Fjala e deputetes së PD, Ina Zhupa
Të nderuar qytetar
Të nderuar demokratë,
I nderuar kryetari i PDSH, Prof.Dr. Sali Berisha
Sfidat që ka kaluar Partia Demokratike në këto katër vite kanë qenë të paprecedenta. Por, megjithatë, ia dolëm. Ia dolëm falë jush, falë guximit, qëndresës dhe besimit tuaj.
Katër vite më parë, në prill të vitit 2022, erdha në këtë Kuvend dhe iu bashkova Sali Berishës. Për shumëkënd ishte një surprizë, por për mua ishte një bindje e plotë se e drejta ishte këtu. Koha e vërtetoi këtë.
Partia Demokratike arriti t’u mbijetojë dallgëve të forta, sulmeve dhe përçarjeve. Por tani përpara nesh qëndron sfida më e madhe: të mos jemi thjesht një parti që reziston, por një parti që fiton. Të jemi alternativa reale e qeverisjes për shqiptarët.
“Ndryshimi është ligji i jetës. Dhe ata që shohin vetëm nga e shkuara ose e tashmja, me siguri do ta humbasin të ardhmen.” do të thoshte John Kennedy.
Kjo thënie përmbledh më së miri sfidën e së djathtës shqiptare dhe të Partisë Demokratike sot.
Historia e PD-së është krenari dhe pjesë e identitetit tonë. Por politika moderne kërkon edhe përshtatje me realitetin e ri: me teknologjinë, komunikimin modern, ekonominë globale, sfidat e integrimit europian dhe pritshmëritë e brezit të ri.
PD duhet të kthehet në pasqyrën reale të shoqërisë shqiptare.
Kur censi na tregon se në shoqëri ka më shumë gra dhe vajza, kur universitetet diplomojnë më shumë vajza sesa djem, atëherë Partia Demokratike bëri shumë mirë që rriti kuotën për gratë dhe vajzat. Por kjo nuk mjafton. Duhet t’u hapim edhe më shumë hapësirë atyre, sepse një parti moderne nuk ka frikë nga përfaqësimi, por forcohet prej tij.
PD duhet të përfaqësojë të rinjtë, duke ndjekur ritmin, energjinë dhe modelin e tyre të komunikimit e të jetesës. Ndaj rritja me 40% është nje lajm i mirë sot.
Të dashur miq,
Opozitat ndërtohen mbi revoltën, por zgjedhjet fitohen mbi shpresën.
Prandaj Partia Demokratike duhet të nisë që sot punën për zgjedhjet e ardhshme lokale, për të identifikuar në çdo bashki kandidatë përbashkues, dinjitozë dhe fitues, kandidatë që u japin qytetarëve shpresë dhe besim.
Guxim është të ngrihesh dhe të flasësh por guxim është edhe të ulesh dhe të dëgjosh.
Për Partinë Demokratike do të ishte shumë e rëndësishme të dëgjojë më shumë:
* të rinjtë,
* profesionistët,
* biznesin,
* diasporën,
* qytetarët e zhgënjyer që nuk votojnë më.
Sepse ndonjëherë fuqia më e madhe politike nuk është vetëm fjala e fortë, por aftësia për të kuptuar realisht shoqërinë.
Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen është ta krijosh atë.
Kjo është thelbësore për opozitën. Nuk mjafton vetëm konsumimi i kësaj qeverie, që shqiptarët e shohin çdo ditë si simbol të korrupsionit dhe arrogancës. Nuk mjafton as pakënaqësia popullore.
Nga sot duhet të nisë rruga e projektit të së ardhmes.
Me besimin në Zot, me forcën e çdo demokrati dhe me vendosmërinë për t’u rikthyer qytetarëve shpresën, ne do ta sjellim ndryshimin e pushtetit sa më shpejt.
Faleminderit!
Gazeta RD