Kedhi: Mbijetuam, tani ripërtërihemi, Shqipëria është e shqiptarëve

Fjala e Nikola Kedhi
anëtar i departamentit ‘Brain Gain’

I nderuar kryetar i Partisë Demokratike, lider historiki të djathtës shqiptare, zoti Berisha,
Të nderuar delegatë,
Të nderuar demokrate e demokratë,
Të pathyeshmit e Republikës,
Prej vitesh mbi këtë vend nuk është ushtruar thjesht pushtet. Është ushtruar një eksperiment. Një eksperiment për ta mësuar dhe detyruar shqiptarin të tërhiqet nga jeta publike, të mbyllet në privatësinë e vet, të heshtë për të ruajtur punën, të ulë kokën për të mbrojtur familjen, dhe në fund të dëbohet nga vendi i vet.
Kjo është forma më e rrezikshme e nënshtrimit: ajo që nuk të thotë “nuk je i lirë”, por të bind se liria nuk ia vlen, se asgjë nuk ja vlen, asnjë përpjekje.
Për vite me radhë janë përpjekur të na bindin se Shqipëria nuk na përket më ne. Se rrugët janë të tyre, sheshet të tyre, shteti, vota, e ardhmja të tyret. Se ne, qytetarët e këtij vendi, duhej të mbyllim derën, të ulim zërin, të ruajmëfamiljet dhe të mos ngremë më kokën.
Kjo është një përpjekje për të krijuar një tjetër shqiptar. Njeriun e ri të shkëputur nga prona, të ndarë nga familja, të zbrazur nga besimi, të lodhur nga propaganda, të varur nga shteti, të përulur përpara një njeriu të vetëm.
Por këtu gabuan rëndë.
Ata harruan diçka tjetër, të vjetër, të thjeshtë, diçka tepër shqiptare: ky vend nuk është bërë kurrë nga njerëz që u tërhoqën. Nuk është në gjakun tonë një gjë e tillë.
Ata kërkuan të krijonin njeriun e ndrydhur, të konformuar. Demokratët mbajtën gjallë qytetarin e lirë.
Ata kërkuan të zbraznin hapësirën publike. Demokratët dolën në shesh.
Ata kërkuan të na bindnin se ne ishim të mundur, të dorëzuar përpara një fati të errët. Mjafton të shohvendosmërinë në sytë tuaj në këtë sallë për të parë se ne jemi më të fortë se kurrë. Një popull nuk humbet kur rrëzohet. Humbet kur mësohet me rrëzimin, kur konformohet dhe kur zgjedh neutralitetin si virtyt.Demokratët u bënë prova se një komb që ka ende njerëz që nuk përkulen, nuk është kurrë i humbur.
Prandaj sot nuk vijmë këtu si njerëz që kërkojnë mëshirë nga historia. Ne vijmë si njerëz që i kanë rezistuar historisë kur ajo u bë e padrejtë.Vijmë për të thënë se Shqipëria nuk është pronë e pushtetit. Republika nuk është pronë e atyre që e kanë kapur peng.
Shqipëria është e shqiptarëve.
Dhe demokratët do të jenë të parët që do tua kthejnë Shqipërinë shqiptarëve.
Ata duan shqiptarin e tërhequr. Ne do të rikthejmë qytetarin e lirë.
Të dashur demokratë,
Në çdo familje demokrate ka një histori që nuk ka hyrë kurrë në kronikat e lajmeve. Një vend pune i humbur sepse një demokrat nuk u përul. Një biznes i goditur sepse nuk u bë pjesë e pazareve. Një fëmijë i penguar sepse familja e tij nuk kishte miqtë e pushtetshëm. Një prind që i tha vetes: më mirë të më dëmtojnë mua, sesa fëmija im të mësojë se dinjiteti shitet.
Këto janë sakrifica që nuk i njeh propaganda. Nuk i njeh pushteti. Nuk i njeh as cinizmi i atyre që mendojnë se politika është thjesht lojë postesh.Propaganda përpiqet t’i fshehë sepse demokratët janë simbol dhe çdo regjim trembet nga simbolet.
Por këto sakrifica e mbajtën gjallë Shqipërinë politike.
Kjo është arsyeja pse ne sot jemi kokëlartë. Ne nuk ia dhamë regjimit gjënë që ai kërkonte më shumë: dorëzimin moral.Ashtu si njëra flakë ndez tjetrën, dhe papritmas ndizen mijëra flakë, ashtu dhe demokratët mbajtën ndezur zemrat e njëri tjetrit, dhe sot kemi një shumicë zemrash të ndezura, patriotësh, demokratësh, shqiptarësh.
Kjo është fitorja jonë morale.Dhe mbi këtë fitore morale duhet të ndërtojmë fitoren politike.
Partia Demokratike është instrumenti i ringritjes së Shqipërisë. Nuk mjafton të kemi të drejtë për të shkuarën. Duhet të bëhemi të domosdoshëmpër të ardhmen.
Kjo kërkon hapje. Kërkon seriozitet. Kërkon disiplinë. Kërkon një të djathtë me karakter, me mendim, me terren, me njerëz që nuk hyjnë në politikë për t’u fshehur pas saj, por për t’i dalë zot vendit përmes saj.Ne jemi alternativa e ndryshimit, ne kemi vizionin e duhur për dekadat e ardhshme, për një Shqipëri prodhuese, të punës së ndershme, të meritokracisë, të inovacionit. Kemi programin që do i garantojë Shqipërisë që ditët më të mira janë ende përpara. Propaganda thotë të kundërtën me insistim, e fakti që insistojnë tregon frikën e tyre nga idetë tona. Idetë dhe politikat që kanë çuar kombet drejt prosperitetit kurdo e kudo.
Partia Demokratike është shtëpia natyrale e të përndjekurve politikë. Pa kujtesën e tyre antikomuniste e djathta humbet shpirtin.
Partia Demokratike është shtëpia e pronarëve. Pa pronë nuk ka liri të vërtetë, ka vetëm qytetarë që jetojnë me lejen e shtetit.
Ne jemi shtëpia e shtresës së mesme, e njerëzve punëtore sepse ata janë muri mbajtës i çdo republike normale: njerëz që punojnë, paguajnë, rrisin fëmijë, ndërtojnë biznese, mbajnë familje, dhe nuk kërkojnë asgjë më shumë se një shtet që nuk i pengon dhe një ligj që nuk i tradhton.
Ne jemi shtëpia e të rinjve, e grave të forta, e njerëzve të ndershëm të këtij vendi, sepse nuk ka projekt kombëtar më të madh se ta bësh ndershmërinë përsëri të vlefshme në Shqipëri.
Kjo është detyra jonë. Ky është misioni ynë. PD e ka dorën e shtrirë për të mirëpritur në shtëpinë e tyre politike të gjithë ata që duan t’i bashkohen misionit fisnik të shpëtimit të atdheut dhe transformimit të Shqipërisë.
Shqipëria ringrihet kur çlirohet energjia e shqiptarit. Kur ndërtojmë Shqipërinë Europiane këtu, ne trojet tona. Shqipëria që ne ofrojmë është e thjeshtë në parim dhe e guximshme në zbatim:Ne do të ulim barrën fiskale mbi qytetarin. Do të mbrojmë dhe kthejmë pronën te i zoti. Do të çlirojmë sipërmarrjen nga arbitrariteti i shtetit, nga monopolet dhe oligopolet, dhe zinxhirët që e mbajnë mbërthyer. Do inkurajojmë inovacionin, dhe do bëjmë çmos që Shqipëria mos të humbasë trenin e revolucionit teknologjik.
Ky është patriotizmi ynë.
Në vitet që vijnë, shqiptarët do të kthehen. Jo si njerëz të thyer që kërkojnë një cep për të pushuar, por si bij krenarë që kthehen te toka e tyre për ta ngritur përsëri. Një shqiponjë mund të përshkojë male, dete dhe stuhi, por nuk e harron kurrë shkëmbin ku mësoi erën. Edhe shqiptari, sado larg të ketë shkuar, mban brenda vetes një pikë kthimi që nuk e fshin as koha, as largësia, as zhgënjimi.
Detyra jonë është ta bëjmë Shqipërinë të denjë për atë kthim.
Në këtë betejë, demokratët nuk duhet të kërkojnë falje që janë demokratë.
Mos kërkoni falje për qëndresën tuaj.
Mos kërkoni falje për antikomunizmin tuaj.
Mos kërkoni falje për besimin tuaj te familja, te prona, te Zoti, te flamuri, te liria, te Shqipëria europiane dhe perëndimore.
Mos kërkoni falje pse nuk pranuat të ulnit kokën.Jini krenar! Ne jemi faqja e bardhë e këtij kombi!
Demokratët, ju në këtë sallë dhe çdo një prej nesh jashtë, janë zemra pulsuese e këtij kombi.Brenda secilit prej jush, prej nesh, jetojnë disa prej gjërave më të shndritshme të shqiptarëve: qëndresa, lidhja me familjen, dashuria për tokën, besimi në Zot, refuzimi i poshtërimit, aftësia për t’u ngritur atëherë kur të tjerët mendojnë se gjithçka ka marrë fund.
Mund të vijë një ditë kur pabesia të duket më e zgjuar se besa, kur heshtja të duket më e sigurt se fjala, kur lodhja të kërkojë të quhet urtësi.
Mund të vijë një ditë kur kuraja të na braktisë.
Mund të vijë një ditë kur njerëzit e ndershëm tëtundohen të thonë: mjaft, nuk bëhet më, dhe ne të harrojmë të gjithë besëlidhjet me njëri tjetrin.
Por nuk është sot, ajo ditë. Jo për sa kohë ky vend ka demokratë. Jo për sa kohë ky vend ka shqiptarë. Se shqiptarët i lindin nënat për t’i dalë zot këtij vendi.
Partia Demokratike del nga ky Kuvend si forcë e një epoke të re. Me plagët e saj të mbyllura. Me emergjencën pas krahëve. Me krenarinë e saj, por edhe me përulësinë për të dëgjuar çdo shqiptar që kërkon një arsye për të besuar përsëri.Nga ky Kuvend ne nuk dalim vetëm me mesazh. Ne mbijetuam, tani ripërtërihemi. Dalim me një mekanizëm fitoreje. Çdo degë bëhet qendër organizimi e disipline. Çdo demokrat duhet të kthehet në misionar politik. Çdo familje e zhgënjyer duhet dëgjuar. Çdo i ri që mendon të largohet duhet parë në sy dhe duhet t’i japim një arsye për të qëndruar. Ne e dimë se nuk fitohet Shqipëria nga studiot. Fitohet derë më derë, zemër më zemër, qytet më qytet, duke mbrojtur votën dhe qytetarin.
Kjo është madhësia e betejës sonë. Dhe kjo është madhësia e misionit tonë. Historik.
Shqipëria nuk është laborator i askujt. Nuk është pronë e askujt. Nuk është dekor i askujt. Është amaneti i atyre që nuk u përkulën, shtëpia e atyre që jetojnë sot, dhe detyrimi ynë ndaj atyre që do të lindin nesër.
Ndaj demokratë,
Pa frikë nga asgjë dhe askush.
Me kokën lart.
Me zemrën fort.
Shqipëria është e shqiptarëve.
Zoti i bekoftë Demokratet
Zoti e bekoftë Shqipërinë!

About Redaksia

Check Also

Ina Zhupa: PD duhet të kalojë nga rezistenca te fitorja, opozitat ndërtohen mbi shpresën

Fjala e deputetes së PD, Ina Zhupa Të nderuar qytetar Të nderuar demokratë, I nderuar …