Elda Hoti: Shqipëri, dita kur vendi do t’u rikthehet qytetarëve është më afër se kurrë

Fjala e deputetes së PD, Elda Hoti

Le ta shohim këtë Kuvend si fillimin e një kapitulli të ri për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë.
Si deputete, si nënë dhe si grua që njeh peshën e përgjegjësive të përditshme, e di mirë se shqiptarët nuk kërkojnë slogane. Ata kërkojnë zgjidhje. Nuk kërkojnë premtime të bukura, por drejtësi që funksionon, ekonomi që mban familjet dhe një shtet që nuk i braktis qytetarët e tij.
Pak kohë më parë, bisedova me një grua nga një fshat i Kurbinit, nënë e dy fëmijëve, e diagnostikuar me kancer. E papunë, pa asnjë mbështetje nga shteti, ajo lufton çdo ditë për jetën e saj dhe për rritjen e fëmijëve të saj.
Dy herë në muaj udhëton drejt Tiranës për të marrë kimioterapinë, por në shumë raste është kthyer pa e marrë kurimin, për shkak të mungesës së ilaçeve.
Dhe ndërsa dëgjoja historinë e saj, mendova: nuk është thjesht fati i kësaj gruaje, kjo është pasqyra e një shteti që ka dështuar dhe që ka harruar qytetarët e vet.
Ndërsa një nënë me kancer endet dyerve të spitaleve për të gjetur kurimin dhe nuk e gjen, qeveria gjen miliona për luks dhe për terapi hormonale.
Rrëfimi i saj ishte dhimbje, vuajtje dhe realiteti i mijëra shqiptarëve. Por ajo që më mbeti thellë në mendje ishte lutja e saj:
‘Bëni diçka për këtë vend, jepni shpresë këtij populli.’
Dhe pikërisht këtu qëndron sfida jonë.
Sepse sot Shqipëria nuk po vuan vetëm nga varfëria, por edhe nga mungesa e shpresës. Po braktisen qytetet dhe fshatrat, shkollat po mbyllen, ndërsa një komb i tërë po humb energjinë dhe besimin në të ardhmen.
Ndërkohë, një grusht njerëzish pasurohen çdo ditë e më shumë, ndërsa shumica e shqiptarëve luftojnë për mbijetesë.
Në këtë vend mund të gjesh gjithçka, përveç sigurisë se do të trajtohesh me dinjitet kur je i sëmurë, pensionist, i papunë apo i ri që kërkon një mundësi.
Prandaj ky Kuvend sot ka një rëndësi historike. Ai duhet t’i hapë rrugë një Shqipërie tjetër: një Shqipërie ku në qendër është qytetari dhe jo pushteti; ku dinjiteti i njeriut është më i rëndësishëm se propaganda; ku shteti është në shërbim të njerëzve dhe jo i kapur nga pushteti.
Këtë duhet ta bëjmë për ata njerëz që takojmë çdo ditë, që na bëjnë pjesë të dhimbjeve, sakrificave dhe halleve të tyre.
Duhet ta shohim Shqipërinë nga këndvështrimi i tyre: përmes vuajtjeve në spitale, përmes pensionistit që nuk i mjafton pensioni as për ilaçe, përmes nënës që qan për largimin e fëmijëve dhe përmes të rinjve që po largohen çdo ditë.
Unë jam e bindur se Partia Demokratike mund ta bëjë dhe do ta bëjë këtë ndryshim. Sepse historia ka treguar se ajo ka lindur pikërisht për momente të tilla: për t’u kthyer shpresën shqiptarëve.
Dhe sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për shpresë.
Prandaj le të dalim nga ky Kuvend me një zotim të vetëm: të mos lodhemi kurrë duke mbrojtur të drejtën, të mos heshtim kurrë përballë padrejtësisë dhe të mos dorëzohemi kurrë përballë korrupsionit.
Dhe kur e vërteta bëhet kauzë, kur shpresa bëhet bashkim dhe kur qytetarët bëhen një, ditët e regjimit janë të numëruara.
Unë besoj se dita kur Shqipëria do t’u rikthehet në duart e qytetarëve të saj është më e afërt se kurrë.
Faleminderit.

About Redaksia

Check Also

Kedhi: Mbijetuam, tani ripërtërihemi, Shqipëria është e shqiptarëve

Fjala e Nikola Kedhi anëtar i departamentit ‘Brain Gain’ I nderuar kryetar i Partisë Demokratike, …