e një brezi që po jeton dramën më të madhe të Shqipërisë: largimin.

Çdo ditë shoh të rinj që nuk besojnë më te e nesërmja, që ëndërrojnë aeroportin më të afërt, ndërsa vendi ynë, dita-ditës, endet në një qorrsokak.

Në auditoret e universitetit përballem shpesh me të njëjtën pyetje në sytë e të rinjve: A ka ende shpresë për këtë vend?

Dhe përgjigjja ime është: Po, ka

Kam shpresë, sepse besoj se Partia Demokratike ka ende një mision historik. Jo thjesht për të ardhur në pushtet, por për t’u rikthyer shqiptarëve besimin se Shqipëria mund të bëhet, dhe jo të braktiset.

Po, kemi bërë gabime dhe duhet të kemi kurajën t’i pranojmë ato. Por shqiptarët nuk presin prej nesh përsosmërinë. Ata presin sinqeritet, vizion dhe guxim. Presin një opozitë që jo vetëm denoncon problemet, por edhe frymëzon shpresë.

Sepse Shqipëria sot ka nevojë për njerëz që nuk dorëzohen. Për njerëz që vazhdojnë të besojnë, edhe kur është e vështirë të besosh. Për njerëz që e duan këtë vend më shumë sesa interesin personal.

Dhe unë, ashtu si ju, besoj.

Besoj te Partia Demokratike. Besoj te vlerat që na kanë mbajtur gjithmonë në këmbë. Besoj te lideri i saj, Prof. Dr. Sali Berisha.

Dhe, mbi të gjitha, besoj se Shqipëria mund të bëhet vendi që meritojmë, nëse qëndrojmë të bashkuar, të vendosur dhe me besim te njëri-tjetri.

Është koha për të rikthyer shpresën.

Faleminderit dhe punime të mbara Kuvendit Kombëtar!

About Redaksia

Check Also

Kele: AKSHI, Smart City dhe ‘Dielli, kjo është teknologjia e propagandës dhe e milionave euro pa transparencë

Fjala e Denisa Kele, departamenti AI Të nderuar delegatë, miq dhe demokratë. Sot qëndroj përpara …